Vallja e fjalëve të dhimbjes te “E gjithkohshmja Andërr”

Agim Baçi

“Dy janë këshilltarët më të mëdhenj të Njeriut: Libri që flet dhe Vdekja që hesht”!
(arabe)

Donika Dabishevci nuk e moralizon dhimbjen. Nuk e ka bërë as me dashurinë. Vargu i saj është një përgjim i vetvetes, e si i tillë, nuk ka kurrfarë kufiri, përveç njërit që ajo nuk e fsheh- kufirit për të kuptuar veten e botën pa perden e frikës, edhe kur fustani që vesh fjalët vjen nga e përtejmja.

Nga Agim BAÇI*

Në fundin e poezisë së parë të vëllimit të saj poetik “E gjithkohshmja Andërr”, autorja ka vënë dy brigje të forta, që qëndrojnë bashkë edhe kur janë larg, edhe gati të pamundura për me fluturuar njëlloj;

“si pa krye-
për me e pshtue kryet”.

Mes këtyre dy vargjeve Donika sjell më pas shtëpinë e luftës, një shtëpi që mbijeton për njeriun, e jo njeriu që mbijeton sot rehatshëm për të tregu shtëpinë. Asnjë letër nuk i hyn në punë luftës. Një poezi për ta shkundur atë që ëndërrueshëm e rehatshëm kolovitet sot në shtëpinë e re, pa ditur se sa gjëra të vjetra janë aq afër mendjes së tij apo të fqinjit – e këto gjëra të vjetra s’janë askund nëpër shtëpi, përveçse fjetur në mendje, gati për t’u zgjuar.

Drejtpërdrejtë ndërtohet edhe fytyra e armikut, teksa shfaqet varg pas vargu në poezinë “T’shtana batare”. Gjithçka vjen nën peshën e kontrastit me fëmijët ngjeshun te nëna, ashtu siç qëndron vdekja ngjitur pas trupit në betejë.

Donika nuk kursen fjalët, por kalëron mbi dhimbjen duke na sjell trok pas troku të këtij kali atë që ka ndodhur pak vite më parë rreth e rrotull saj, rreth e rrotull nesh, me njerëz që ndoshta dëshirojnë të shtrihen fjetur mbi harresë, për shkak të dashurisë për të jetuar.

Ironia të shpon tejpërtej zemrën përmes vargjeve “pas masakrës”, ku gostia e atyre që ushqehen me vdekjen, vihet përballë telekomandës së televizorit që mund të ndërrohet, për mos me u ndesh me atë që njeriu e ka bërë, por që i gjalli tjetër nuk ka sy për ta parë, derisa mund të jetë vetë pjesë e asaj që as nuk mundi me e dëgju, apo me u pushtu të paktën prej pamjeve.

Donika dhimbjes i ka ndërtuar një ninullë – ninulla e së pashmangshmes së jetës. A duhet të shohim nga vdekja? A është ajo dera nga ku mund të ecim ende drejt asaj që duam për t’i ringritur?

Janë fjalë kokëlarta, të pafshehura nga metaforat, por me metafora mbërthyer për të dhënë gjithë pamjen se si rrëzohet njeriu, se si shkon dejt mosqenies për shkak të fuqisë që lufta ngre si një gardh i madh i zhdukjes, si një humenrë e gjithçkaje që njeriu e mendon si të zakonshme.

Vargjet e Donika Dabishevcit janë ftesë për t’u përballur me të pashmangshmen, sidomos nëse vjen përmes dhimbjes. Madje, ajo na fton duke e parë dhimbjen në sy, pa u tutë nga ajo që njeriu shfaq në kacavjerrjen e tij drejt ditëve të jetës. Ajo refuzon të mbyllë veshët përballë jehonës së dhimbjes që kumbon, dhimbjeve që përzihen me gjakun që herë del nga shpimi i plumbit e herë nga dhunimi i përdhunshëm.

Janë katër nëntituj që sjellin poezitë, si katër stinë. Secila prej këtyre “stinëve” të zgjon ndryshe nga e “gjithkohshmja Andërr”. Vetë autorja zgjedh të dalë përmes rikthimit te poezia, si udha e pashmangshme për të folur për dhimbjen, ashtu siç disa nëna zgjedhin të jetojnë me fëmijën e humbur prej syve, por jo kurrë prej zemrës.

Poezia e Donika Dabishevcit nuk është dorëzim i dhimbjes, e as derë e hapun për pesimizmin. Është thirrje për të mos u frikësuar kur flet për të vërtetën edhe dhimbshëm. Është një fllad fjalësh që të ngjitet nëpër lëkurë, si dashnia dhe atdheu bashkë.

Janë vargje që veç pranohen, duke e kthyer dhimbjen në një valle ku duhet t’ia mësojmë lëvizjen e ta kërcejmë plot krenari, sikur të ishte e kërkuar prej nesh. Madje, e kërkuar përmes zërit tonë që të mundemi ta kërcejmë si një melodi që vjen nga kohërat dhe në kohëra do vazhdojë.

*Fjalë e mbajtur në përurimin e librit “E gjithkohshmja Andërr”, më 3 qershor 2024, në Tiranë

ObserverKult