Erion Veliaj: Këtë javë shpallim fituesin e garës për Teatrin e ri Kombëtar, nisim punën për një godinë që do jetë aty 100 vitet e ardhshme

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë artistët dhe qytetarët. Në prezantimin e buxhetit 2023 me banorët e Njësisë 1, Veliaj tha se këtë javë pritet të shpallet fituesi për garën e Teatrit të ri Kombëtar.

Sipas tij, me gjithë kundërshtimet dhe ndërhyrjet e politikës kundër këtij projekti, Teatri i ri Kombëtar së shpejti do të jetë një realitet, sidomos për artistët dhe të rinjtë e kryeqytetit. 

Këtë javë përfundon gara për Teatrin e ri Kombëtar. Është një nga projektet që u politizua më shumë, në një vend ku xhanëm është politizuar gjithçka: U politizua këndi i lodrave, u politizua Kopshti Zoologjik, sheshi “Skënderbej”, “Pazari i Ri”, kështu që edhe Teatri i Ri nuk i shpëtoi.

Çështja është kjo: A i takon gjeneratës sonë, Kryeqytetit Europian të Rinisë, të shkojë me batanije në dimër në teatër, apo me peshqir në verë? Është pa kuptim! Kishte tre vjet që nuk jepej asnjë shfaqje!

Kishte që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, që nuk kishte ardhur një trupë e huaj të jepte një shfaqje, se godina ishte në një gjendje të degraduar.

Për sa kohë që e kishte ezauruar funksionin e saj – unë edhe sot e kësaj dite i qëndroj atij vendimi – besoj se morëm vendimin e duhur për të hequr një karakatinë tallashi.

Këtë javë do të kemi shpalljen për fituesin dhe do fillojmë punën që, 100 vitet e ardhshme, çunat dhe gocat e këtij qyteti të mos shkojnë as me batanije dhe as me peshqir në teatër”, deklaroi Veliaj.

Projekti është bërë nga arkitekti danez Bjarke Ingels! Më herët, kryebashkiaku Veliaj ka bërë me dije se Teatri i ri do të jetë disa herë më i madh se i vjetri dhe do të ofrojë kushte sipas të gjithë standardeve. Ai do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Gjithashtu, do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla ‘Black Box’ prej 200 metra katror secila.

Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metra katror që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër.

Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu, do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun. Po kështu, Teatri i ri Kombetar, përveç ambienteve të tjera ndihmëse, do të ketë edhe një parkim nëntokësor, transmeton ‘shqiptarja.com’. 

Teatri Kombëtar u shemb mëngjesin e 17 majit të 2020, ngjarje që solli një sërë protestash dhe përplasje mes policisë dhe aktivistëve për mbrojtjen e Teatrit, në krah të të cilëve doli edhe opozita. 

Debati për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar nisi në fund të 2017 dhe fillim të vitit 2018, por shembja e godinës u bë pasi kryebashkiaku Erion Veliaj arriti marrëveshjen me artistët për ndërtimin e godinës së re.

Nga ana tjetër, Presidenca e çoi në Gjykatën Kushtetuese, ku bëri një shtim objekt padie duke kërkuar pezullimin e zbatimit të çdo akti e veprimi që buroi prej ligjit të Teatrit dhe VKM-së, por ‘Kushtetuesja’ nuk e pranoi këtë kërkesë të Presidencës.


Lexo edhe:

PARKING NËNTOKËSOR DHE SKENA GJIGANTE PËR AKTORËT, ERION VELIAJ ZBULON DETAJET E TEATRIT TË RI

ObserverKult