Vëllai i Jusuf Buxhovit i ngujuar në Kiev të Ukrainës: Jam i sëmurë dhe s’mundem me u largu, le të shpëtojnë fëmijët

Shqiptari nga Kosova, Bashkim Buxhovi ka mbetur i ngujuar në një bodrum në Kiev, teksa kanë nisur bombardimet ruse në Ukrainë. Bashkimi është vëllai i  publicistit dhe historianit, Jusuf Buxhovi.

Bashkim Buxhovi tha se bombardimet ruse janë duke ndodhur shumë afër vendit ku po qëndron bashkë me gruan dhe vjehrrën, teksa dy fëmijët e tij janë nisur drejt Polonisë mëngjesin e sotëm.

“Unë me gruan dhe vjehrrën jemi në Kiev. Mirëpo, vajza ime dhe djali veçse janë nisur për rrugë. Për mua është me rëndësi që ata të shpëtojnë dhe të dalin përtej kufirit, pasi nga Kievi deri në kufi janë rreth 700 kilometra. Ata e kanë shumë të vështirë të dalin përtej kufirit, pasi deri atje ka shumë pengesa”, tha ai për Klan Kosova.

“Ata janë nisur në mëngjes, më kanë lajmëruar më herët që janë 200 kilometra larg nga Kievi, por kanë shumë rrugë për të bërë”.

Ai tha se bombardimet janë duke vazhduar dhe po ka bombardime të forta.

“Shumë afër meje janë tanket ruse duke luftuar me ukrainasit dhe të njëjtit janë duke u bërë ballë. Kievi është i rrethuar dhe rusët janë duke u munduar që në çdo mënyrë të depërtojnë në të gjitha anët – por ukrainasit janë duke rezistuar dhe është duke u bërë një luftë e madhe”.

Tutje, Buxhovi tha se meqë është i sëmurë kronik, e ka të pamundur që të largohet nga Kievi, për atë edhe është ngujuar në një bodrum, teksa deklaron se për të është e rëndësishme vetëm t’i shpëtojnë fëmijët.

“Unë jam i sëmurë kronik dhe e kam shumë të vështirë të largohem, për atë nuk kam mundur të udhëtoj dhe jemi duke qëndruar në një bodrum. Për mua ka rëndësi vetëm që fëmijët të më shpëtojnë”, tha Buxhovi.

Pas publikimit të këtij lajmi, ka reaguar vëllai i Bashkimit, publicisti dhe historiani Jusuf Buxhovi.

“Rrëfimi tronditës i tim vëllai – Bashkimit, nga Kijeva, përndryshe shkrimtar, autor i dy romaneve (“Sateliti i planetës së humbur” në dy vëllime dhe “Jeta në tri botëra”), i cili prej vitesh jeton në Ukrainë me familje…”, ka shkruar Buxhovi në Facebook.

——————————–

Lexo edhe:

ZYRTARE, RUSIA PËRJASHTOHET NGA EUROVISION 2022