“Vdiq i vetëm në Budapest nga tiroidet”, rrëfehet djali i “Piktori të Popullit” Guri Madhi: Si e përballoi familja lajmin

Pandi Madhi, djali i “Piktori të Popullit”, Guri Madhi ka folur si rrallëherë për të atin e ndjerë. I ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ai ka treguar se babai u nda nga jeta në Budapest, pasi shkoi të kurohej nga tiroidet.

Pandi rrëfeu se për ta ka qenë shumë e vështirë të ambientohen me këtë dhimbje kaq të madhe. Megjithatë, sipas të birit, piktori jeton ende përmes veprave të tij.

“Ka qenë shumë e rëndë për ne gjithçka që ndodhi. Nuk e menduam asnjëherë se për prindërit asnjëherë nuk mendohet e keqja, as për njerëzit e afërt. Por u vum përballë një fakti të ndodhur, shumë pikëpyetje, shumë gjëra që na vunë në dhimbje të mëdha dhe e kaluam me shumë vështirësi.

U deshën disa vite që ne të ambientoheshim me largimin e tij nga jeta. Ai vdiq në Budapest i vetëm, pavarësisht se pati njerëz që edhe e shoqëruan atë ditë dhe u kujdesën për të, por mesa duket aty ishte i shkruar fundit i tij dhe për ne familjen e tij ishte shumë e vështirë.

Ka pasur shumë enigma, por ne jetojmë me veprën e tij. Ne kemi një të mirë se kur jeton me artistin bëhesh pjesë e tija dhe jeton vazhdimisht me të. Ne flasim përditë me artistin, unë çdo mëngjes kur ngrihem, shkoj te studio e tija muze dhe e përshëndes. Më duket sikur e kam aty”, u shpreh Pandi Madhi./abcnews.al

ObserverKult


Lexo edhe:

NGA LARGIMI PREJ TEATRIT, TEK TENTATIVA PËR VETËVRASJE/ MEVLAN SHANAJ: DY FJALË PËR SANDËR PROSIN DHE PSE ASKUSH S’DI TË THOTË SI NDODHI AI ÇAST FATAL