reklamë

“Vera poetike e kryeqytetit”/ Takime letrare, përurime librash dhe aktivitete të shumta me krijues nga diaspora

Në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës, gjatë javës së ardhshme do të mbahet manifestimi letrar “Vera poetike e kryeqytetit – Ditët e etnisë”, i cili do të sjellë takime me krijues, përurime librash dhe aktivitete letrare.

Gjatë gjithë javës, poetë dhe shkrimtarë nga diaspora do të dhurojnë libra për bibliotekat e Kryeqytetit, ndërsa do të zhvillohen takime me krijues të zhanreve të ndryshme të letërsisë, debate letrare dhe lexime poetike nga autorë që jetojnë dhe krijojnë jashtë vendit.

Më 3 gusht, në orën 11:00, në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania” të Prishtinës, do të mbahet takim letrar me poetin, publicistin dhe kritikun letrar Shefqet Dibrani, i cili për dekada ka jetuar dhe krijuar në Zvicër. Ai është një nga donatorët dhe dhuruesit më të rëndësishëm të librave për këtë bibliotekë.

Më 4 gusht, në orën 14:00, në Bibliotekën e Fëmijëve në Pallatin e Rinisë, do të zhvillohet takim me autoren e re Blerta Kamberi, e cila jeton në Belgjikë. Ajo do të lexojë pjesë nga libri i saj “A ka arinj në Kosovë?”, ndërsa më pas do të mbahet një punëtori krijuese me fëmijët e kryeqytetit dhe të mërgatës.

Ndërsa më 5 gusht, në orën 11:00, në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Dardani, do të organizohet një orë letrare me poezinë e fëmijëve të krijuar në diasporë, si dhe takim me poetin për fëmijë Dibran Demaku, i cili jeton dhe punon në Gjermani.

Në këto aktivitete janë të ftuar të gjithë krijuesit dhe dashamirët e letërsisë nga Kosova dhe mërgata, me një fokus të veçantë te fëmijët dhe promovimi i krijimtarisë së tyre.

ObserverKult


Lexo edhe:

Kur Don Kishoti zbriti ndër arbëreshë: Jeronim De Rada nën prizmin kritik të Ali Aliut