Skënderbeu: Të qëndroni bashkë si dengu i thuprave

Brizida Gjikondi

Përgjatë viteve 1967-1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në shtypin shqiptar, historianët, akademikët dhe figura të spikatura të kohës botuan punimet, ekspertizat, arkivat, përkthimet dhe mbledhjen e informacioneve dhe traditave në lidhje me figurën e Skënderbeut.

Më poshtë janë një pjesë e këtyre punimeve – disa si produkte personale të personaliteteve të kohës, disa si gojëdhëna dhe tregime të mbledhura ndër shqiptarë dhe zona të ndryshme të vendit.

Skënderbeu, simbas legjendave popullore, me “tefterët” e tij u ka lënë porosi shqiptarve se si të veprojnë e të luftojnë pas vdekjes së tij.

Punën e këtyre ‘tefterve” e kam konstatuar para 32 vjetësh (Dhosi Liperi) në Mat: Më kanë folur disa pleq të cilët e quanin fatkeqësi të madhe humbjen e tyre.

– “Të qëndroni të bashkuar si dengu i shufrave” është porosia e fundit e Skënderbeut , për bashkatdhetarët e tij.

Populli shqiptar e qau dhe vajtoi prijësin e tij dhe mbajti zi për të. Gjatë pesë shekujve, gjer në ditët e sotme (shkurt 1967), këtë zi ai e manifeston me veshjen e tij karakteristike për burra e për gra.

Legjendat e mëposhtëme janë mbledhur në Mat para tridhjetë vjetëve. Po i japim të shkruara ashtu si i kanë folur pleqtë që i kanë kallëzuar.

Dhosi Liperi. Shkurt 1967

Tefteret

Skënderbegju ka pas lanë tefterët e vet në sanuk ke shtëpia e memeut (Memeollit) në Shlle, se ka kjanë Llalla i Skanderbegjut.

Ali Zejneli, Mat 1934.

Armët, Tokës, Amanet.

Skanderbegju shpatën prej alltani, fren’ e kalit, shalën e kalit prej alltani e rrobët prej alltani, yëft të xhitha, i ka lanë në Çafë të Buellit me njëa shpellë çi merr terma-terma mënej teposhtë-teposhtë, apet m’atë tarma-tarma, njer m’atë shpellën e mrame.

Po s’un vej kush me i marrë, se Skanderbegju ka baë tollsun, tollsun çi domethanë duva e fortë; se ja ka ba amanet tokës. I tha Skanderbegju tokës: “Të kam dhanë amanet kët xha, me ia dhanë xhinsit tem” Es’un marr dot kush.

Ali Zejneli, Mat, Shtator 1934.

***

Këshilla e Mrame

Kur ishte semunë Skanderbegu, si e kemi me të nigjume, i thirri gjith ata parësin e ti e ata “Dum me na lanë nji fjalë” i thanë, Ç’fjalë po na len ?

Ai u thotë, shtini duert në brez të shoqi shoqit, çi të mani njani tjetrin e mos tu çajnë bota. Ene ka çitë Skanderbegu nji robe e ka çue me marrë nji deng shufra.

Ai vojti i pru shufrat e Skanderbegut ja dha ati çi kishte për nën vedi, çi kishte qanë ma i pari i gjygjit ti, për me e thye dengun me shufra.

Ai s’un e theu. i thotë Skanderbegu : Epja tjetrit. Ene tjetri s’un i theu. Ti marrin të gjithë pa le munt t’i thyejnë. Ene i muerën e asnji s’un i theu. Mrapa qiti nji shufër të vetme ja dha ati të parit të parisë. Ai e muer e theu.

Ene u dha të gjithë ka nji e ata i thyen. U ka thanë manej Skanderbegu “ në mujçi me çinrue tok si dengu i shufrave, s’ju ka për t’ju thye njeri; në u bafshi nji-ka-nji, do tju thyejnë si këto shufrat që thyet ju ka-nji ka-nji.

Destan Gjoni. Martanesh 1930

***

Zija

Xhithë xhinja u mblodhën në Fushë të Kruës e banë nexhilit të math, çë ç’të bajmë ne për punë të Skanderbegjut. “Do t’i nrojmë rrobet ç’i kemi pasë të bardha e t’i bajmë të zeza, për zi të Skanderbegjut” kanë thanë.

E qysh m’atë kohë njer në këtë sitë soët na kanë metë xhoket e zeza për burrat ene stravecet e zeza për gjratë.

Veçse stravecet Matja i hoç e i ka majtë vetëm Merdita. Na thekët e zeza i kemi në xhoket për zi të Skanderbegjut.

Ali Zejneli. Mat, Shtator 1934.

ObserverKult


skënderbeu
Gjergj Kastrioti- Skënderbeu

Lexo edhe:

PËRSE GJONI, DJALI I SKËNDERBEUT, SHKOI NË HIMARË PAS VDEKJES SË BABAIT?

Historiani Pëllumb Xhufi i ftuar në emisionin “Shqip” në Dritare TV, ka folur për Himarën e kohën e Mesjetës.

“Ishte pjesë e një treve, ajo e Labërisë e cila përfshinte rreth 60 fshatra, ku zemra ishte Himara. Historia e Mesjetës së kësaj treve të Labërisë nuk mund të kuptohet pa Himarën. Himara ka qenë qendra e kryengritjeve.

Mjafton të kujtojmë një fakt. Mbas vdekjes së Skënderbeut, djali i tij Gjoni erdhi sepse e thirrën banorët e Himarës. Ai shkoi bashkë me dy kushërinj të tij. Dhe u vunë në krye të kësaj kryengritje.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult