Prenk Jakova, kolosi i muzikës shqiptare që i dha fund jetës tragjikisht

Para 55 vitesh, më 16 shtator 1969, u nda nga jeta themeluesi i gjinisë së operës kombëtare shqiptare, Prenk Jakova. Kompozitori i njohur shkodran lindi më 27 qershor të viti 1917 në një familje jo vendase, por me prejardhje nga Gjakova.

Prenka ishte i biri i Kolë Jakovës, dhe një burim artistësh që në prejardhjen e tij, nga vendburimi. Në tërësi Prenk Jakova është njohur si arsimtar, muzikant dhe kompozitor. Që në shkollë u bë anëtar i bandave muzikore të shkollës dhe madje nisi të aktronte në shoqëritë teatrore Bogdani dhe Vllaznia. Në moshën 18-vjeçare Prenga u caktua drejtor artistik i bandës së shkollës, ku luanin asokohe të vegjlit Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni dhe kompozitorë të tjerë të ardhshëm shqiptarë. Me një punë këmbëngulëse e vullnet të fortë, Prenk Jakova në vitin 1956 do të fillonte të hidhte në partiturë notat e muzikës që kishte në imagjinatën e vet.

Të gjitha punimet mbasi i kalonte në piano, çdo pasdreke deri natën vonë, i konsideronte të përfunduara. Kompozitori ishte shumë i vendosur dhe këmbëngulës për ta çuar punën deri në fund, ashtu siç e kishte programuar ai vetë dhe në maj të vitit 1958, ai ia doli që të vërë në skenë operën “Mrika” nga kompozitori i madh, Prenk Jakova. Vepra “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Ndërsa këngët e tij “Syrin si qershia” dhe “Margjelo” janë më të njohura, edhe pse kanë kaluar dekada që kur kompozitori shkodran i shkroi veprat e tij, ato vazhdojnë të dëgjohen.

Suksesi i madh i Prenkës me vënien në skenë të operës së parë shqiptare, “Mrika”, ku asistoi vetë Enver Hoxha në shfaqjen që u dha në Tiranë në Institutin e Lartë të Arteve, do të pasonte me suksese të tjera. Enver Hoxha e përgëzoi për atë punë kolosale që kishte bërë dhe i kërkoi të bënte dhe një opera tjetër për Skënderbeun, dhe Prenka do t’i përgjigjej: “Shoku Enver, operat nuk janë si bukët që i fut në furrë…”?! Por edhe pse i dha atë përgjigje Enver Hoxhës, Prenka iu vu punës dhe e shkroi operën “Skënderbeu”, por kur e solli në Tiranë për t’ia miratuar, i sollën shumë pengesa duke i kërkuar të hiqte disa pjesë prej saj, gjë të cilën ai nuk e pranoi dhe do të kishte një ndikim të madh tek ai.

Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh dhe Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës. Më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë. Veprimtaria muzikore që la kompozitori Prenk Jakova është shumë e pasur dhe konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat. Si për virtuozitetin e tij, ashtu edhe për veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.

Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur. Ajo përfshin dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat. Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare të të gjitha kohërave.

SUKSESI

U lind më 1917 në një familje qytetare me prejardhje nga Gjakova, i biri i Kolës së Dedë Jakovës. Gjyshi i tij, Deda, qe i dhënë pas muzikës dhe i binte klarinetës në Kolegjin Saverian. I ati, Kola, qe pjesëmarrës dhe organizator në frontin e Luftës së Koplikut. Prenka kishte edhe dy vëllezër, Dedën dhe Çeskun, që do të bëheshin fotograf dhe muzikant përkatësisht. Jakova ndoqi shkollën fillore në vitet 1924-1929 në shkollën Skenderbeg, dhe më pas vijoi në liceun Illyricum në qytetin e lindjes, ku ndër të tjerë i dha mësim edhe Át Martin Gjoka.

