Vdis Duke Qeshur… në Korçë!

 Vjen si premierë në qytetin e serenatave, ditët e fundit të gushtit. Vepra e autorit Paul Elliott, me regji nga Ilir Bokshi, bashkon aktorë të njohur të teatrit të Korçës dhe artistë të tjerë.

“Vdis duke qeshur”, sjell në role aktorët: Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, Silvio Goskova e Paola Kodra.

Premiera po afron dhe vetë teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë, në faqen zyrtare, herë pas here tregon materiale për punën. Më 29 gusht, komedia shfaqet në festivalin “KokoFest” në Korçë. Veçanti është bashkëpunimi i parë me teatrin, i aktores së njohur, Luiza Xhuvani.

“Kënaqësi që do të punojmë edhe njëherë, me regjisorin Ilir Bokshi dhe aktoren, Olta Daku! Kënaqësi, që në një bashkëpunim të parë me teatrin tonë, vjen dhe aktorja, Luiza Xhuvani! Suksese edhe të rinjve tanë, Paola dhe Silvio! Skenografia: Beqo Nanaj” – shkruhet në faqe.

Shumë shpejt në skenën e teatrit të Korçës do të shfaqet komedia “Vdis duke qeshur”, me regji të Ilir Bokshit, i cili ka sjellë në skenë vepra të ndryshme. Ai studioi gjatë viteve 1993 – 1994 në Bukuresht, për Regjinë Teatrore në Akademinë e Teatrit dhe të Filmit. Ilir Bokshi ka realizuar regji të shfaqjeve anembanë teatrove shqiptare. Mes titujve të veprave të tij teatrale, kujtojmë” “Togeri i Inishmorit”, “Menaxheria e qelqtë”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Edipi Mbret”, “Ferma e kafshëve”, etj.

Në role vijnë aktorë të njohur, të vlerësuar e të dashur për publikun. Komedia bashkon edhe dy aktoret e dashura për publikun, Luiza Xhuvani dhe Olta Daku, personazhet të cilave, do të zbulohen në premierë. Zamira Kita, një prej aktoreve më të mira të komedisë, është pjesë e trupës artistike në komedinë “Vdis duke qeshur”, të Ilir Bokshit.

Kita, do të luajë rolin e Leonës, një karakter shumë i bukur, që pa dyshim, do të duartrokitet nga publiku. Institucioni shprehet se Silvio Goskova, një nga aktorët e rinj të teatrit, do të luajë një karakter sa të bukur dhe të spikatur.

“Goskova ka realizuar mjaft role me trupa të ndryshme, siç është trupa e teatrit të Metropolit, Universitetit të Arteve, teatrit “A. Z. Çajupi”, etj. I urojmë shumë suksese aktorit tonë të ri, fitues i çmimit “Aktori më i mirë për rol të dytë” në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, zhvilluar nga Ministria e Kulturës, gjatë pandemisë”, – bëhet me dije nga teatri.

Paola Kodra, një aktore e re, por e suksesshme e teatrit “Andon Zako Çajupi”, do të interpretojë rolin e Rejçellit, një vajzë plot ëndrra dhe pasione, por që ndeshet me pabesi dhe surpriza. Paola Kodra është vlerësuar disa herë në festivale të ndryshme teatrore dhe ka interpretuar me sukses edhe në skenën e Teatrit Kombëtar, apo të teatrit të Metropolit në Tiranë.

 “Vdis duke qeshur” është komedia, mes shfaqjeve të shumta artistike, të Korçës./Konica.al