Pothuaj 48 vite më parë, shkrimtari i njohur shqiptar Petro Marko, përballej me censurën. Kishte dorëzuar për botim dramën “Niku i Martin Gjinit” dhe romanin “Një emër në katër rrugë”.
Të dyja veprat në fazën e parë i ishin miratuar nga revista “Nëntori”, shkaktuan furtunë një qarqet artistike, pasi u cilësuan gabime ideore jo vetëm veprat në vetvete, por edhe vendimi për t’i botuar ato, duke përfshirë në këtë “mëkat të rrjedhshëm” edhe emra si Fatmir Gjata e Andon Kuqali, të cilët, sipas kohës, nuk kishin qenë të vëmendshëm sa duhet ndaj gabimeve të Markos.
Pritej prej këtij të fundit që të shkruante atë që donte pushteti, të tregonte shtypës pushtetin e Zogut, jo siç e kish treguar Marko, por siç mendonte Partia se duhej nxirë. Për kohën, çdo vepër duhej të përcillte direktivat ideore të sistemit politik, me heronj idealë, duke e kthyer letërsinë në një platformë propagande të imponuar, çka binte krejt në kundërshtim me besimin dhe bindjet personale të vetë shkrimtarit, redaktorëve dhe kryeredaktorëve, transmeton GazetaShqiptare.
Por, nëse letërsia bëhej me heroin pozitiv të qashtër të imponuar sipas karakteristikave të kërkuara, me kritikat ose nxjerrjen në pah të sistemeve a personazheve sipas parametrave të kërkuara, pa stilin dhe frymën që i vinte natyrshëm shkrimtarit, përkundrazi duke i veshur frazave e personazheve vigjilencën revolucionare, a ishte më ajo letërsi? Dhe a ishte më ajo, vepër e një aksh autori? Nëse letërsia do të ishte aq realiste, sa vetëm të përshkruante ‘zogolljanët’ dhe ‘enveristët’ sipas portretizimeve që propozonte koha, prapë se prapë, a do të ishte ajo realiste? A do të ishte më zhanër letrar apo përshkrimi (jo) besnik i kohëve të jetuara?
Ky mbetet ende debat i madh në vendin tonë. Zbardhja e relacionit të mëposhtëm, tregon veçse kushtet esktreme në të cilat intelektualët e artistët mbijetonin në komunizëm. Ata që mezi krijonin shtigje që letërsia të shkelte rregullat e sistemit, të merrte frymë dhe të botohej, detyroheshin të bënin autokritikë, ndërsa kolegët e tyre që kishin mbyllur sytë që ajo letërsi të lexohej, detyroheshin tashmë të shkruanin ‘detyrat’ që dilnin para nga mungesa e vigjilencës.
Materiali i mëposhtëm është shkëputur nga libri “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit” me autorë Beqir Meta, Afrim Krasniqi dhe Hasan Bello.
RELACION
Relacion i Xhemal Dinit mbi të metat dhe gabimet ideologjike në revistën “Nëntori”, në dramën dhe romanin e Petro Markos
[Pa datë], 1973
Në disa mbledhje të fundit të organizatës bazë të partisë si dhe në mbledhjen e organizatës profesionale, u mor në analizë gjendja në revistën “Nëntori” dhe masat për rregullimin e gjendjes. Gjithashtu, në mbledhjen e fundit të organizatës bazë të partisë u diskutua rreth romanit të Petro Markos “Një emër në katër rrugë” dhe mbi përgjegjësinë që mban për botimin e këtij romani, anëtari i organizatës sonë shoku Llazar Siliqi, i cili ka qenë redaktori librit.
Për sa i përket gjendjes në revistën “Nëndori” ku në disa numra janë botuar artikuj që kanë të meta e dobësi të karakterit ideor si dhe drama e gabuar ideologjikisht “Niku i Martin Gjinit” e Petro Markos, organizata bazë e partisë, pas një diskutimi të gjerë vuri në dukje se:
1. Artikulli i Arsen Mustaqit, botuar në numrin 10 të revistës, mbi pasqyrimin e luftës kundër revizionizmit në poezinë popullore, megjithëse është botuar pas punimeve të plenumit IV të KQ të PPSH, nuk lidhet me idetë e plenumit dhe nuk godet veprimtarinë armiqësore të rrufjanëve politikë F.Paçrami dhe T.Lubonja të cilët e përbuznin këtë traditë. Nga të meta të tilla vuajnë edhe artikulli i V.Qurkut mbi dekadentizmin dhe artikulli i N.Z.Tomës mbi disa probleme të traditës në tregimin tonë, botuar po në këtë numër.
2. Drama e Petro Markos është krejtësisht e gabuar nga ana ideore. Ajo ka këto të meta kryesore:
a) Ngatërrohet dhe vulgarizohet principi i historizmit në letërsi. Në vend që të interpretohen ngjarjet dhe fenomenet e epokës së Skënderbeut sipas botëkuptimit tonë, aktualiteti ynë vishet me një petk historik dhe realiteti ynë transplantohet mekanikisht në shekullin XV.
b) Në qendër të veprës vendoset një hero i sëmurë, i lëkundur, që është gati të dezertojë e të tradhtojë, pra kemi tendencë të deheroizmit
c) Veprën e përshkon një frymë patologjizmi, sensualizmi. Personazhet pozitivë janë skematikë e pa botë të brendshme.
d) Vepra ka dobësi të theksuara artistike, një gjuhë e stil arkaik e klasik.
Për të gjitha këto u ngarkuan me përgjegjësi shokët drejtues të revistës “Nëntori” dhe redaktorët përkatës. Organizata bazë e partisë vuri në dukje se shoku Fatmir Gjata në punën e tij si kryeredaktori revistës ka patur të meta. Këto qëndrojnë në mungesën e organizimit të mirë të punës në revistë, në mungesën e vigjilencës revolucionare dhe mprehtësisë së punonjësit të shtypit të partisë, në nënvleftësimin e detyrës, ka lejuar të botohen në revistë materiale të gabuara. Shoku Andon Kuqali, si sekretari kolegjiumit të revistës, nuk e ka kryer mirë detyrën e tij, nuk e ka organizuar mirë punën, nuk u ka kërkuar llogari redaktorëve dhe i ka munguar vigjilenca revolucionare e mprehtësia politike, ka bërë teorizime të gabuara në artikujt e tij.
Përgjegjësi për këto gabime të revistës ka gjithashtu redaktori Gjergj Zheji, si redaktor i sektorit të kritikës, të cilit gjithashtu i ka munguar vigjilenca revolucionare dhe mprehtësia politike e punonjësit të shtypit. Në artikujt e tij ai ka bërë teorizime të gabuara. Për të gjitha këto organizata bazë e partisë vendosi se është e nevojshme të merren masa për rifreskimin e kuadrit të redaksisë:
1) Të largohet nga detyra e tij si kryeredaktor shoku Fatmir Gjata.
2) Të largohet nga detyra e tij si sekretar kolegjiumi shoku Andon Kuqali.
3) Të largohet nga detyra e tij si redaktor shoku Gjergj Zheji.
4) Të diskutohet në mënyrë të veçantë me qëllim që edhe të ndihmohet konkretisht redaktori i revistës Faik Ballanca, i cili krahas të metave si redaktor, si interesimi i pakët për problemet e revistës, ka dërguar për botim një roman të cilin Shtëpia Botuese ia ka kthyer si libër me të meta ideore.
5) Shokët F.Gjata dhe A.Kuqali i pranuan vrejtjet e organizatës bazë dhe u solidarizuan me vendimet e saj.
Të gjitha këto probleme një komision i përbërë nga shokët Th.Frashëri, K.Buza, F.Kongoli dhe V.Koreshi pasi studioi gjendjen në revistën “Nëntori” i shtroi në mbledhjen e organizatës profesionale. I tërë kolektivi diskutoi gjerësisht dhe aprovoi vendimet e mësipërme. Në mbledhjen e organizatës bazë të partisë dhe në organizatën profesionale shokët drejtues të Lidhjes D.Agolli, Xh.Dini, A.Kondo, bënë autokritikë për një drejtim e kontroll më të afërt dhe shtruan detyra për të ardhmen si për sekretariatin, ashtu edhe për kryesinë e Lidhjes që duhet të merren më tepër me këto probleme dhe të forcojnë në mënyrë të veçantë kontrollin paraprak.
DEBATET PER
PETRO MARKON
Më dt. 18.XII.1973 u mblodh organizata bazë e partisë për të diskutuar mbi romanin “Një emër në katër rrugë” të P.Markos dhe përgjegjësinë që mban për botimin e tij anëtari i organizatës sonë shoku Llazar Siliqi, si redaktor i librit.
Organizata bazë vuri në dukje se romani vuan nga të meta të theksuara ideore:
1) Në roman mungon një analizë marksiste e fenomeneve dhe problemeve shoqërore, politike, ekonomike të kohës për të cilën bën fjalë autori.
2) Regjimi shtypës i Zogut paraqitet vetëm në anën e tij morale të degjeneruar, por nuk del e nuk jepet në radhë të parë se Zogu dhe aparati i tij, regjimi i tij, ishin armiq të egër të popullit, shtypës së tij, përfaqësonin interesat e feudo-borgjezisë, përfaqësonin një pushtet politik thellësisht reaksionar e të urryer.
3. Jepet në fjalë të përgjithshme varfëria e masave, por nuk jepet revolta e tyre kundër sistemit. Nuk jepet në mënyrë të drejtë lufta klasore.
4. Nuk del gjendja e mjeruar e fshatarësisë dhe e klasës punëtore në regjimin zogolljan.
5. Figura e profesorit (shoku Enver Hoxha) në roman del mjaft e dobët, e zbehtë, ashtu siç nuk duhej të jepej figura e udhëheqësit tonë. Një trajtim i tillë është krejtësisht i patolerueshëm.
6. Aktiviteti i grupit komunist dhe komunistët dalin të zbehtë e skematikë. Veç kësaj del ideja sikur komunizmi tek ne është importuar nga jashtë.
7. Romanin e përshkon një frymë aventurizmi, sensualizmi. Ka tendenca natyralizmi, frojdizmi dhe ekzistencializmi. Ana biologjike sundon mbi anën sociale.
8. Femra shqiptare nuk del si forcë sociale, por si një faktor që shpërdorohet, bile dhe si e keqe e shoqërisë.
9. Libri ka tendenca përçarjesh krahinore.
10. Në roman idealizohet jeta e fshatit Dhrimarë.
11. Disa figura reale si Demiri nga Peqini e ndonjë tjetër i ka trajtuar nga pozita subjektiviste.
12. Emigracioni nuk trajtohet si një plagë e rëndë ekonomiko-shoqërore e asaj kohe, por jepet me ngjyra ekzotike, turistike.
13. Romani është pa vlerë edhe nga ana artistike, ka kompozicion të dobët, i mungon dramaticiteti, karakteret janë të patipizuara, është i mbushur me retorizëm, deklaratizëm, emfazë etj.
Organizata bazë e partisë kritikoi shokun Llazar Siliqi si redaktor i këtij libri për konceptin jo të drejtë e jo të shëndoshë ideologjik mbi parimet e pasqyrimit të realizmit socialist në një vepër, për sentimentalizmin dhe familjaritet ndaj autorit, për mungesë vigjilence revolucionare.
Shoku Llazar pranoi gabimin jo plotësisht, nuk reagoi plotësisht ndaj vërejtjeve që iu bënë dhe organizata bazë i la kohë të reflektojë e të thellohet më tej në autokritikën e tij.
Përballë të gjithë këtyre gjërave organizata bazë e partisë vendosi të merren këto masa:
1) Të luftojmë konceptin se ndikimet e huaja janë kapërcyer, se s’kemi më për të bërë në këtë drejtim.
2) Të ngremë nivelin tonë ideo-politik.
3) Të forcojmë më tej kontrollin në procesin krijues.
4) Të forcojmë kontrollin punëtor në krijimtarinë letrare dhe artistike.
5) Të shkruhen në shtypin tonë disa artikuj mbi problemet që dalin nga drama, nga romani dhe të trajtohen ato.
6) Të bëhet një mbledhje e gjerë me shkrimtarë e artistë ku të shtrohen këto probleme.
7) Të forcohet praktika e filluar mbi diskutimin paraprak të veprave në procesin krijues.
Sekretari i organizatës bazë
XHEMAL DINI
AQSH, Fondi 14/AP, STR, Viti 1973, Dosja 287, fl. 18-22
ObserverKult
Lexo edhe:
FREDERIK NDOCI TREGON PRAPASKENËN: MERRNIN DREJTORIN NË TELEFON, E FAVORIZONIN PARASHQEVI SIMAKUN
ObserverKult