Venecia vërshohet nga problemet

Tani që përmbytja në Venecia ka përfunduar, qyteti po merret me pasojat nga ndërtesat e dëmtuara te malet me mbeturina. Vlerësimi i kostos së dëmeve është diçka e vështirë dhe shumë venecianë janë të irrituar.

Bazilika e Shën Markut, me famë botërore në Venecia, është përfshirë në çdo vlerësim për dëmtimet e përmbytjes shkatërruese që goditi qytetin në fillim të nëntorit, pasi që përdheset e katedrales ikonike ishin mbushur me ujë.

Dëmi nga përmbytja është i madh. Ujërat përmbytëse në qytet arritën një lartësi të papritur prej 187 centimetrave mbi nivelin e detit. Thesaret e panumërta kulturore – pallatet, bibliotekat dhe kishat – mbetën pjesërisht të zhytura për ditë me radhë në ujin e kripur e të ndotur.

Situata e shtyu kryetarin e Venecias, Luigi Brugnaro, të deklarojë një gjendje të jashtëzakonshme. Ai ka thënë se kostoja e dëmtimit mund të shkojë deri në 1 miliard euro.

Eksperti i Venecias, historiani i artit nga Berlini, Wolfgang Wolters e shikon totalin e dëmit si një “sinonim të katastrofës” dhe dyshon në matjen e tij. “Thjesht nuk është e lehtë për të vlerësuar dëmet”, thotë ai, duke u bazuar në eksperiencën e tij për vlerësimin e dëmeve për UNESCO-n në Venecia në vitin 1996, pas përmbytjeve më shkatërruese që qyteti ka regjistruar deri më sot.

Wolters sugjeron që autoritetet përgjegjëse të fillojnë një hetim të ngjashëm të dëmeve të udhëhequra nga ekspertë ndërkombëtarë sa më shpejt që është e mundur, pasi që “para trajtimit duhet të keni një diagnozë”.

Historiani i artit e njeh Venecian si shuplaken e dorës. Wolters është ish-këshilltari i UNESCO-s në Venecia dhe themelues i Qendrës Gjermane për Studime të Qytetit. Ai kujton se gjatë përmbytjes, 53 vjet më parë, njerëzit treguan solidaritet kundër forcave të fuqishme të natyrës. Por sot është “e qartë se problemi është krijuar nga njeriu”.

“Në Venecia gondolat pushojnë në tokën e thatë para hoteleve. Kishte më shumë se një metër ujë të qëndrueshëm në kafenetë historike në Sheshin e Shën Markut. Kjo vlen edhe për Bazilikën e Shën Markut, e cila sapo ishte restauruar”, i shkroi më 13 nëntor, Danilo Reato, një autor që jeton në Venecia, botuesit të tij në Gjermani përmes e-mailit.

“Në Arsenale (ish-kantieri i anijeve dhe kompleksi i armaturës së Venecias) një varkë u shty gati në fund të një rruge të vogël. Të tjerat u përmbytën. Litari i spirancës së një anijeje tjetër u këput dhe u desh të shpëtohej nga autoritetet e portit. Ky është më të vërtetë fundi i qytetit!”.

Ndërkohë, ujërat janë tërhequr nga qyteti. Shumë venecianë po pastrojnë bodrumet e tyre dhe katet përdhese që ishin përmbytur. Tone me mbeturina të rënda si mobile dhe qindra dyshekë kanë zënë vend në trotuare. “Ka mbeturina kudo”, u ankua historiani i artit dhe romancieri zviceran Erasmus Weddigen, i cili kalon gjysmën e kohës së tij në Venecia.

Një vlerësim zyrtar i dëmeve akoma nuk është bërë i ditur. Një delegacion i UNESCO-s do të udhëtojë në Venecia vitin e ardhshëm për të hetuar situatën. Në vitin 2015, Organizata kulturore e Kombeve të Bashkuara tashmë kishte kërcënuar se do t’ia hiqte Venecias statusin e saj si pjesë e Trashëgimisë Botërore, nëse nuk do t’i vinte problemet e saj nën kontroll.

“Edhe nëse ujërat janë ulur dhe të gjithë tani po marrin frymë përsëri, do t’ju duhet shumë kohë për të riparuar dëmet” ka thënë Sven Taubert, presidenti i Shoqatës së Restauruesve të Gjermanisë. Ujërat e përmbytjes aktivizuan kripëra që dëmtojnë muret e shumë ndërtesave, shpjegoi ai.

Pasi që lumi “Lusatian Neisse” në Gjermaninë Verilindore doli nga shtrati në vitin 2010, Taubert kaloi gati tetë vjet duke planifikuar dhe udhëhequr restaurimin e manastirit të “Shën Marienthal”. Ai beson se veprimi i shpejtë është i nevojshëm në Venecia, pasi myku përhapet shpejt brenda mureve me lagështi. “Ju mund të shihni se sa shpejt sipërfaqja kthehet në jeshile, të verdhë ose të zezë”.

“Një miliard euro tingëllon shumë para”, thotë Taubert. Ai po bën thirrje që njerëzit të mobilizohen për Venecian dhe thotë se kjo shumë e parave është e nevojshme. Tani, thotë ai, dëmtimi i objekteve, ndërtesave dhe lagjeve të pjesës së lagunës së qytetit duhet të kategorizohet në mënyrë që t’iu jepet përparësi.

Pas përmbytjeve të nëntorit, Qeveria e Italisë ndau ​20 milionë euro për ndihma emergjente. Individët privatë duhet të marrin deri në 5 mijë euro dhe bizneset deri në 20 mijë euro. Taubert e di se ndihma nuk mund të jetë kudo. “Por ato duhet të arrijnë tek njerëzit, përndryshe katastrofa gjithashtu do të çojë në humbje në shoqëri”, thotë ai.

Turmat e pafundme me turistë, anije gjigante në port, kërkesa për mbrojtje nga vërshimet dhe tani ndryshimet klimatike me rritjen e nivelit të ujit: Shumë venecianë janë gjithnjë e më shumë të zemëruar me qeverinë e tyre dhe e akuzojnë atë që ka dështuar duke mos vepruar.

Petra Reski, një shkrimtare që jeton në Venecia, thotë se problemet janë “bërë në shtëpi”. Qyteti është bërë një “makinë parash”, thotë ajo, dhe “drejtohet nga ata që predikojnë një fundamentalizëm turistik”, ku sistemi i besimit është i thjeshtë: “Jashtë venecianët, brenda turistët!”.

Aktivistja italiane e ndryshimeve klimatike Jane da Mosto po lufton gjithashtu për të mbrojtur Venecian dhe kritikon situatën në të cilën qyteti i vjetër po “shtrydhet si një limon” për të mirën e pjesës tjetër të qytetit. Pakica që jeton në ishujt e lagunës, venecianët “e vërtetë”, nuk kanë zë, thotë ajo.

Fjalët e saj bëjnë jehonë me ato të shkrimtarit gjerman të romantizmit, Goethe, i cili shkroi për venecianët “e vërtetë” dhe “qytetin e mrekullueshëm me ishuj, republikën e kastorëve”.

Vetëm një pakicë e popullsisë së Venecias, rreth 50 mijë jetojnë në qendrën historike të ishullit. Afërsisht katër herë më shumë, përfshirë kryetarin Burgano, jetojnë në territorin përreth dhe rrotull Venecias, me distriktin më të populluar të tij që është Mestre. Së bashku, toka kryesore dhe ishujt formojnë një zonë administrative urbane – dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Një referendum fundjavën e kaluar u mbajt nëse toka kryesore duhet të ndahet nga Venecia, ku ka pasur pjesëmarrje të ulët dhe nuk arriti të përmbushë minimumin, 50 për qind të kërkuar për të bërë këtë votim të vlefshëm.

Mbështetësit e ndarjes kishin argumentuar se ishujt dhe zona kryesore kanë probleme rrënjësisht të ndryshme. Dhe, më të vërtetë, “Acqua Alta” e nëntorit, ose ujërat e larta në italisht, prekën vetëm një pjesë të vogël të popullsisë së qytetit. Megjithatë, e gjithë Venecia do të trajtojë pasojat e përmbytjes së bashku si një qytet./DW