Aktori i njohur, Neritan Liçaj, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar ligjin special që kalon Teatrin Kombëtar në varësi të Bashkisë së Tiranës si dhe bllokimin për të ndërtuar një të ri. I ftuar në emisionin “ABC e pasdites”, aktori e cilësoi si një fitore vendimin e gjykatës.
“Jam i emocionuar është një fitore e madhe. E rëndësishme është Teatri dhe më vjen mirë që jam në këtë projekt. Në fund fare, koha dhe historia na dha të drejtë në këtë betejë. Si kjo nuk ka parë bota. E kanë pjellë gjithë këtë baltë mbi ne sepse u sulmuam politikisht”, tha ai.
Më tej, aktori shtoi se qeveria duhet të kërkojë falje dhe të ndërtojë një teatër ashtu siç ishte. “Na sulmuan politikisht dhe gaboi qeveria me mazhorancën e majtë. Nderi dhe dinjiteti është të ulen në gjunjë dhe ta bëjnë siç ishte. Le të bëjnë teatro të tjerë. E pakta që mund të bëjnë është të ulen në gjunjë dhe të kërkojnë falje, jo për Neritanin.“, tha ai.
Ndërkaq, aktorja Anila Bisha tha se është skeptike se si do të vijojë procesi. “Kam një gëzim se i kisha humbur të gjitha shpresat se në këtë vend do të funksionojë drejtësia. Në këtë vend nuk ka zot, jemi të gjithë zotër dhe të gjithë duhet të bëjmë më të mirën. Dhe nuk ka pse të kemi njerëz që marrin vendime se jam unë këtu dhe fillon historia. Gjykata Kushtetuese është maja dhe nuk është kollaj të shpërfillet por të shpresojmë që të bëhet më e mira. Jam e lënduar se isha për ta rikonstrukturuar teatrin.”, tha ajo./(lapsi.al)