Nga Hunior Lareo
Unë jam ai që nuk ka për të vdekur. Jam hija e pemës në mes të malit. Jam rënkim-hingëllima e pelës që po lind mëzin. Jam bishti i cigares së fundit që tymos një vetëvrasës para se të hidhet nga kati i shtatë. Jam tymi. Jam era që fshikullon fytyrën e tij, jam asfalti mbi të cilin përplaset. Jam gjaku që spërkat trotuarin. Jam buza e trotuarit që ndahet nga vija e ujërave. Jam vija e ujërave të rrugës ku gjaku përzihet me ujërat e qelbura. Jam uji i qelbur që vjen nga lumi. Jam lumi që i ushqen të gjithë me ujë. Jam uji i pastër që pijnë njerëzit. Unë jam njeriu që po pi cigare sipër në katin e shtatë. Jam ai që hidhet prej andej. Unë jam ai që s’ka për të vdekur kurrë.
*Autobiografi: Hunior Lareo lindi në Lomas de Zamora, provinca e Buenos Airesit në Argjentinë, më 14 dhjetor 1981. Qysh atëherë jetoi.
Jetoi duke lexuar: duke filluar nga tregimet e shkurtra për fëmijë deri te kryeveprat e letërsisë. Një qenie… e zakonshme? Ose të paktën ashtu ishte. Deri në vitin 1999, kur filloi të studiojë teatër, ishte një qenie e zakonshme. Pak i ndrojtur, nga që nuk e gjente dot vendin e tij në këtë botë. Po, kur arriti ta gjejë atë që donte të bënte… përfundoi i çmendur. Sot, pas gati 20 vjetësh Hunior Lareo është një qenie që dëshiron të bëjë art. Qoftë ky teatër, apo edhe letërsi. Duke shpresuar që një ditë të arrijë të bëhet i njohur për këtë. Sot Huniorin e trondit një shprehje e Bernard Shout:
“Në qoftë se do të kisha besuar se arti nuk është gjë tjetër veçse art, do t’i kushtohesha tjetër gjëje”.
Në shqip: Bajram Karabolli