Bashkia Lushnje përkujtoi dje Vaçe Zelën, Artisten e Popullit, Nderi i Kombit, e lindur në një familje të thjeshtë lushnjare, që u nda nga jeta më 6 shkurt 2014 në Bazel të Zvicrës.
“Me zërin e saj të magjishëm vazhdon të ligjërojë në dhjetra këngë të muzikës së lehtë, popullore e të repertorit të huaj. Prej vitesh ajo zotëroi skenën, si një këngëtare e papërsëritshme dhe e adhurueshme për publikun. U rikthye në qytetin e lindjes, e derdhur në bronz, pranë qendrës kulturore, që mban emrin e saj. Ajo u mburr me vendlindjen e saj, sikurse dhe lushnjarët janë krenar me të”, thuhet në njoftimin e Bashkisë Lushnje.
Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret ikonë të skenës shqiptare.
Ajo kishte një zë të rrallë që për më shumë se 40 vjet hyri në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë Atdheut.
Vaçe Zela që në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë” ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Zëri dhe repertori i pasur që la trashëgimi vijojnë të mbeten gurë shndritës në gjerdanin e traditës shqiptare të këngës.
Vaçe Zela lindi në vitin 1939 në buzë të kënetës së Tërbufit në Lushnjë. Që e vogël u dallua për karakterin e saj artistik. Fillimisht u vu re dëshira e saj e madhe për të kënduar dhe për të kërcyer. Prandaj, më vonë vijoi mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të qenë në grupin e artistëve të rinj që do të përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, në vitin 1956, kur ishte vetëm 17 vjeçe. Ky ishte ballafaqimi i saj i parë me skenën ndërkombëtare. Kështu, dalëngadalë, që nga ajo ditë filloi të bëhej e njohur edhe brenda vendit. Pjesëmarrja e saj në estradën e qytetit dhe në shfaqjet nëpër mbarë Shqipërinë ishin një ogur i mirë për rrugën që kishte nisur. Në vitin 1961 filloi të ishte pjesë e Estradës së Ushtarit.
Nga këtu nisi edhe karrierën artistike në kryeqytet. Mori pjesë në festivalin e parë të këngës së lehtë në radio në vitin 1962, për të interpretuar deri në vitin 1981 në Radio- Televizion, ku u shpall dhe fituese e çmimit të parë. Studioi për art dramatik, por iu kushtua këngës së lehtë dhe këngës së përpunuar popullore. Ka marrë pjesë në 26 festivale kombëtare ku ka fituar 10 herë Çmimin e Parë.
Vaçe Zela ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit. Zërin e saj e dëgjojmë tek filmi “Në shtëpinë tonë”. Në vitin 2008, me rastin e 69-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi titullin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Gjithashtu ajo mbante edhe titullin “Artiste e Popullit”.
Numërohen rreth 55 këngë që prej fillimit të karrierës në vitet ’60 e deri në festivalin e fundit në RTSH.
Disa nga këngët që do të mbeten në kujtesën e publikut janë: “Fëmija i parë”, kompozim i Agim Krajkës, të cilën Vaçja e ka kënduar në vitin 1962 në Festivalin e Parë të Këngës, “E dua vendin tim”, “Djaloshi dhe shiu”, “Dritaren kërkoj”, “Lumi Ebro”, “Për ty o këngë”, “Manushaqja”, “Esperanca” këngë kubane kënduar po në vitin 1962 në shoqërinë e kompleksit ritmik, këngë nga filmi “Karmen”, “Një zambak i bardhë në gur” etj.
Vaçe Zela ka bashkëpunuar me kompozitorët më në zë të muzikës së lehtë shqiptare, si: Tish Daija, Agim Krajka, Kujtim Laro, Shpëtim Kushta, Avni Mula, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci, Aleksandër Peçi, Agim Prodani etj.