UNESCO kritika të forta qeverisë shqiptare për Butrintin: Ja çka kërkon nga Ministria e Kulturës

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për trashëgiminë botërore, UNESCO- thotë në një raport për Parkun më të njohur Kombëtar në Shqipëri, Butrintin, se vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimim e integruar të Butrintit.

Më tej Agjencia u rekomandon autoriteteve shqiptare që Ministria e Kulturës të ruajë autoritetin tërësor të kësaj pasurie botërore dhe jo vetëm të një pjese të saj.

Çështja e menaxhimit të Parkut të Butrintit është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila në një gjest të pazakontë, ditë më parë, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO-s.

Raporti i UNESCO-s është përgatitut në tetor të vitit të kaluar, por qeveria shqiptare nuk kishte dhënë pëlqimin e saj që ai të bëhej publik.

Zëri i Amerikës, e siguroi raportin pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në bazë të ligjit për të drejtën e informimit.

Raporti i UNESCO-ICOMOS ngre shqetësim të thellë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve ku në një pjesë po ndërtohet aktualisht një resort dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Raporti i përbashkët i UNESCO-ICOMOS, dërguar tek autoritetet shqiptare tetorin e vitit të shkuar paraqet kritika të forta për rishikimin e kufijve të Parkut Kombëtare të Butrintit pa venë në dijeni UNESCON dhe për mos sigurimin e menaxhimit të integruar të Butrintit siç kanë kërkuar misionet e mëparshme të organizatës botërore që kanë monitoruar Butrintin.

Misioni i Unescos thotë në raport se “përveç krijimit të Fondacionit të ri të Menaxhimit të Butrintit, asnjë propozim tjetër për sigurimin e zbatimit të Planit të Menaxhimit nuk u prezantua gjatë misionit nga autoritetet shqiptare”.

“Vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet e misioneve të mëparshme, të Komiteti i Trashëgimisë Botërore dhe vetë Planit të menaxhimit për një menaxhim të integruar të Butritnit, thuhet në raport.

Një marrëveshje mes ministrisë shqiptare të kulturës dhe fondacionit shqiptaro amerikan të zhvillimit (AADF) për krijimin e një fondacioni për menaxhimin e Butrintit përfshin vetëm njërën zonë të parkut të Butrintit të njohur si zona A3, ku ndodhet pjesa më e madhe e qytetit antik, duke lënë jashtë tre zona të tjera pjesë e parkut kombëtar të Butritntit.

Misioni i UNESCOS rekomandon në raport se për të siguruar mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave universale të kësaj pasurie botërore dhe integritetin e saj Ministria e Kulturës duhet të ruajë mbikëqyrjen e menaxhimit të të gjithë pasurisë së Trashëgimisë Botërore, jo vetëm të një pjese të saj.

Misioni thotë në raport se konfirmoi heqjen së fundmi nga Parku Kombëtar i Butrintit të rreth 600 hektarëve nga zona B afër Ksamilit ku aktualisht është në ndërtim e sipër një kompleks turistik rezidencial.

Sipas misionit “heqja e 600 ha nga Parku Kombëtar, nuk është njoftuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore dhe përfaqëson një ndryshim në regjimin mbrojtës të një pjese të ndjeshme të zonës tampo. Por ndoshta edhe të një pjese të vogël të pronës së Trashëgimisë Botërore që tani shtrihet jashtë kufijve të Parkut Kombëtar”.

Misoni i ka bërë të njohur autoriteteve shqiptare se pret një kërkesë zyrtare pranë Unesco-s për këtë ndryshim të ndërmarrë nga qeveria shqiptare pa dijeninë e organizatës.

Misioni u ka kërkaur autoriteteve shqiptare si çështje urgjente, që t`i sqarojnë Qendrës së Trashëgimisë Botërore se cilat janë masat e mbrojtjes aktualisht për të gjithë pronën e Trashëgimisë Botërore që përfshihet në Parkun e Butrintit dhe zonën e saj tampon brenda kufijve të parkut.

Qeveria shqiptare ka vendosur që menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit të kryhet nga një fondacion i krijuar nga Ministria e Kulturës dhe Fondacioni shqiptaro amerikan i zhvillimit për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.

