Kompozitori dhe pianisti japonez, Yasuhiko Fukuoka, veprat e të cilit janë luajtur në salla prestigjioze që nga “Lincoln Center” deri në “Festivalin e Kanës”, do t’i bashkohet një grupi të muzikantëve shqiptarë për një koncert në New York, që si qëllim ka promovimin e muzikës shqiptare.
Përveç Fukuokas, do të paraqitet edhe kitaristi ndërkombëtar, Sean Harkness, fitues i disa çmimeve përfshirë këtu edhe çmimin nga “BroadwayWorld.com” që vlerëson artistët lokal për performanca e arritje profesionale.
Emra me nam janë edhe artistët shqiptarë, që do të paraqiten duke filluar nga baritoni Ergin Oda, sopranoja Dëshira Ahmeti dhe tenori Riad Ymeri, karriera e të cilëve vazhdon me hapa të suksesshëm në New York e më gjerë. Pastaj është violonçelistja Gjilberta Lucaj, violinistja Joana Kaimi, pianistja Elona Muça dhe klarinisti, Igli Tuga.
“Vendi im” titullohet koncerti, i cili do të bëjë bashkë këta artistë përfshirë këtu edhe balerinën Orida Islami. Performanca e Islamit do t’iu kushtohet grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Mbrëmja artistike, e cila do të mbahet më 15 shkurt në teatrin “Victor Borge Hall” që funksionon brenda “Shtëpisë Skandinave” në New York, do të moderohet nga aktori shqiptar Kushtrim Hoxha. Përmes saj ky grup artistësh do të shënojë edhe 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. “Me dinjitet, muzikë dhe dashuri”, është slogani i koncertit.
Koncerti “Vendi im” është iniciuar nga baritoni Ergin Oda dhe qëllim themelor ka promovimin e muzikës shqiptare të komunitetit shqiptar/ koha