Veliaj: Gjatë verës do përfundohet projekti, në shtator nis ndërtimi i Teatrit të ri

Në shtator Teatri Kombëtar i shembur në orët e para të mëngjesit të 17 majit, pritet të kthehet në kantier ndërtimi.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se e gjitha vera do të shërbejë për detajimin e projektit për teatrin e ri, në mënyrë që vjeshta të shënojë edhe nisjen e punimeve.

Në shtator Teatri Kombëtar i shembur në orët e para të mëngjesit të 17 majit, pritet të kthehet në kantier ndërtimi. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se e gjitha vera do të shërbejë për detajimin e projektit për teatrin e ri, në mënyrë që vjeshta të shënojë edhe nisjen e punimeve.

“Sheshin Skënderbej e bëmë bashkë, pas vitesh të tëra debati. Po ashtu edhe Liqenin, që kishte vite të tëra që as nuk riparohej Amfiteatri, as nuk çlirohej pjesa e dytë e zaptuar. Bashkë e bëmë Pazarin e ri, i cili ishte zhytur në lluc e në minj, por doli në dritë! Sot është bërë një nga vendet më të bukura. Bashkë e bëmë Kalanë, pjesën e parë, do vazhdojmë me pjesën e dytë. Pavarësisht se na u hodhën në fyt, ato dolën në dritë dhe po shijohen edhe nga njerëzit, ka jetë. Bashkë bëmë edhe Bulevardin e ri, aty ku do jenë lagjet e reja të Tiranës dhe Tirana e 100 viteve që do të vijnë. Bashkë bëmë stadiumin; kush do e mendonte që stadiumi i Shqipërisë do ishte stadiumi më i mirë në Europën Juglindore që në vitin e parë dhe do të shitej çdo biletë, jo vetëm për ndeshje ndërkombëtare, por edhe për ato lokale. Sigurisht, bashkë do të bëjmë edhe Teatrin. Do të fillojmë shumë shpejt nga puna. Arkitektët do të shfrytëzojnë kohën e pushimeve, që të detajojmë projektin, pastaj kur të rifillojë jeta në shtator, të kemi filluar edhe atë kantier të ri,”- u shpreh ai.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit mbështetur në protesta edhe nga opozita joparlamentare, e ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion  shembjen e teatrit si të paligjshme dhe ka kërkuar që derisa drejtësia të flasë, të mos bëhet asnjë veprim i mëtejshëm me Teatrin kombëtar. Pritet të shihet nëse deri në muajin shtator do të kenë përfunduar apo jo hetimet, dhe se cili do të jetë veprimi i Aleancës me nisjen e punimeve.

Këto deklarata kreu i bashkisë së Tiranës, e dha teksa i dhuroi çelësat e shtëpisë së re familjes Kalleshi në Pezë Helmës, që pësoi dëmtime nga tërmeti I 26 nëntorit. Veliaj tha se javën tjetër do të nisë puna për rindërtimin e mbi 800  shtëpi të tjera të dëmtuara. “Premtuam se festa e Bajramit do të na gjente me shtëpinë e re, dhe falë miqve si Visari, kjo u bë e mundur në kohë rekord. Por, lajmet më të mira do t’i kemi javën tjetër, me ndërtimin e 870 shtëpive të reja, sapo të mbarojmë me të gjitha procedurat për ofertat. Mandej, do të shpërndahemi në të gjithë territorin që të shfrytëzojmë kohën gjatë verës. Një gjë është e sigurt, kur ne shqiptarët punojmë bashkë bëjmë gjëra të mrekullueshme,”-u shpreh Veliaj.