Vajza rrëfen tmerrin që e përjetuan në komunizëm: Nënës i kërkuan që të ndahet nga babai…

Mira Zaho Mëhilli tregon se si i kërkuan nënës së saj që të ndahet nga babai…Një propozim, që nëse pranohej, do prishte shumë marrëdhënie të rëndësishme dhe nëse refuzohej, rrezikonte ta vështirësonte edhe më jetën në internim…

Nga Mira Zaho Mëhilli

Koha kalonte dhe jeta në internim sa vinte e më e papërballueshme bëhej. S’mjaftonin dhimbja e pashërueshme që kishin prindërit e mi (Kristo dhe Leonora Zaho) për internimin që u ishte bërë. S’mjaftonin as vuajtjet dhe mundimet për të mbijetuar dhe për të siguruar bukën e gojës. Herë pas here, prindërit e mi gjendeshin edhe nën trysninë e presioneve psikologjike që u bënin “ata”.

Them “ata” dhe e kam fjalën për shtetin e asaj kohe. Krejt e kundërta ndodhte me banorët e fshatit Hingë, ku na internuan. Në përgjithësi ata ishin njerëz të mirë dhe shumë miqësorë me ne, por le të kthehem tek “ata”.

Si të pashpirt e të paskrupullt që ishin nuk ndaleshin në rrevanshin e tyre për të shkatëruar deri në fund një familje të rregullt e super të ndershme.

Një ditë prej ditësh në Këshillin e Fshatit e thërrasin mamin e jo babin, siç kishte ndodhur zakonisht. U çuditën të dy, megjithatë mami shkoi.

Përsëri e paimagjinueshmja, e pakonceptueshmja ndodhi. Aty kishte ardhur një i dërguar i Komitetit të Partisë së Beratit (e mbaj mend emrin e tij, sepse prindërit e mi e përmendnin shpesh). Dhe përse kishte ardhur?! Me pafytyrësinë më të madhe i kërkon mamasë (në emër të partisë) që të divorcohej me babin. “Sepse, – sipas partisë, – ajo (mami) vinte nga një familje me përbërje të mirë politike dhe partia donte që ta përkrahte atë dhe vajzat e saj”.

Kuptohet që kjo gjë e shokoi, indinjoi dhe revoltoi mamin pa masë. Ajo jo vetëm që nuk mund të pranonte, por as nuk mund të përmbahej para këtij “propozimi” të ulët e të ndyrë.

Veç të tjerash, mami njihej edhe si grua e fortë dhe kurajoze. Pa e zgjatur shumë, e neveritur për ç’ka dëgjoi iu drejtua të dërguarit të partisë me këto fjalë (i kam dëgjuar shpesh në rrëfimet e mamit, prandaj dhe s’i harroj kurrë):

“Si guxon të më kërkosh të shkatërroj familjen?! Kiçua (Kristo) është njeri i ndershëm dhe punëtor. Ai s’ka bërë asgjë, si arritët deri këtu!!!”

I la të shtangur me këto fjalë dhe e drithëruar u largua nga zyra e Këshillit të Fshatit për në shtëpi./kujto.al

—————————–

Lexo edhe:

“PASI E BURGOSËN SHTATË HERË, SIGURIMI E ZHDUKU BABANË TIM”, E BIJA RRËFEN..

ObserverKult.