Vdes nga koronavirusi skulptori i njohur shqiptar

Skulptori i njohur Arben Bajo, ka humbur sot betejën me koronavirusin.

Lajmi është bërë i ditur të dielën nga miqtë e tij dhe mediat në Tiranë.

53-vjeçari prej ditësh ishte i shtrirë në Klinikën Infektive në Tiranë dhe ishte në respirator. Të shtunën, miqtë e tij kërkuan edhe dhurimin e gjakut për të, por sot vdiq.

Arben Bajo ka lindur në vitin 1967 në Gjirokastër, liceun e kreu në Fier dhe studioi për skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, (1988-1992). Ka hapur shumë ekspozita personale në Shqipëri dhe jashtë vendit.

Bajo krijoi bustin e Vaçe Zelës së ulur në një stol në Lushnje, ndërsa në dorë mban kitarën e saj.

Ka krijuar edhe skulptura tjera për personalitete shqiptare si të At Zef Pllumit në Shëngjin, Asim Zenelit në Gjirokastër dhe Lef Nocit në Elbasan.

Bajo ishte i famshëm për stilin bashkëkohor. Numëron gjithsej nëntë ekspozita personale dhe dhjetëra bashkëpunime të tjera.