Ju ftojmë ta ndiqni poezinë “Poçari” të Dritëro Agollit, interpretuar nga aktori Anastas Nika.
Dritëro Agolli: Poçari
Vajta në Stamboll të bëj pazar,
për kujtim të ble një vazo balte:
– Paqe dhe selam, usta poçar,
Vazon më të mirë po e pate.
Vazoja nga dora shkau e ra
Dhe m’u bë njëzet e pesë copë,
Më erdhi rrotull deti Marmara
Dhe m’u hap dyqani turk si gropë.
Pa më shau poçari keq turqisht,
Unë e shava shqip dhe në mend i rashë;
Për çudi poçari nuk u ligsht,
Veç dy lot në sytë e kuq i pashë.
Me sytë gjithë lot, ra në gjunjë,
U lut dhe u ngrit,
Më puthi duart,në qafë m’u hodh.
Dukej sikur zjarr i lëshonin sytë.
Mos u çmend ky turk, ky musliman?
Unë e shaj, ai me duar në qafë!
Poçe tjetër mori në dyqan
Dhe më thotë: “Më shaj, për besë, prapë!”
Psherëtiu si unë: “Jam shqiptar,
Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar,
Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë.
Ikën nga dyqani burra e gra,
Unë e një poçar e tjetër s’kishte,
Vazot frynte deti Marmara,
Vazove poçari shqip u fliste.
ObserverKult
———————————————-
Kliko edhe:
“DO TË VDES I MBYTUR NË BORXHE…”, LEKA SEFLA LEXON XHEVAHIR SPAHIUN
Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lumë
a në dhomat e gazit…
I kam borxhe nënës
që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhelisit
qe s’ja hodha pjergullën,
i kam borxhe ashurisë
që i vodha të dielën,
i kam borxh krimit
që si vura emër.
Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
i kam borxhe fjalës
që s’e pashë në ëndërr,
i kam borxhe korbit
që s’ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit ’13
që s’ia mbylla plagët,
i kam borxhe ardhmërisë
që e lashë te pragu…
Poezinë e plotë mund ta ndiqni KËTU
ObserverKult