Kjo është ura e veçantë që e ndërtoi 200 vjet më parë Ali Pashë Tepelena

Aty janë xhiruar disa filma artistikë shqiptarë, si “Muri i gjallë”, “Liri a vdekje” dhe “Dasma e Sakos”.

Ura e Kordhocës, “Monument kulture i Kategorisë I”, është nyje e rëndësishme e rrugës, së vjetër që lidhte dy anët e luginës së Drinos. E ndërtuar rreth 200 vjet më parë nga Ali Pashë Tepelena, më 1820, kjo urë ishte pjesë e rrugës që lidhte qytetet kryesore të vilajetit të Janinës në atë periudhë; Janinën, Libohovën, Gjirokastrën e më tej, Tepelenën.

Ura është ngritur mbi lumin Drino, rreth 4 km në jug-lindje të qytetit të Gjirokastrës, përfund fshatit Lazarat. Ajo është ndërtuar me gurë të zinj të zonës, ndërsa mbushja e saj është bërë me gurë gëlqerorë. Konstruksioni i kësaj vepre ka të gërshetuar stilin e arkitekturës lokale me atë orientale osmane.

Ura e Kordhocës është e gjatë 20 metra dhe e lartë 7 metra në pikun e saj. Ka pesë harqe, të dekoruar bukur me punime në gurin e zi, që së bashku me shtrimin e plotë me kalldrëm në të gjithë gjatësinë, i japin vlera të mëdha historike dhe arkitekturore.


Restaurimi i fundit në vitin 2018, zbuloi edhe disa nga sekretet e teknikave të ndërtimit të saj.

Gjatë procesit të përforcimit të një prej këmbëve të urës u zbulua se poshtë saj gjendeshin një numër i konsiderueshëm trarësh druri, të ngulur thellë në shtratin e lumit, mbi të cilat ishte vendosur dhe qëndronte vetë këmba e urës. Trarët e drurit, edhe pse mbi 200-vjeçarë, ishin në gjendje shumë të mirë, të padëmtuar nga lagështira përgjatë viteve dhe shekujve.

Ekspertët konstatuan se trarët e drurit, të përdorur si bazament për këmbët e urës, i kishin dhënë asaj një qëndrueshmëri shumë më të mirë dhe kishin shërbyer si amortizatorë të lëvizjeve të tokës prej tëmeteve apo nga shkarja e dherave.

Ura është funksionale për kalimin e këmbësorëve dhe automjetëve edhe sot, ashtu sikur qëmoti për kalorësit e karvanet, transmeton ‘konica.al’.

Turistë dhe vizitorë mund të provojnë eksperiencën e udhëtarëve dhe rrugëtimeve të vjetra, nëpër rrugën që vazhdonte nga Gjirokastra, kalonte mbi Urën e Kordhocës, ecte përmes luginës së Drinos, kalonte në Urën e Zonjës mbi lumin e Suhës (urë monument kulture edhe kjo, e ndërtuar në të njëjtën periudhë) dhe arrinte në Libohovë. Më tej, rruga kalonte rrëzë malit të Buretos, për në Janinë.


Lexo edhe:

RRËFIMI I TË BURGOSURIT TË KOMUNIZMIT: MË LIDHËN DUART, MË HOQËN RROBAT DHE VAZHDUAN TORTURAT …

ObserverKult