Gjatë shkollimit të mesëm, kaloi nga liceu në gjimnazin e përgjithshëm të Shkodrës, të cilin e kreu më 1935. Gjatë shkollës qe anëtar i bandës së shkollë dhe me nxitjen e të atit nisi të aktronte në shoqëritë teatrore Bogdani dhe Vllaznia. Më tej banda e shkollës u shndërrua në bandën e qytetit dhe Jakova qe klarinetisti i saj. Gjatë kësaj periudhe Jakova nisi të shkruante motive muzikore mbështetur në motivet e këngëve popullore të mirënjohura, ndër të cilat “Delja rudë”, “Hajredini”, “Besa e një trimi” dhe “Shkoj e vi flutrim si zogu”. Kur qe 18 vjeç u caktua drejtor artistik i bandës së shkollës, ku luanin asokohe të vegjlit Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni dhe kompozitorë të tjerë të ardhshëm shqiptarë. Jakova nisi të kompozojë marshe dhe kantata. Më 2 janar 1936 u dërgua që të jepte mësim në Bërdicë, ku dha mësime muzike dhe për vete nxuri kitarën. Përgjatë verës së 1939 bleu një fizarmonikë dhe mësoi t’i binte edhe asaj; vjeshtën e po atij viti u caktua që të jepte mësim në internatin e Oroshit, ku shkroi një pjesë muzikore për fizarmonikë të titulluar “Malli” dhe më pas “Fyellin e bariut”.

Më 1940 Jakova u transferua në Shkodër, ku shkroi pjesë muzikore për fëmijë dhe operetën me dy hapje Kopshti i Xhuxhmaxhuxhëve. Vitin shkollor 1941-42 Jakova u caktua që të jepte mësim në Katërkollë të krahinës së Krajës, sot në Mal të Zi. Më 1942 shkoi të studionte klarinetë në Akademinë Kombëtare të Shën Çiles në Romë, studime që i përfundoi shkëlqyeshëm. Fundi i vitit 1944 e gjeti Jakovën mësues po prapë në Shkodër, më tej e morën për të ndihmuar në aktivitetet që bënte kori i Brigadës I Sulmuese në Shtëpinë e Rinisë, ku Jakova u caktua përgjegjës. Në atë periudhë Prenka u arrestua dhe u mbajt në hetuesi për shkak të vrasjes së vëllait të tij duke luftuar kundër partizanëve komunistë. Me grupet e amatorëve, instrumentistëve, solistëve dhe korit që kishte në patronazh, Prenka dha shfaqe jo vetëm në Shkodër, por edhe në Ulqin, Cetinjë e Titograd.

Vepra “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Opera e dytë e Prenk Jakovës, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithsesi vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më solide se “Mrika” e cila vuante fatkeqësinë e subjektit dhe tematikës së artit skematik, ku duhet të frynte patjetër era revolucionare e kohës së absurditetit. Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë. Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit.

Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë. Ndërkohë i vëllai i Prenkës që ishte në moshë të re, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori pjesë në lëvizjen shqiptare nacionaliste, dhe me ardhjen në pushtet të komunistëve u detyrua të merrte malet. Për shkak të vëllait, i cili kërkohej, komunistët arrestojnë Prenk Jakovën dhe e mbajnë disa kohë burgjeve. Ndërsa Prenka, që nuk kishte ushtruar kurrfarë veprimtarie veç detyrës së tij si mësues, lirohet shpejt nga burgu, fati i të vëllait do të ishte tepër tragjik. Kapet nga komunistët dhe pushkatohet pa mëshirë. Prenk Jakova ishte një artist i madh, që me gjithë tragjedinë, dhe dhembjen që kishte, arriti të mbijetonte dhe të shkruante duke iu imponuar regjimit monist me forcën e gjenisë së tij. Me gjithë karrierën e tij të suksesshme artistike, për të cilën fitoi respekt e admirim nga artdashësit shkodranë, fundi i Prenkës do të ishte disi i ngjashëm me atë të vëllait të ekzekutuar, sepse duke mos e duruar dot mjedisin përreth tij, duke e parë veten në një gjendje pesimizmi të pashpresë, ai zgjodhi rrugën e vetëvrasjes, pikërisht në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, pikërisht në atë institucion ku ai kishte punuar e shkruar një jetë të tërë.

VDEKJA TRAGJIKE

Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operës së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun. Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezentë në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: “Po mor shoku Enver, por puna e operës nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë”.

Pas përgjigjes së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t’i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën “Skënderbeu”, kujton ish-funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkë Jakovën. Pas atij takimi, Prenka iu vu punës duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha. Ai e shkroi të gjithë muzikën e operës “Skënderbeu” dhe për disa muaj me radhë u mor vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për shikimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin.

Prenka refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë gjë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit. Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenka kishte nënën e tij të paralizuar në shtëpi, gjë e cila ia rëndoi së tepërmi gjendjen e tij nervore. Nisur nga këto strese që iu paraqitën, më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës.

Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë. Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat. Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.

ObserverKult


Lexo edhe:

PRENK JAKOVA:”PO MOR SHOKU ENVER, POR PUNA E OPERAS NUK ËSHTË SI BUKËT QË I FUT KUR TË DUASH NË FURRË”