Nga: Prof. Dr. Shpresa Hoxha
Monografia “Vargnim Gjakove” e hartuar nga autorja Dr. Migena Arllati është një përmbledhje e thellë për poetët eminentë gjakovarë dhe të rrethit të saj. Botimi në fjalë është jo vetëm një arritje e bukur por edhe një punë fisnike në këtë kohë ku antivlerat kanë marrë përmasa “ulëritëse”.
Na është e njohur se Gjakova ka pasur fatin për të hapur Shkollën e parë shqipe pas LNÇ, me ndihmën e mësuesit Demush Taha – Gjakova, i ndihmuar më pas nga Ernest Koliqi i cili solli nga Shqipëria mësues të tjerë për të ndihmuar arsimin shqip në Kosovë. Dihet se të shkolluarit kosovarë, kryesisht vinin nga Shqipëria, përkatësisht Normalja e Elbasanit dhe nga shkolla të tjera. Mbase kjo qe një ndihmesë e madhe për shkollimin e kosovarëve dhe për të zgjuar ndjenjën e poezisë tek poetët e vyer gjakovarë, të cilët thurën poezi prej temave më të ndryshme.
Autorja Migena Arllati ka bërë një përzgjedhje të duhur dhe të denjë të poetëve gjakovarë, duke i renditur me radhë, filluar nga shekulli XVII dhe deri në ditët e sotme. Janë dhënë informacione lidhur me jetën dhe krijimtarinë poetike të tyre, si edhe ca poezi gjithashtu për secilin, të ilustruara me fotografi të simboleve, objekteve dhe të autorëve. Ndarja e bërë në katër kapituj, hapet me një parathënie nga vetë Dr. Arllati: “Poezia ka fuqinë e lirisë”, ku ajo me shumë intelekt paraqet qëllimin, përkushtimin dhe realizimin e vëllimit të cilin do ta quaja një vëllim solemn.
Fillimi me autorë të vjetër (prej vitit 1680), kryesisht klerikë fetarë, përfshirë edhe Shenjtoren tonë, Gonxhe Bojaxhiu, ka një rëndësi të veçantë se tregon lashtësinë e kulturës dhe shpirtin lirik të popullit tonë. Kjo përforcohet edhe me shënime të shkurtëra por kuptimplote për autorët.
Renditja e krijuesve është bërë sipas vitit të tyre të lindjes. Kreu i parë përfshin periudhën 1920 – 1940 dhe hapet me vargjet e Anton Çettës i lindur në vitin 1920. Në kreun e dytë janë paraqitur poetët nga viti 1941 – 1960 dhe hapet me vargjet e Shyqyri Nimanit i lindur në vitin 1941. Në të tretin, periudha 1961 – 1980, prin poeti, dëshmor i luftës së fundit, Gaspër Karaçi dhe së fundi në kapitullin e katërt, 1981 – 2010, kanë zënë vend poetët e rinj ku prin poetja dëshmore, Yllka Domi.
Me këtë vepër i takon nder dhe respekt i thellë autores Arllati, në punën me kriter të lartë profesional të bërë për prezantimin e denjë të poetëve e poeteve gjakovare, ku bën pjesë edhe ajo vet me veprimtarinë e saj letrare si dhe punëtore e denjë shumëvjeçare e arsimit në Gjakovë.
Vëllimi luksoz me rreth 300 faqe, i titulluar me një gjetje të veçantë leksikore – artistike: “Vargnim Gjakove”, është jo vetëm një arritje e bukur por edhe një punë fisnike në kohën kur antivlerat kanë marrë përmasa “ulëritëse” dhe ku pa të drejtë fitojnë vëmendje shkrime sipërfaqësore e zbrazëtie. Autorja Arllati qëllimshëm kthen vëmendjen në fuqinë e madhe shpirtërore të fjalës së bukur poetike!
Sikurse pohon vetë autorja e botimit, kjo punë u kurorëzua në kuadër të 60-vjetorit të Mitingut të Poezisë në Gjakovë dhe në kuadër të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Një vëllim ku autorja vulos sharmin, elegancën dhe intelektin e saj.
ObserverKult
Lexo edhe:
MBRËMË NË GJAKOVË U PROMOVUA LIBRI “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” E DONIKA DABISHEVCIT