Unë jam ajo gruaja që ka mbi shpinë gjysmë shekulli: rrudhat tregojnë se jam prej mishi e gjaku….

une jam ajo gruaja, ese nga meri lika

Unë jam ajo gruaja që ka mbi shpinë gjysmë shekulli… unë sot do të flas për atë se çfarë është një grua pesëdhjetëvjeçare që kurrë nuk bëri  kompromise.

Nga Meri Lika

Sot pas, pothuajse, pesë dhe të vjetësh, unë kam në pronësinë time: një makinë të përdorur, të cilën e kam goditur 3 herë, një kredi shtëpie, licencën e Auditit Ligjor, licencën e Kontabilit të Miratuar si dhe të drejtën e autorit për të vetmin program auditimi në gjuhën shqipe.

Në këto pesëdhjetë vjet desha dhe më deshën, lashë dhe më lanë, më kanë zhgënjyer dhe kam zhgënjyer, më kanë përgojuar dhe kam përgojuar, më kanë tradhtuar, por unë kurrë nuk kam tradhtuar. Kjo mund të jetë pika ime e dobët, ndoshta mund të quhet edhe si pika ime e fortë, varet nga këndvështrimi.

Nuk kam tradhtuar kurrë…


Nuk kam tradhtuar kurrë, nuk e di a do të vazhdoj kështu, por duke e njohur veten time, mendoj se nuk do të tradhtoj asnjëherë.

Sot nuk do të flas për dashurinë, ndarjet apo bashkimet, për to duhet të flasin të rinjtë, unë sot do të flas për atë se çfarë është një grua pesëdhjetëvjeçare që kurrë nuk bëri  kompromise.

Në këto pesëdhjetë vite, kam kuptuar se lufta për të jetuar jo gjithmonë të jep atë që meriton, por lufta të bëntë kuptosh se liria është gjëja më e shenjtë dhe atë e meritojmë të gjithë.

Mund të kem bërë vepra të mira, por edhe të këqija mund të kem bërë plot, këtë e dinë ata që janë prekur prej tyre, dhe gjatë gjithë jetës sime kam bërë vetëm një kryevepër, djalin tim 10-vjeçar.

Me të jam një nënë e rreptë, ndoshta ngaqë jam duke e rritur vetëm më bën të jem më e rreptë nga sa unë do të doja, por dua që ai të kuptoj se kur pikërisht mamaja e tij, e cila e do më shumë se jetën e saj, është e rreptë me të, asnjë në këtë botë nuk do të jetë i butë, e kështu ai do ta shikoj jetën jo si një oaz të ngrohtë, por si një sfidë mendimi, pune dhe përkushtimi, ndoshta jam gabim.

Nuk kam asnjë pendim…

Në këto pesëdhjetë vite, nuk kam asnjë pendim, as nuk e them ndonjëherë, qoftë edhe me mendje, shprehjen ‘’sikur të kthehesha pas…”, sepse nuk e mendoj asnjëherë kthimin pas.

Këto pesëdhjetë vite, më kanë mësuar shumë, tani nuk mërzitem me askënd, thjeshtë i lë anash ose mbrapa ata që nuk i vlejnë, sepse të mërzitesh me njerëzit në këtë moshë do të thotë se nuk paske mësuar asgjë nga jeta. Tani askush nuk mund të marr më vendime për mua, tani askush nuk mund të më imponohet, kam kuptuar se pavarësia financiare nuk do të thotë edhe pavarësi mendimi, do të thotë se thjeshtë ke ca para, por mund të mos kesh fare mendim.

Rrudhat nuk janë të shëmtuara

Gjatë këtyre viteve kam mësuar se rrudhat nuk tregojnë se jam e shëmtuar, thjesht tregojnë se jam njeri prej mishi e gjaku, që lind, rritet dhe plaket.

Unë jam ndryshe nga moshataret e mia, nga ato që  i kanë fëmijët fëmijët nëpër universitetet, unë akoma e kam djalin në shkollën fillore, por nuk ndihem keq. Nuk ndihem keq as kur djalit i thonë, ‘’dëgjojë nënën’’, as kur njerëzit mendojnë se unë nuk kam moshë për të qenë mama, por për gjyshe. Nuk mërzitem, aspak, madje e shijoj dhe ndihem me fat që Zoti më deshi kaq shumë.

Sot në pragun e pesëdhjetë, në kohën e ‘’tmerreve’’ hormonale, nuk e shmang pasqyrën nga frika e ndryshimeve në fizionomi, sa herë ndodhem përpara saj nuk shikoj një grua pesëdhjetë vjeçe të trembur nga pleqëria, por shikoj një grua e cila e ka lënë pas frikën dhe e jeton e lumtur pavarësinë e saj.

Pas kaq vitesh kam masën time për gjërat, nuk përdor etalonët e zakonshëm, kam krijuar të mitë, nuk më intereson se çfarë mendojnë të tjerët për mua, nuk më pëlqen t’i pyes njerëzit për jetën e tyre, nuk dua t’i detyroj të më gënjejnë, më pëlqen t’ua shmang këtë mëkat.

Në këtë moshë unë e kam mundur frikën, nuk i kam frikë burrat, nuk e kam frikë jetën, nuk kam frikë nga konkurrenca, nuk e kam frikë punën, nuk kam frikë nga e nesërmja.

Unë jam një grua pothuajse pesëdhjetë vjeç dhe kjo më sipër është CV ime./gazetasi.al

ObserverKult

Lexo edhe:

KUSH ISHTE AJO GRUAJA MISTERIOZE QË ENVER HOXHA I DËRGONTE LULE EDHE PASI KISHTE NDËRRUAR JETË…

Për ta lelxuar tekstin kliko KETU