Një përmbledhje e rrallë, e vitit 1623, që solli për herë të parë veprat e Uilliam Shekspirit, u shit në ankand, për shumën rekord të 9.97 milion dollarëve!
Libri, botimi i parë ky, përmban 36 nga veprat e gjigantit të letërsisë dhe është vetëm nga gjashtë kopjet e njohura të tij, që mbahen nga koleksionistët privatë.
Një i tillë, bleu dhe librin e nxjerrë në ankand nga shtëpia “Christie’s” në New York, që tejkaloi dhe çmimin fillestar, i parashikuar në shifrat 4 deri në 6 milionë dollarë.
Përmbledhja, titulluar “Komeditë, historitë dhe tragjeditë”, konsiderohet si vepra më e madhe letrare në gjuhën angleze.
Ky botim, vjen si rezultat i punës së dy miqve të shkrimtarit, John Heminge dhe Henry Condell, i botuar shtatë vjet pas vdekjes së tij, transmeton ‘konica.al’.
Libri përfshin 18 punë që nuk ishin publikuar më parë dhe mund të ishin zhdukur përgjithmonë, duke përfshirë këtu, kryevepra si: “Makbethi” e “Jul Cezari”.
Ekspertë pranë shtëpisë së ankandeve “Christie’s”, thonë se kjo përmbledhje sjell për të parën herë, veprat e Shekspirit të organizuara në këtë mënyrë dhe praktikisht, ndihmoi të përvijohej statusi i tij, në vitet që do të pasonin.