Vdiq kompozitori i shquar, Fahri Beqiri

Ka vdekur kompozitori i shquar shqiptar dhe ish-profesori i Universitetit të Prishtinës, Fahri Beqiri.

Beqiri ka vdekur sot në moshën 85-vjeçare.

Homazhe për Beqirin do të bëhen sot në ora 15:00 te Teatri Kombëtar.

Fahri Beqiri u lind në vitin 1936 në qytetin e Mitrovicës. Rrugëtimin e tij profesional e filloi në shkollën e mesme të muzikës në Prizren për t’i vazhduar studimet në Akademinë e Muzikës në Beograd. Në vitin 1970 Beqiri diplomoi në drejtimin e kompozimit, me poemën e tij të njohur simfonike “Skënderbeu”, vepër debutuese simfonike jo vetëm për krijimtarinë e këtij kompozitori por në tërë krijimtarinë e re simfonike kosovare e shqiptare në përgjithësi.

Si përfaqësues i gjeneratës së dytë të kompozitorëve shqiptarë të Kosovës dhe ndër kompozitorët e parë profesionist në vend, kontributi i tij i menjëhershëm lidhet me punën pedagogjike fillimisht në Shkollën e Lartë Pedagogjike, ku pjesë përbërëse e saj ishte edhe Dega e Muzikës e më pas me hapjen e Fakultetit të Artit Muzikor kaloi atje dhe deri në vitin 2011 ishte i angazhuar në procesin e mësimdhënies.

Fahri Beqiri, kompozitor i veprave korale si Erdh Misiti, Migjenit, Kënga e rinisë, Madrigali i Ibrit plak, Moj e mira, Shkoj e vij flutrim si zogu, këngë këto të cilat i gjejmë edhe në repertorin e zhanreve të tjera muzikore, duke rritur edhe më tepër popullaritetin e tyre.

Beqiri kompozitori i Scherzo’s, Allaturka-s e më pas edhe i veprave si kuinteti frymor dhe sonatës për klarinetë të cilat së bashku me poemën simfonike “Skënderbeu” u emëruan nga muzikologjia kosovare si vepra me vlerë antologjike. Në tërë opusin e tij krijues, fokus kryesor Beqiri kishte transformimin kreativ artistik të idiomit kombëtar.

Krahas punës së suksesshme krijuese më vlera artistike të ngritura e të qëndrueshme në kohë, Fahri Beqiri shquhet për aktivizmin e pashoq në jetën muzikore në Kosovë.

Ishte drejtues i institucioneve më të rëndësishme të kulturës në vend, nga Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës tek Radio Prishtina e ansambli nacional i këngëve dhe valleve “Shota”. Ai është themelues i festivaleve si “Takimet e talentëve të Kosovës”, “Akordet e Kosovës” dhe “Kosovarja këndon”, kryeredaktor në Radio Prishtinë, dirigjent i korit dhe orkestrës frymore në Mitrovicë, tërë aktiviteti i tij është i lidhur ngushtë me organizimin, promovimin e muzikës në vend. Padyshim, dominimi i vlerave të trashgëmisë sonë shpirtërore dallojnë Beqirin për fanatizmin e tij të jashtzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të muzikës sonë autoktone – shqiptare dhe ngritjen e saj në nivelin më të lartë artistik.

Puna e tij pedagogjike, artistike dhe krijuese, është dekoruar me dhjetëra mirënjohje komunale, krahinore, federative dhe së fundmi është nderuar me medaljen Presidenciale të meritave si dhe çmimi kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani”.

LEXO EDHE: Vdiq këngëtari i njohur i muzikës popullore, Ismet Bogujevci