Kënga qytetare fierake ka humbur bilbilin dhe mjeshtrin e saj, Timo Lule.
Lajmin për vdekjen e artistit e dha kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi i cili shprehet se “artisti në shpirt e karrierë të gjatë i dha jetë jo vetëm këngës, por edhe artit në Fier si drejtues artistik i shtëpisë së kulturës”.
“Timo është ndarë fizikisht prej nesh, por ka lënë pas një pasuri të madhe artistike si në interpretim, ashtu dhe në përpunimin e këngës qytetare e popullore, duke i qëndruar besnik tabanit dhe traditës lokale”, u shpreh Subashi. Libri i tij, “Fieri dhe Kënga”, botuar më 2009, është një tjetër dëshmi që do të transmetojë ndër breza, bashkë me studimin në fushën e folklorit muzikor e historisë, edhe emrin e bilbilit të këngës qytetare fierake, besnikut të traditës, Timo Lule./ATSH