reklamë

Valbona Ahmeti: Gjuha e paqes


Zogj të trembur,
të shpërndarë si fara ere
mbi hartën e një bote të panjohur

Shkolla hap dritaret e zemrës,
mbledh në folenë e saj
yje të vegjël,
të rënë nga një qiell i largët

Kira nga Ukraina,
me blunë e detit në sy,
përtyp heshtjen,
derisa një fjalë e huaj
i çel si ylber

Vajza nga Siria,
me një dridhje në buzë,
di vetëm një emër për veten
“Je suis Akacia”

Djaloshi nga Irani,
te porta e shkollës, në pritje,
në përqafimin me nënën e tij
i lutet kohës
të ndalë ikjen

Vajza nga Azia
dhe djali nga Moldavia,
si zogj shtegtarë
nga një breg në tjetrin,
me tinguj të brishtë
ndërtojnë ura
mbi detin e gjuhëve

Të gjithë kanë një arsye
në kërkim të paqes

Gëzimi i fëmijëve
është gjuha
që komunikon me gjithë botën!

ObserverKult