Ligji u miratua nga Kuvendi në maj të vitit 2022 dhe shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi përmes kësaj forme.

Një grup prej 36 deputetësh opozitarë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Gjykata Kushtetuese, në një gjest të pazakontë, pak ditë më parë, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO-s dhe rihapjen e seances plenare për Butrintin. /Voa

ObserverKult


ndue ukaj europës ajër

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA NDUE UKAJ: KOHA PËR GJËRA TË BUKURA

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Ndue Ukaj:

Biletat

Biletat i blejmë me çmimet që i përcakton tregu.
I kalkulojmë ndjenjat, mërzinë dhe gëzimin;
dashurinë minus mungesën e saj 
dhe shohim sesi matematika shpie në rezultate të gabuara.

Të hutuar nëpër stacione ardhjesh e pritjesh gabojmë rrugën.
Presim trenin që shpie kah gëzimi, por ai na çon në dyert e trishtimit.
Pastaj të hutuar kthehemi prapa dhe e shohim se kemi humbë shumë.
Një termin pune, një kafe me personin e dashur që e prisnim gjatë
apo pjesën e fundit të një romani që e lamë pa përfunduar.

E mbyllim ditën dhe biletat i gjuajmë në hedhurina,
por nesër sërish na duhet një biletë e re.
Një rrugë për të parë piktura madhështore në Luver,
ose një shëtitje në mrekullitë e Romës
apo një përqafim buzëmbrëmje te deti i kujtimeve të mira.

Kur mbaron java, pushojmë dy ditë.
Dhe të dielën në mbrëmje i bëjmë llogaritë, si fëmija detyrat e shtëpisë:
parat janë harxhuar, muaji ka edhe ca ditë.
Duhet të blejmë biletën mujore për më shumë dashuri;  apo për dhimbje më të gjatë.

Në fund të muajit kalkulatori i ndjenjave bie përtokë
dhe përnjëherë çohemi peshë.
Muaji që vjen është më i mirë- vjen pranvera dhe ditët janë të gjata,
ose bie pikëllimi dimëror dhe netët janë të trishta.

Biletat i blejmë me çmimet që i përcakton tregu
dhe të hutuar shtegtojmë në stacione pritjesh
presim ditën e re që t’i mbyllim portat e gabuara.

Shkojmë në teatër dhe e marrim biletën për dëfrim,
por Tartufi na tregon se shpirti koprrac i botës jeton në çdo kohë.
Pastaj gudulisim vetveten dhe s’i hapim bebëzat të shohim
të vërtetën në sy, sepse hipokrizia është e modës.
Një ditë tjetër Hamleti ngjitet në skenë
i llastuar dhe me shikimin e mprehtë, pëlcet nga pezmi.
Ai sheh shumë fantazma që gërvishtin rrobat e lirisë,
dhe një tabelë me shënime të zhubravitura,
ku thuhet se gjithmonë varet prej nesh çfarë statistikash bëjmë, 
ku e ngulim flamurin e mërzisë dhe ku atë të gëzimit.

Stinë ndjenjash

Vera e bukur u arratis, prapa la shumë kujtime,
si shiu i rrëmbyeshëm pluska fustanit tënd të mëndafshtë. 
Me të u mbyll një epokë, disa mund ta pagëzojnë lumturie,
por ata që e duan borën e stuhinë, mendojnë ndryshe.

Vjeshtë. Mugëtirë. Stinë e mjegullës.
Ti ke ndërruar fustanin, ai ka ngjyrë gështenje, si flokët e tu.
Por ndjenjat s’kanë stinë, kohë, as ngjyrë.
Ne gëzohemi kur shohim pafundësinë e qiellit,
ndonëse misteret e tij na turbullojnë mendjen
dhe vonë e kuptojmë se kurrë s’ka kohë për lumturi.

Vjeshtë. Mugëtirë. Stinë e mjegullës.
Pemët zhvishen, kurse ne vishemi.

Ti e menduar thua: fustani në duart e mia duket parashutë shpëtimi nga furtuna.
E dashur, pemët zhvishen dhe s’bëjnë dashuri si ne.
Ato prapë mbulohen me bukuri në stinën e tyre.
Prandaj neve s’na duhet acari.

Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult