Unë jam nji gru që ka vendos me ndejt gru pa u ba nanë!

Nga Ada Halilaj

Kurrë,
Unë nuk jam nana jote. Ti nuk je fëmija jem. Nuk ke për të kenë asnjiherë. Nuk ka me trokit n’mishin tem ardhja jote.
Nuk je ngjiz. S’ke emën. As formë. As andërr. Përtej zgjatjes së duarve t’mia, s’të arrij, sepse ti s’je nis kurrë me m’gjet.

Unë jam nji gru e thjeshtë. Lexoj shumë. Mendoj tepër. Pi ose kafe, ose venë. Çmenditë e mia gjujnë herë grushta drite e herë terri. Jam gjithçka kam. Kufinjtë e mi janë lëkura qumështore e flokët e njym n’mjaltë. Kam kalu kaq kohë me vedin, sa të njihem mjaftushëm me pranu që ajri jem, çehrja jeme asht veç liria, nji valixhe që rrin mbas deret, nji ikje pa kthy kryt mrapa.

Unë jam nji gru që ka vendos me ndejt gru pa u ba nanë.
Mitra jeme e papërdorun s’ka me ndi dhimbjen e jetës që shtyn. Por te unë s’peshon mungesa jote.

Këtu fillon nji luftë që me ardhjen tande do ishte shndërru magjikisht në aktin ma ushtues të paqes. Por unë jam luftarake. S’kam armë. Kam forcë. Le t’më gjujnë me gurë, bukën në fyt s’ma xen askush. Të tjerët s’kanë me më pranu kurrë plotësisht por unë s’jetoj për botën e as bota s’ka pse ndal rrotat mbi jetën teme.

S’kam frikë. Refuzoj me u ba viktimë. Refuzoj me u fsheh. Refuzoj me hek dorë prej të vërtetës.
Ti s’je sakrificë. Nuk e kërcënon botën me shterrje.

Ti nuk je rebelim, as revolucion. Nuk je anomali, as impotencë, gjynah apo plagë e përjetshme. E unë s’kam asnji dhunti të jashtëzakonshme. S’jam përbindësh, as shenjtneshë.

Ti nuk më tremb. Por jam solitare e pandreqshme. Jam nji hanë e plotë për çdo natë të jetës teme.
I du tana foshnjet, tana nanat, nanën teme mbi gjithçka por unë s’jam gratë që njoh. Du, mbroj, respektoj lumtuninë e tyne deri në shëtitjen e fundit mbi këtë tokë, por unë jam gruaja e lumtunisë teme.

E ky nuk asht as heroizëm, as dështim. Nuk asht fundi e as fillimi. Jam unë, me trup, me ndërgjegje, me vendosmëri. Jam unë që nuk do doja kurrë që ti me ardhë në jetë vetëm me i tregu botës se jam e saja, se jam si shumica, se edhe unë mund të jem nanë e të dal prej rrethit të t’përjashtumeve. Jo! Ti nuk do ishe e jemja atëherë. Do ishe e zeza mbi të bardhë, nji vërtetim, nji shpallje, nji ekzistencë pa jetë e dinjitet.

Nuk e du faljen tande, Kurrë. Ky nuk asht mëkat.Ti s’je mëkat. Ti, thjesht, n’mu nuk Je.

Uroj kudo të mbërrish, kanë me të msu që nuk i ke borxh askujt, asgja. Je njeri i lirë. Matu me vedin. Lidhu për vedin. Jeto me guxim. Ban gjithçka don! Me pasion e kambngulje, turrju jetës në zemër e vlo. Mos iu përkul askujt e mos përkul askend. Larg turmës, banu banor i ngazëllimit tand!

Pa dyshim e pa keqardhje,
nji gru e zakonshme, diku nëpër botë!

ObserverKult


Lexo edhe:

ADA HALILAJ: S’KAM FRIKË NGA BURRAT E EGËR QË E QUAJNË VETEN ZOT!