Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përkujtuar nëpërmjet rubrikës ”Homazh”, shkrimtarin e përkthyesin shqiptar, Vedat Kokona, të cilin e cilësoi si një nga personalitetet më kozmopolite të letrave tona të shekullit XX.
”Na lundron me një këpucë zonjëje në dallgët e etherit. Mikrokozmosi ynë nuk i pëlqen aq shumë dhe preferon të shëtisë nëpër stratosferë në bishtin e ndonjë ylli të këputur, që vjen rrotull në vetmi pa iu bindur ligjit të gravitetit. Kur mërzitet së dëfryeri nëpër komete e yje, i ka ënda të jetojë në gjirin e nymfave e të nereidave. Pra, anakronik se anakronik”.
Duke cituar këto pasazhe nga Vedat Kokona, Rama tha se kështu e shihte vetveten me përkëdheli autori autoironik i këtyre rreshtave, kur ende nuk i kishte mbushur të tridhjetat.
”I lindur 107 vjet më parë në Izmir të Anatolisë, në një familje kadilerësh prej Gjirokastre, Vedat Kokona ishte edhe një nga personalitetet më kozmopolite të letrave tona të shekullit XX”.
Postimi i plotë
Vedat Kokona «na lundron me një këpucë zonjëje në dallgët e etherit. Mikrokozmosi ynë nuk i pëlqen aq shumë dhe preferon të shëtisë nëpër stratosferë në bishtin e ndonjë ylli të këputur, që vjen rrotull në vetmi pa iu bindur ligjit të gravitetit. Kur mërzitet së dëfryeri nëpër komete e yje, i ka ënda të jetojë në gjirin e nymfave e të nereidave. Pra, anakronik se anakronik”. Ja kështu e shihte vetveten me përkëdheli autori autoironik i këtyre rreshtave, kur ende nuk i kishte mbushur të tridhjetat.
I lindur 107 vjet më parë në Izmir të Anatolisë, në një familje kadilerësh prej Gjirokastre, Vedat Kokona ishte edhe një nga personalitetet më kozmopolite të letrave tona të shekullit XX. Sot ai fle në paqe mbi dafinat e merituara të Urdhërit të Arteve dhe Letrave e mbi Palmat Akademike, me të cilat u nderua nga Franca mirënjohëse, mëma e arteve dhe e letrave siç e quante i madhi Ronsard. Natyrë e parapjekur, “précoce” siç do ta thoshte vetë në frëngjishten e tij sublime, Vedat Kokona, i pajisur me një “bac philo” nga Liceu i Korçës dhe një diplomë në drejtësi në Paris, u ushqye nga kultura franceze, por si gjirokastrit i mirë nuk ia fali asaj të tërë pjesën e luanit. Shkruajti në shqip romane, poema dhe artikuj, përktheu vepra botërore nga anglishtja dhe rusishtja, e u dhuroi lexuesve të huaj, në gjuhët e tyre, thesaret e Naimit, Nolit, Lasgushit e me radhë.
Themelues i Revistës Letrare, me Kutelin e të tjerë, Vedat Kokona ishte mëkuar qysh i ri nga universi i paanë i fondeve leksikore, e kësisoj ky fanatik i Larousse-it numërohet sot mes hartuesve më të suksesshëm të disa fjalorëve dhe metodave të artit të të shkruarit, sikundër edhe një nga pedagogët më të admiruar nga brezat.
Mjafton edhe vetëm kjo foto e këtij princi të gjuhëve, për t’u joshur në zbulimin e jetës së tij romaneske dhe zhytyr në leximet e letrave që ai la në thesarin e kulturës sonë.