Vdes aktori i serialit të njohur “Friends”

Aktori amerikan, fitues i shumë çmimeve, Ron Leibman, i njohur për rolin e tij të babait të Rachel Green në serialin e njohur “Friends”, ka vdekur në moshën 82 vjeçare.

Agjenti i tij tha se shkaku i vdekjes ka qenë pneumonia.

Ndonëse i njohur më së shumti për rolin e tij në seialin amerikan, Leibmani kishte një karrierë me shumë dekorata në televizion e filma gjatë gjashtë dekadave në këtë industri, raporton BBC.

“Roni ishte një aktor jashtëzakonisht shumë i talentuar me karrierë të dallueshme në film, televizion dhe teatër. Ngushëllojmë gruan e tij, Jessica (Walter), dhe familjen e tij”, thuhet në deklaratën e agjentit ët tij, transmeton Koha.net.

I lindur në New York më 1937, Leibman fitoi një çmim Emmy më 1979 për serialin “Kaz”, të cilin e kishte krijuar vetë ai, dhe një çmim Tony për shfaqjen e Tony Kushnerit, “Angels in America”.

Ai u shfaq në shumë filma, përfshirë “Norma Rae” dhe “Slaughterhouse-Five”.

Por roli i tij si Dr Leonard Green në “Friends” është ai që do ta kujtojnë të gjithë.