Ka ndërruar jetë si pasojë e Covid 19 artisti i madh shqiptar Guljelm Radoja. Ai ka ndërruar jetë në spitalin Covid 2 në Tiranë, ku po mbahej i intubuar.
Fillimisht aktori 76-vjeçar ishte shtruar në spitalin rajonal të Durrësit, një repart i të cilit trajtonte rastet Covid, dhe më pas u soll në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ në gjendje të rënduar, në intubim.
Ai nuk ka mundur që të fitojë dot betejën me Covid, dhe është shuar në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Guljelm Radoja ka lindur në 2 korrik të vitit 1945 në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bwllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.
Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj, transmeton ‘tirananews.al’.
Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”, ndërkohë që prej vitesh jetonte në qytetin bregdetar të Durrësit.