Gjith gjënat që do të hynë në burg duhet të kontrollohen prej personavet të caktuar për këtë shërbim (caktohen disa partizanë) në mënyrë që të mos futen vegla ose mjete që të lehtësojnë aratisjen, të porositen partizanët që të mos prekin kurgjë në mënyrë që të mos shkakëtohet humbja e ndo një sendi të burgosurit gjat këti kontrolli….Duhet të bëhet të paktën katër herë inspektimi i rojeve gjatë natës për të qënihen e tyre në vëndin e caktuar.
Për të siguruar pushtetin e tij, një ndër veprimet e para të Enver Hoxhës, menjëherë pas luftës, ishte marrja e kontrollit në burgje, duke vënë edhe rregullat e reja, sipas të cilave ato do të funksiononin.
Kjo urdhëresë e Hoxhës, nënshkruar në dhjetor 1944, në ditët e para të pushtetit të tij, i drejtohet Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore, që ishte struktura pararendëse e Sigurimit të Shtetit. Në dokument parashikohen të gjithë hollësitë që nga përcaktimi i një drejtori burgu, komandanti e rojat për sigurinë deri tek imtësitë se si merrej në dorëzim i burgosuri, si regjistroheshin sendet personale, dhe si duheshin marrë masa që burgu të ishte i sigurisë absolute dhe të kontrollohej çdo send a ushqim që vinte në burg për të burgosurit.
Më poshtë e sjellim të plotë, shkresën, që rezulton ndër të parat shkresa të kësaj natyre e të kësaj periudhe, firmosur nga Enver Hoxha, i cili në këtë rast firmos si Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare.
Vdekje Fashizmit
Liri Popullit
Komanda e Përgjithëshme e
Ushtëris Nacional Çlirimtare
S H Q I P T A R E
Nr. ______
Dhjetor 1944
Drejtoris Mbrojtjes Popullore
Tiranë
Këtu poshtë ju përshkruajmë disa regulla që duhet të mbahen ndër burgjet për me evitue insidente.
Në çdo burg duhet të ketë.
A.—- Një drejtor burgu.
B.—- Një komandant burgu së bashku me rojën përkatëse për sigurimin e burgut.
I)—- Detyrat e drejtorit të burgut
1)— Me marë në dorëzim të burgosurit që do futen në burg.
2)— me i regjistrue këta në një regjistër alfabetik, emnin mbi emnin, vënd lindjen, kush e dorëzon në burg dhe datën e hymjes; gjith ashtu dhe mbas mbarimit të gjyqit dënimin që mor.
3)— me i regjistrue në një regjistër tjetër të gjitha gjënat që mund të lehtësojnë hikjen P.Sh. brisqe çdo lloj gërshëre e të tjera presje, gjëna të arta, të hollat do t’i meren, pse nuk duhet t’i ketë në burg si dhe të holla që i ka i burgosuri me vehte. Për këtë i meret firma të burgosurit në këtë regjistër.
Sa herë që të burgosurvet u vinë të holla këto mbahen në drejtori dhe lajmërohet i interesuemi tue i marë firmën, u jepet të burgosurvet të holla sa herë që: ata kërkojnë prej atyre që kanë dorëzuar por jo shuma të mëdha dhe u meret firma (ky veprim bëhet për mos me i lënë shtek ankimevet)
4)— Mbasi të jenë ba këto veprime ky dorëzon të burgosurin komandantit të burgut tue i marë këti nënshkrimin.
5)— Kur ndo një i burgosur do lirohet ose transferohet më ndo një burg tjetër, ky urdhëron komandantin e burgut me një shkresë.
6)— Ky hera herës duhet të kontrollojë të burgosurit qi gjenden në burg për me vërtetue qënijen e tyre në bazë të regullit.
Detyrat e komandantit të burgut.
1)— Komandanti i burgut është përgjegjës për të burgosunit që ka marë në dorëzim dhe për me ju shmangë kësaj përgjegjësie duhet, të ketë roje të mjaftueshme reth burgut nga jashtë këto roje natën dyfishohen.
2)— Duhet që brenda burgut të ketë posta të pa armatosura në mënyrë që të kontrollojnë herë pas here të burgosurit, veç këtyre dhe një fuqi të mjaftueshme për me shoqnue të burgosunit në hetuesi ose në gjyq.
3)— Kur ky mer në dorëzim të burgosurit për me i mbajt në burg i nep drejtorit të burgut firmën në regjistër ose një dëftesë.
4)— Nuk duhet kurrkush me hye brenda në burg i armatosur cili do qoftë duhet më parë të dorëzojë armët para se hyn në burg.
5)— Kur ky liron ose transferon no një të burgosur nga burgu i tij ruhan shkresën e drejtorit të burgut që autorizon lëvizjen.
6)— Para se me pranue një të burgosur në burg (marim rastin e Tiranës) e fut këtë në mest të dy dyerve të hekurta dhe e kontrollon kët që të mos të ketë mjet me i lehtësue hikjen; kontrollin e bën një prej ushtarëve të brendëshmë të burgut që rin pa armë.
7)— Kur ky do të shoqënojë ndonjë të burgosun jashtë burgut e thëret këtë në mest të dy dyerëvet dhe aty një ose dy prej ushtarëvet të brendëshëm – prej burgut e lidhin dhe mandej ja dorëzojnë rojevet shoqënuhëse.
8)— Kur ky qit të burgosurit me marë ajër jashtë rregullohet në mënyrë që të mos ngjajë no një e pa pritur; por si do qoftë para se të dalin të burgosurit jashtë ky vendos më parë rojet dhe i ndalon këto që të mos marin kontakt me të burgosurit as edhe të mos të flasin me këta në këtë kohë; nuk lejon që të bëhen vizita të burgosurvet gjatë kohës që janë jashtë.
9)— Kur vinë vizituhësa me u takue me të burgosunit këta rinë në portën e jashtme dhe të burgosunit në portën e brendshme të burgut dhe në mes të dy portave rri një ose dy partizanë të pa armatosur që të kontrollojnë fjalimin.
10)— Gjith gjënat që do të hynë në burg duhet të kontrollohen prej personavet të caktuar për këtë shërbim (caktohen disa partizanë) në mënyrë që të mos futen vegla ose mjete që të lehtësojnë aratisjen, të porositen partizanët që të mos prekin kurgjë në mënyrë që të mos shkakëtohet humbja e ndo një sendi të burgosurit gjat këti kontrolli.
II)— Duhet të bëhet të paktën katër herë inspektimi i rojeve gjatë natës për të qënihen e tyre në vëndin e caktuar.
Ky urdhër duhet të zbatohet me një herë dhe të kontrollohet vumja e pikave të sipër shënuara në veprim.
Komandanti i Përgjith. Usht. Naci. Çli.
Xheneral Kolonel
(Enver Hoxha)
Kujto.al
——————-
Lexo edhe:
Dëshmia e të arratisurit 12-vjeçar për ferrin që kishte përjetuar në kampin e Tepelenës
ObserverKult