Vdekja e Kadaresë/ Skulptori Muntaz Dhrami: Sikur e parandjeva, nisa t’i bëj një monument

Skulptori Muntaz Dhrami e kujton me lot në sy mikun e tij Ismail Kadare, me të cilin ka kaluar fëmijërinë në qytetin e Gjirokastrës. Në një intervistë për “Jetë Shqiptare” në RTSH, Dhrami tregon takimin e fundit që ka pasur me të kur Kadare i kishte vajtur në studio ku skulptori po punonte me një projekt monument për shkrimtarin e madh.

“Sikur e parandjeva” shprehet Dhrami, ndërsa shton se dhimbja është e madhe dhe nuk priste që largimi nga jeta i Kadaresë të ndodhte kaq herët.

“E kam të vështirë të përmbledh të gjithë atë hidhërim për humbjen e Kadaresë. Në radhë të parë si një personalitet i kulturës dhe më pas si një gjirokastrit kemi qenë në një lagje në një klasë. Kohët e fundit fillova të bëj një projekt monument për Ismailin, sikur e parandieja. Unë po punoj për një tjetër skulpturë të Lasgushit të ulur te Liqeni Artificial dhe kur më erdhi një ditë në studio më tha “këtë e ke më të mirë se atë tjetrin”. Aty biseduam gjatë për këto gjëra por të mbeten disa pengje në një rast të tillë se nuk e prisja të ikte kaq shpejt. Prisja të filloja punën me të në studio, por këtë nuk e dinte”, tha Dhrami.

Për skulptorin, Gjirokastra do të kërkojë një monument për Ismail Kadarenë në mënyrë që të mbetet përjetë në mendjen e njerëzve.

“Gjirokastra do kërkojë një monument të Kadaresë. Nuk e përmbledh dot në dy fjalë. Iku vërtet ai por në zemrat e njerëzve dhe në mentalitetin e njerëzve do të qëndrojë. Gjirokastra vajton si e gjithë Shqipëria”, tha Dhrami.

Mes duartrokitjeve, nderimeve dhe përkuljeve para arkëmortit të tij, Ismail Kadare dje është përcjellë për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës me ceremoni shtetërore./rtsh

ObserverKult


Lexo edhe:

MEHMET KRAJA: KADARE DHE KOSOVA