“Unë nuk jam rob i një territori gjeografik por kam nevojë të mbaj këmbët diku”. Nga shtëpia që ka moshën e tij në Pogradec, në rrugicat ku si vogël luante a ndiqte Lasgush Poradecin, Anastas Kostandini sjell në Tiranë gjithë frymëzimet e jetës së tij në një ekspozitë. Piktura, vizatime, personazhe e histori bashkohen në tri salla të COD-it, duke ritakuar publikun në një tjetër përmasë.
Artisti që i ka dhënë provincës ku jeton një vulë arti në vijim të traditës së Lasgushit që mori emrin e qytetit, vjen në një rrëfim ku intimitetet e tij tregojnë detaje të një kohe të largët, ku një eremit si Lasgushi kthehet në mit. “Ai ishte si një ikonë që duhej ti faleshim, ta adhuronim pa kushte. Ai është apostull… ”, thotë ai për poetin, ndërsa e vizitoi në shtratin e vdekjes, për ta përjetuar atë imazh në një tablo që tani shfaqet mes veprave të tjera.
Anastas Kostandini zbulon veprën me këpucarë që e përjashtoi nga shkolla dhe simbolikat që u keqkuptuan. Raporti me bashkëshorten që krijoi kushtet që ai të ishte artist, të rendte pas artit deri në marrëzi, zë po ashtu vend në bisedë. Rimarrja e metaforës së ringjalljes së Llazarit nga Bibla rivjen përmes ringritjes së Lasgushit (Llazar Gushos) nga shtrati i vdekjes dhe vizita në ekspozitën e Kostandinit, takimi me Kadarenë e nxitja për të shkruar dhe ditari që ruan kujtesën e jetës së përditshme.
“Nuk më lejonin ta hapja ekspozitën se aty në sallën ku do ekspozoja unë, ata thanë se do të bënin homazhe për Lasgushin. Ai ishte gjallë ende, por ishte i sëmurë pas një hemorragjie cerebrale, por ndërkohë ishte bërë gati salla për homazhet, fjala e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe prisnin që ai të vdiste. Por për çudinë e tyre, ai doli nga ajo situatë dhe unë e hapa ekspozitën e madje ai erdhi ta vizitonte”, tregon Kostandini.
Ankthet e dilemat që përjeton artisti gjatë procesit krijues gjejnë forma të përjetësohen në art, duke sfiduar izolimin e duke e kthyer atë në potencial dhe shpesh rrekja për të përkufizuar lirinë./BW
ObserverKult
Rrëfimin e Kostandinit mund ta shikoni duke klikuar në videon më poshtë:
Lexo edhe: