Vallet shqiptare, pjesë e rëndësishme e traditës dhe kulturës sonë

Në majë të shkëmbit një malësor imiton shqipen…Harta e Ballkanit, Një pamje e bukur e liqeneve, ujit të lumit dhe natyrës shqiptare. Në ekran shfaqet spikerja Nora Musha, ndërsa këngëtarët Xhevdet Hafizi dhe Drita Papajani këndojnë në një park të mbushur plot me lule. Më tej pamjet e vjetra të Sarandës në vitin 1960. Një shtëpi malësori e një vajzë që mbush ujë, por harron shaminë dhe e merr malësori. Këtu lind lufta e shpatave mes dy malësorëve, deri sa vajza i ndan. Kështu lindi dhe vallja e shpatave në malësinë e Shkodrës. Më tej vajzat tjerrin lesh, e më pas vijnë djemtë. Pamje nga kalaja e Beratit. Një grup komitësh kërcejnë vallen e tyre…

Vajzat shkojnë dhe mbushin ujë me shtamat në krahë. Vajzat kërcejnë vallen dropullite, e më pas vijnë dhe djemtë. Pamje nga lugina përreth Beratit. Kjo është vallja e Zerqanit. Delet kullosin e gratë çobane punojnë leshin e bagëtive. Kështu fillon vallja e Tropojës. Më tej në dokumentarin prej 20 minutash të Endri Kekos dhe skenar të Kin Dushit, me muzikë të Çesk Zadesë, shpalosen pamjet e Sokrat Mushës; të maleve dhe shqiponjave që fluturojnë. Vallen e shqipeve, e kërcejnë djemtë. Pamje nga bregdeti e lule të verdha në fushë. Luçije Miloti dhe Ibrahim Tukiqi, këndojnë buzë detit. Sërish e përmbyll spikerja Nora Musha e veshur me kostumin popullor. Ky ishte një copëz rrugëtim nga dokumentari i Kinostudio “Shqipëria e re” e realizuar në vitin 1960.

Rastësisht, të njëjtin emër të temës së diplomës “Vallëzimi i shqipeve” do të kishte dhe etydi koreografik që ngjizi i madhi Rudolf Nurejev, në Universitetin e Arteve të Moskës, duke bërë figuracionin e shqiponjës (si një zog i lirë), e duke e transmetuar në skenë përmes valltarëve.

Vallet lirike, janë ato që zënë kryesisht vend në folklorin koreografik. Luhen kryesisht nga gratë, më pak nga burrat ose gra e burra bashkë. Llojet e tyre janë vallet rituale (“Lule manushaqe”, Kolonje etj) ; vallet e dasmës (“Nusja jone arbërore”, Lunxhëri – Gjirokastër etj) ; vallet erotike (“Kërcimet e Logut”, Malësia e Madhe – Shkodër etj) ; vallet humoristike (“Vallja e nuses së Fajës” nga Shqipëria e Mesme), vallet pantomime (“Ojna e lepuri”, Hotolisht- Librazhd etj), transmeton ‘konica.al’.

Ndryshe nga vallet lirike, janë vallet epike që karakterizohen nga forca, burrëria, trimëria, karakteri luftarak, madhështia, etj. Luhen kryesisht nga burrat dhe më pak nga gratë, ose së bashku. Llojet e tyre janë: vallet luftarake (Loja me jatagan, Valle dyluftimi, etj) dhe vallet e trimërisë (Valle të Jugut, etj). Në disa valle shqiptare ka gërshetim të lirikës me epikën, vallet liriko-epike (“Valle bishtore e Labinotit”; Çermenikë – Elbasan, etj) dhe valle epiko-lirike (“Kërcim burrash” Hasi i Rrafshit-Kosovë, etj)

Brenda elementit kombëtar vallet kanë mjaft veçori krahinore, ku vallet e Toskërisë, Myzeqesë, Labërisë dhe Çamërisë, karakterizohen nga shoqërimi vokal-polifonik. Krahina të tjera si Lunxhëria, Zagoria etj. krijojnë edhe unitete koreografike mbi bazën e veçorive krahinore.

Vallet e Shpatit, Dumresë apo Polisit (Elbasan) dallohen për shoqërimin vokal polifonik dhe homofonik. Vallet e zonës qytetare të Shqipërisë së Mesme dallohen për shoqërimin vokalo-instrumental. Në krahinat lindore të Shqipërisë qendrore (Çermenika, Gryka e Zaranikës, Polisi, zona e Rajcës, Malësia e Tiranës dhe e Krujës, Martaneshi e Mati) bien në sy vallet e burrave dyshe të shoqëruara me curle e lodër.

Krahinat malore të Shqipërisë së Mesme e Veriore, duke përfshirë Kosovën dhe vise të tjera shqiptare, dallohen për kërcimet e grave që luhen nga një, dy ose më shumë valltare të shkëputura njëra nga tjetra me një kërcim të lirë. Në pasurinë koreografike të trevave veriore, tërheqin vëmendjen dhe vallet me emërtime të veçanta, të cilat janë karakteristike sidomos në Lumë, Malësi të Gjakovës, Malësi të Madhe, krahina e Rrafshit të Dukagjinit, Rrugovë, Drenicë, Opojë, etj.

Veçantia e valleve vërehet në motivet, formacioni dhe trajta. Motivet (mbi bazën e dyhapëshit, të trehapëshit dhe të katërhapëshit) paraqiten në tre tipe kryesore : a) dyshe, b) treshe, dhe c) katërshe.

Sipas formacionit ndahen në valle masive dhe kërcime solistike. Në vallet masive vërehen tre tipe: a) vallet në rreth të mbyllur, b) vallet në gjysme rrethi ; c) vallet në dy vija përballe njëra–tjetrës. Kërcimet solistike ndahen në pesë tipe: kërcime njëshe, dyshe, treshe, katërshe dhe kërcime në grup. Sipas strukturës dallohen kryesisht trajtat e kërcimit njëpjesësh dhe dypjesëshe.

Vallet shqiptare

Vallja e shotës është një ndër vallet më të njohura në Kosovë. Fjala “shotë” përdoret me përkëdheli për vajzat e reja, të shkathëta e të pashme. Vallja luhet në disa variante: dy gra apo vajza, një grua e një burrë (ose edhe dy çifte), dy burra etj. Është valle lirike. Luhet në të gjitha tubimet festive dhe më shumë gjatë dasmave. Shoqërohet me forma të ndryshme vokale-instrumentale.

Vallet labe të burrave shoqërohen vetëm me këngë polifonike dhe përgjithësisht emrat i marrin sipas vargut të parë të këngës. Nga përmbajtja, bëjnë pjesë në vallet epike të trimërisë. Patosi epik që i karakterizon shprehet përmes strukturash karakteristike të kërcimit dhe interpretimit. Kërcimi më origjinal i këtyre valleve është në dy grupe, në dy gjysmërrathë që komunikojnë në formë dialogu. Mbizotëron trehapëshi popullor i dyzuar. Kërcimi lidhet kryesisht me valltarin e parë, përçorin e valles (në fakt ata janë dy). Ai kryesisht e nis kërcimin shtruar, me një forcë të brendshme, pas lëvizjeve të para burrërore vjen përplasja e herëpashershme e këmbeve nga toka, uljet gjysmë të thella mbi njërën ose mbi të dyja këmbët, rrotullimet e vrullshme, përkuljet e trupit, etj. Gjerdani i valltareve që shoqëron me iso, luan me hapa të thjeshtë por të rëndë, në përshtatje me karakterin e valles.

