
Në vazhdën e aktiviteteve kulturore në “Burgun e Idealit”, në Prishtinë, me qëllim të ruajtjes së vetëdijës kolektive, për të kaluarën, jo të largët të popullit tonë, të enjten, më 16 prill, do të hapet ekspozita e piktorit Mentor Berisha me tutullin krijues “Eferveshenca kolektive”.
Të rralla janë ngjarjet historike që në një hark kohor aq të shkurtë të përballë një popull, me aq situata ekzistenciale, siç janë vitet e 80-ta dhe 90-ta të Kosovës në të cilat popullit i duhet të shfaqë një eferveshencë kolektive aq të fuqishme! Por çka paraqet në të vërtetë Eferveshenca kolektive? Piktori Berisha përmes një serie ciklesh në pikturë, të pasqyruara në katër pamje reflekton konceptin e “Eferveshencën”, si mobilizimin, si gjallëri, si kohezion popullor përgjatë viteve të 80-ta, dhe 90-ta , duke shqyrtuar çastet kyçe të vetëdijes e historisë kolektive shqiptare në Kosovë.
E frymëzuar nga koncepti i sociologut francez Émile Durkheim, kjo ekspozitë shpalos tensionet, kujtesën dhe energjinë e përbashkët të trupave në lëvizje, nga Demonstratat e Vitit 1981, te Greva e Minatorëve të Trepçës (1989), nga Falja e Gjaqeve (1990) te Eksodi i Luftës (1998-1999), cikle këto që ndërtojnë një hartë vizuale të shpërthimeve kolektive, aty ku popullsia shfaqet si eferveshencë, bujë e prani e pakontrollueshme. Tablotë paraqiten si “kuvende plastike”, hapësira ku ngjyra, ritmi dhe përsëritja shndërrohen si gjuhë e përbashkët që kërkon vendin e vet në histori.
“Të katër ciklet vizatojnë një unitet qarkor, pa orientim të veçantë, dhe secilit shikues i takon të ndërtojë rrugëtimin e vet midis tyre për të shpalosur ritmin e historisë”, pohon kuratori i ekspozitës, Orgest Azizi.
Më tej Azizi thekson se “Logjika e pikturës është plastike dhe, nëse i besojmë leximit tonë, përkimet jehojnë më shumë mes ngjyrave, ritmeve, tensionit të rivizatuar çdo herë ku një masë – e dhënë, e mohuar, në ardhje – tenton t’i bëjë vend vetes, të marrë dhenë që i takon nga dheu kontingjent ku gjendet.”
Piktura e Berishës lëviz mes abstraksionit dhe figuracionit, mes errësirës dhe shpërthimit të dritës, duke e kthyer tablonë në një vend/takim; në një “odë” vizuale ku historia dhe përjetimi kolektiv rizgjohen.
Këto lloj aktivitete artistike duke filluar nga ekspozitat, instalacionet, dokumentariteti e deri tek leximet skenike, shfaqjet teatrale dhe filmave, promovimi i librave mbi të kaluarën e dhunshme, si dhe rrëfimeve historike kanë shtuar dukshëm numrin e vizitorëve vendas dhe ndërkombëtarë në Burgun e idealit.
Ekspozita do të hapet të enjten në ora 19.30 në ndërtesën e ish-Burgut të Prishtinës./Afrim Demiri
Lexo edhe:






