Vdiq shkrimtari i burgosur nga diktatura, Uran Kostreci

Ndahet nga jeta shkrimtari, poeti, gazetari dhe disidenti, Uran Kostreci në moshën 83-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur Shoqata Antikomuniste e Ish-të Përndjekurve.

Uran Kostreci lindi më 1938 në Sarandë. Ai u arrestua në 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet.

Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi.

Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botonte për ‘arsye biografie’.

Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime me poezi dhe një novelë.

Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty, sepse e mësoi përmendësh.

Po ashtu, Uran Kostreci ka qenë një nga gazetarët e parë dhe kryeredaktor i gazetës së të përndjekurve politikë “Liria”./ATSH

LEXO EDHE: Ndërron jetë aktori i njohur, William Smith