Vallja Çamiko, është vallja e burrave e krahinës së Çamërisë. Ka fuqi të madhe emocionale dhe vlera estetike; arsye kjo që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve si të vendit, ashtu edhe të huaj, të cilët kanë folur për përhapjen e saj edhe tek grekët. Njihen disa variante që praktikohen edhe në zona të tjera të Shqipërisë së Jugut, me emërtime, kompozicion koreografik dhe shoqërim vokal-instrumental të ndryshëm. Më e popullarizuara luhet “Vallja e Isuf Arrapit” dhe “Vallja e Osman Takes”. Këto emra, gojëdhëna popullore i lidh me figura kapedanësh të Ali Pashë Tepelenës. Futen në vallet epike. Edhe kur kërcehet dyshe ose në grup, rolin kryesor e luan valltari i parë. Një ndër figurat e trupit të tij më origjinale është: ecja e lehtë, ngrihet mbi njërën këmbë, rrotullohet dhe në këtë moment, përkul trupin hark prapa, duke prekur me kokë dyshemenë, ndërkohë valltarët e tjerë kalojnë mbi trupin e tij.

Vallja Dardhare, valle grash me prejardhje nga fshati Dardhë i Korçës. Për origjinalitetin, pasurinë dhe interpretimin është bërë e njohur në mbarë vendin. Gratë valltare e luajnë në formacion gjysmërrethi, të kapura për duarsh zinxhir, duke u zhvendosur në varg nga e djathta. Shoqërohet me këngë. Një variant ka emërtimin e vargut të parë të tekstit: “25 gërsheta” (sipas traditës gratë në Dardhë i mbanin flokët e gjatë dhe i zinin gërsheta). Valltaret kërcejnë dhe njëkohësisht këndojnë, njëra ia thotë këngës, një e dytë ia pret, ndërsa të tjerat në grup mbajnë zë. Zakonisht ajo që udhëheq vallen, luan edhe rolin e marrëses së këngës, njëkohësisht “heq këmbën dhe këngën”.

Pogonishte, kërcimi e ka origjinën nga Shqipëria e Jugut. Ritmi është 2/4 dhe kërcehet i hapur dhe në formë cikli, nga njerëz të bashkuar. Stili është krenar. Po ashtu ka dhe kostume popullore për gra dhe meshkuj.

Ansambli Shqiptar

“Mbi podium kaloi një ciklion, Shqipëria…Ai ishte i lehtë si era, por nën këmbët e tij dridhej toka… Në asnjë vend të Europës sot nuk ka mundësi të dëgjosh e shikosh këngë e valle popullore kaq spontane e të gjalla e në të njëjtën kohë kaq tradicionale”.

Me këto fjalë gazeta franceze “La Depeches” nis artikullin me titull “Jashtë bie shi, kurse në skenën e teatrit tonë po shndrit një diell”. Gjithçka i kushtohej Ansamblit Popullor Shqiptar i cili në shtator të vitit 1970 mori Gjerdanin e Artë. Por, historia e baletit shqiptar është më e vjetër. Në vitin 1950 u themelua Grupi i Valleve i Filarmonisë Shqiptare, ndërsa shtatë vjet më vonë ky grup u nda duke krijuar Ansamblin e Valleve Popullore dhe Teatrin e Operas dhe Baletit. Panajot Kanaçi ngjiti në skenë baletin e parë shqiptar “Halili dhe Hajrija”. Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm e ndër krijimet më perla është “Vallëzimi i shqipeve”, një kërcim ku tek valltari dominon krahëhapja, ashtu sikurse shqiponja në fluturim.

Agron Aliaj është një tjetër korife i koreografisë. Baletmaestri i njohur interpretoi gjithmonë në rolet e para. Ai ishte një nga profesorët që për vite me radhë nxori talente të baletit shqiptar. Një disiplinë e veçantë e kërcimit janë edhe vallet popullore. E këtu nuk mund të harrohet valltari i shqipeve, Besim Zekthi. I konsideruar si një shqiponjë në skenë, ai është korife i vallëzimit shqiptar./konica.al