Vendbanimi 7500-vjeçar në Lin, zbulim arkeologjik “që të lë pa fjalë”

Në fshatin Buqezë në Lin, Pogradec është zbuluar një vendbanim “palafit”, që daton 7500 vjet më parë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndau në rrjetet sociale momente nga puna e arkeologëve për zbulimin e këtij vendbanimi.

“Zbulohet një vendbanim 7500-vjeçar në Lin. Të tjera zbulime arkeologjike mbresëlënëse hedhin dritë mbi vendbanimet e hershme në territoret shqiptare, pranë fshatit Buqezë në Lin, ku po kryhen gërmime arkeologjike për zbulimin e vendbanimit “palafit”, sipërfaqja e vendbanimit prehistorik, mendohet të jetë rreth 35.000 m2″, theksoi Rama.

Projekti shqiptaro-zviceran “LIN 3”, është një bashkëpunim i Institutit të Arkeologjisë-ASA-Akademia e Studimeve Albanologjike me Universitetin e Bernës, Zvicër dhe me mbështetjen e laboratorëve të Universitetit të Oxford-it, Angli, si dhe Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Korçë.

Sipas drejtuesit shkencor te projektit, Adrian Anastasi, janë zbuluar elemente drusore, që dëshmojnë për mënyrën e ndërtimit dhe arkitekturës.

Gjatë gërmimeve, po dalin në dritë vegla pune prej stralli, enë të ndryshme qeramike, fragmente kocke kafshësh dhe janë marrë kampione sedimentologjike për analiza në laboratorë.

Fshati Lin ndodhet në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit, 20 km larg qytetit të Pogradecit. Ky fshat turistik vazhdon të vizitohet në çdo stinë të vitit nga shumë turistë të huaj, por edhe vendas./ATSH


Lexo edhe:

2000 VJET NË THELLËSI TË DETIT, ZBULIMI I JASHTËZAKONSHËM NË BRIGJET E PULIAS

Një anije romake e fundosur 2 mijë vjet më parë, është gjetur në fund të detit në rajonin jugor të Pulias.

Zbuluesi ka qenë Fabio Matacchiera, profesor historie dhe i apasionuar pas arkeologjisë, i cili nëpërmjet një GPS të veçantë hartografik, ka bërë zbulimin e jashtëzakonshëm.

Fillimisht, ai ka gjetur disa qindra pllaka prej guri dhe objekte të fshehura nën rërë dhe midis shkëmbinjve, në brigjet e Tarantos…

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU