Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Shqipëri, në emisionin “Kjo Javë” në News24, duke folur për figurën e gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare, tha se ky ka qenë një muaj reflektimi, referuar ndarjes nga jeta të shkrimtarit.
“Kadare ka një shprehje në një nga librat e tij ku thotë: çdo ngjarje madhore, çdo histori që ndodh në jetën e njeriut, përpara se të vijë dhe të bëhet konkrete ajo jep shenjat e saj, në forma të ndryshme. Ndoshta ne që ishim pranë tij mund t’i shihnim këto shenja, por janë nga ato shenja që ndoshta s’do ti shohësh”, tha Bardhyli.
Në vijim, ajo tha se “në një nga takimet e fundit kisha në dorë librin “Pasardhësi” dhe teksa po bisedonim për këtë vepër të jashtëzakonshme të Kadaresë, dikush më kishte kërkuar një autograf prej shkrimtarit, dhe në momentin që i jap librin për të më dhënë një autograf për një kolegen time, i them z. Kadare më shkruaj diçka mua dhe ai më la një shënim dhe në momentin që lexova shënimin u trondita. Ishte si një lloj ndarjeje, por nuk e mendoja që do të ishte ikja”, tha Bardhyli.
Në vijim ajo tha se ikja e Kadaresë ishte një ngjarje e trishtë për kulturën botërore, ishte i vetmi klasik i mbetur i gjallë.
“E ktheu kulturën shqiptare në një përmasë universale, e orientoi përmes vlerave të gjuhës, drejt një qasjeje thellësisht europiane, i dha shumë Shqipërisë dhe kjo është vlera më e madhe dhe e papërsëritshme që i dha kulturës shqiptare”, tha Bardhyli.
Lidhur me debatin se ku do të prehej Kadare, Alda Bardhyli tha se do të donte të shihte debatin në një kontekst tjetër dhe këto debate lindin në shoqëri të niveleve të larta./BW
ObserverKult
Lexo edhe:
BESIANA KADARE: JANË HAPUR PROFILE TË RREME NË EMËR TË BABAIT DHE NËNËS TIME, BOTOJNË MARRËZIRA