Aktorja legjendare greke, me origjinë shqiptare, Irene Papas, e cila luajti në mbi 70 filma në një karrierë mbi 50-vjeçare, u nda nga jeta në moshën 96-vjeçare. Lajmin e ka dhënë Ministria e Kulturës e Greqisë.
Në karrierën e saj të gjatë, ajo u konsiderua një përfaqësuese e kulturës mesdhetare jashtë Greqisë, duke interpretuar role të shumta në teatër dhe kinema.
Papas, emrin e vajzërisë Irene Lelekou, lindi më 3 shtator 1926 në fshatin Chiliomodi, jashtë Korintit, Greqi.
Familja e saj u transferua në Athinë kur ajo ishte shtatë vjeç, ku, si adoleshente, ndoqi Shkollën Mbretërore të Artit Dramatik në Athinë.
Ajo filloi karrierën e saj të aktrimit në Greqi në teatër përpara se të kalonte në film në vitin 1951. Filmi i saj i parë ishte i vitit 1948 “Engjëjt e rënë” të Nikos Tsiforos.
Në vitin 1961 Pappas luajti në ‘The Guns of Navarone’ dhe në 1964 në ‘Zorba the Greek’ të Cacoyannis, që e shndërruan atë në një yll ndërkombëtar.
Një nga paraqitjet e saj të fundit në film ishte në Mandolin e kapitenit Corelli në 2001. Pappas fliste rrjedhshëm edhe italishten, duke marrë role teatrore dhe duke bërë shumë filma në vend.
Origjina shqiptare e aktores së njohur greke Irenë Papa Leleku, është kundërshtuar shpesh, sidomos nga biografët grekë. Gjatë bashkëbisedimeve që ka pasur me aktorin shqiptar Bekim Fehmiu ajo e ka pranuar origjinën e saj shqiptare.
Ndoshta ky fakt e bënte më të madhe miqësinë mes tyre.
Prejardhjes së saj shqiptare i ka kushtuar vëmendje dhe studiuesi grek Aristidh Kollia në librin e tij “Arvanitasit dhe origjina e grekëve” botuar në Athinë më 1983.
Vetë aktorja në një interevistë e pyetur se përse ishte kaq esmere është përgjigjur se: “I ngjaj nënës sime. Ajo ishte ezmere si unë. Ajo vinte nga Epiri, ndërsa im atë vinte, sipas gjasave, nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare ose gjysmëshqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë”.
Mbi 70 role në kinema dhe ekran
Për interpretimet e shquara në kinema dhe teatër, Irene Papas është nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, si: Aktorja më e mirë në interpretimin e rolit të Elektrës, në filmin me të njëjtin titull në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit zhvilluar në Selanik, 1962, si aktorja më e mirë nderuar nga Bashkimi i kritikëve të Filmit grek, 1962, si aktoria më e mirë në rolin e dytë në filmin “Z” nga New York Film Critics Circle, 1969.
Pastaj aktorja më e mirë në filmin “The Trojan Women”nga National Board of Rewiew, 1971; me çmimin Distinguished Achievement Award nga Hamptons International Film Festival (1993); me çmimin e karrierës për interpretim në Teatër, 1993 “ Flaiano” ;me çmimin e karrierës nga Madrid National Arts Institution, 2000; me çmimin e karrierës nga International Festival Women’s films, 2000; me titullin Doktor i Arteve dhe letrave nga Universiteti i Romës, 2001; me çmimin e karrierës Woman of Europe.
U nderua me titullin e nderit, si “Gruaja e Evropës”, një titull nderi grave që kanë dhënë kontribut të veçantë në civilizimin evropian.
Irene Papas u zbulua fillimisht nga regjisori i njohur Elia Kazan, ndërsa Federiko Fellini ishte një admirues i madh i veprës së saj.
Irene ka qenë edhe një shoqe e dashur e aktores tjetër të madhe me njohje ndërkombëtare, Katherinë Hepburn, me të cilën ka interpretuar në filmin “The Trojan Women” (1971).
Dikur aktorja shumë e njohur K.Hepburn, dy herë e nderuar me çmimin “Oscar”, ka deklaruar se: ”… Irene është një nga aktoret më të mira, në historinë e kinemasë.”. Një nga miqtë më të afërt të artistes, ka qenë edhe aktori i madh, Marlon Brando.
Sikurse edhe aktorja tjetër greke, e famshme në botë Melina Merkuri, ka regjistruar disa disqe që kanë marrë statusin e muzikës klasike greke dhe janë bërë shumë popullore, titulluar “Ode dhe rapsodi”, përmbajnë 15 këngë dhe himne tradicionale të Kishës Ortodokse greke, këngë nën arranxhimin e kompozitorit fitues i çmimit Oskar, Vangelis Papathanasi. Po ashtu, ka regjistruar edhe këngë të kompozuara nga Mikis Theodorakis.
E përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe: