Nga autorët e Gjuhës shqipe 6 dhe Gjuhës shqipe 7 (pjesëmarrës në Konkursin e shpallur nga Ministria për tekstet shkollore dhe materialet mësimore), si më poshtë:
– Mimoza Gjokutaj
– Ragip Gjoshi
– Anila Mullahi
– Flora Koleci
– Elsa Rakipllari
– Tereza Babasuli
Botuesi: Botime PEGI
Gjuha shqipe nuk mund të mësohet me këto lloje tekstesh…!
(Analizë e hollësishme për tekstet shkollore Gjuhë shqipe 6 dhe Gjuhë shqipe 7. Vërejtje dhe sugjerime për rishikimin e këtyre teksteve)
I. Hyrje
Tekstet Gjuhë shqipe 6 dhe 7, botim i shtëpisë botuese “Dukagjini” 2019, rrjedhojë e konkursit të këtij viti, tashmë të përfshira në tërë sistemin arsimor në Kosovë, janë një produkt pune i mbështetur në programin e dalë nga MASHT-ja, Kosovë.
Pritshmëria ndaj këtyre teksteve ka qenë e madhe, pasi vijnë në kuadër të një reforme të gjerë kurrikulare, që ka përshirë të gjithë sistemin arsimor në Kosovë.
Përfshirja me grupe autorësh dhe përmes shtëpive botuese të ndryshme ka qenë një risi tjetër, e cila ka vënë në garë grupe autorësh dhe shtëpish botuese, të larmishme dhe me përvoja në fushën e hartimit të teksteve shkollore.
Duke qenë të përfshirë në këtë garë, ekipi i Botimeve PEGI ka marrë në shqyrtim tekstet e dala fituese nga kjo garë, për të parë edhe cilësinë e tyre dhe për t’i krahasuar edhe me ato të ofruara prej kësaj shtëpie botuese.
Duam të jemi të hapur dhe t’i drejtohemi MASHT-së, shtëpisë botuese që i ka fituar këto tekste shkollore, autorëve të tyre, mësuesve dhe të gjithë të interesuarve në këtë fushë, për t’u njohur me opinionet tona, por edhe për t’u ndalur në problematikat shkencore e didaktike që kanë përcjellë botuesit dhe autorët përkatës përmes këtyre teksteve.
Duam t’u drejtohemi të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë produkt pune, për t’iu thënë se përtej të qenit konkurrues në garë, ne jemi edhe specialistë të fushës dhe nuk mund të kapërcejmë në heshtje problematikat e teksteve të gjuhës shqipe të hartuara për nxënësit shqiptarë në Kosovë për këtë vit mësimor, aq më tepër për një lëndë të rëndësishme me karakter të theksuar kombëtar.
Ne duam të japim ndihmesën tonë, qoftë edhe në bashkëpunim për një debat shkencor, që përtej këtij materiali të hapim një diskutim të gjerë me grupe specialistësh, për të thënë të vërtetat dhe për të bërë korrigjimet e duhura, gjithnjë në të mirë të formimit të përgjithshëm dhe të së ardhmes të brezave të sotëm e të nesërm.
Duke kërkuar paraprakisht ndjesë në lidhje me ndonjë nga arsyetimet e mësipërme, më poshtë po parashtrojmë komentet tona.
II. Mbi programin e Gjuhës shqipe, klasa e gjashtë dhe e shtatë
S’ka se si pas shpalljes së fituesve të mos kishte kërshëri për të vërejtur fituesit dhe produktin e tyre.
Të interesuar, veçanërisht si grup autorësh, kemi bërë një hulumtim mbi tekstet fituese dhe na rezulton se tekstet në fjalë kanë problematika të gjera shkencore, metodologjike, strukturore, programore.
Duke u konsultuar, së pari me programin mbi të cilin janë mbështetur këto kurrikula, të bie në sy mungesa e një balance dhe koherence e teksteve në fjalë me programin. Në asnjërin tekst nuk janë respektuar kompetencat programore për arritjet e nxënësve dhe, si i tillë, asnjë tekst nuk ofron përmbajtjen e përshtatshme për zbërthimin e këtij programi, si dhe respektimin e linjave strukturore të tij.
Tekstet janë mbështetur në njësi mësimore të shtrira përgjatë gjithë vitit, të cilat vuajnë nga një varfëri materiali mësimor, që nuk përmbush dhe nuk përcjell material mësimor gjuhësor dhe letrar të mjaftueshëm për t’u shtrirë për 37 javë vjetore nga 5 orë javore, si lëndë e Gjuhës shqipe, dhe në rreth 185 orë mësimore përgjatë gjithë vitit. Ideja e integrimit brenda këtij teksti është e rrëzuar. Asnjë njësi mësimore nuk e arrin këtë parim. Thjesht janë vendosur tema pranë njëra-tjetrës.
Tekstet letrare nuk janë përfaqësueset më të mira të letërsisë botërore dhe shqiptare, jo të gjitha janë të përshtatura me moshën e nxënësve, të cilëve iu drejtohen, nuk kanë aparat didaktik që nxit aftësimin letrar të nxënësve, si dhe janë të shkurtra, me tematika të varfra dhe të tejkaluara për kontekstin e sotëm të formimit të nxënësve të këtyre moshave. Mungojnë në to trajtesa letrare stilistike dhe artistike e analizës së tekstit dhe zhvillimi i mendimit kritik;
Nuk ofrojnë dije e njohuri të tilla që ta aftësojnë nxënësin/en të analizojë e gjykojë në bazë të mendimit të vet kritik, përkundrazi e cungojnë dhe kufizojnë aftësinë e tij/saj analizuese dhe shprehëse.
Tekstet nuk përfaqësojnë faza dhe periudha të zhvillimit të letërsisë së hershme dhe asaj bashkëkohore; nuk ndikojnë në thellimin e mendimit, nuk nxitin fantazinë, nuk i tërheqin nxënësit për t’i lexuar. Në këto tekste vihet re një mangësi jo e vogël didaktike, mosnjohje dhe dembelizëm për të hartuar aparate didaktike të analizës së punës me tekstin (kuptimi, interpretimi, analiza, qëndrimi kritik vetjak, personazhi, tema, ideja argumenti etj.), të cilat duhet të ishin përkthyer në rubrika pune. Dallon vetëm rubrikat “Pyetje dhe bashkëbisedojmë”,por edhe këto, dobët, pasi nxitin vetëm të nxënit riprodhues në nivele shumë të ulëta të nxëni.
Përfaqësohet dobët letërsia shqipe, llojet dhe gjinitë, ka shumë përralla, pak poezi, aspak tregime të sotme, autorë të huaj pothuajse të panjohur edhe për vetë mësuesit, aq më pak për nxënësit. Nuk janë respektuar raporte mes llojeve dhe gjinive letrare. Asnjë figurë letrare e trajtuar, edhe pse programi ka kërkesa të posaçme për këtë lloj analize në lidhje me tekstet letrare. Tekstet joletrare nuk analizohen në asnjë aspekt të karakteristikave të tyre, jepen shumë pak ose aspak njohuri për to.
Në lidhje me të lexuarin janë marrë pjesë letrare shumë të dobëta, të shkurtra, shpesh edhe me një paragraf, pa aparat pedagogjik, që nuk kërkojnë asgjë nga nxënësit, jo të përshtatshme për moshën e klasave në fjalë, poezia shumë e dobët, nuk përfaqësohen autorët shqiptarë, dukuri letrare, figura letrare, analiza strukturore përmbajtjesore, nuk nxisin të lexuarin, me moral të dobët, më shpesh përralla dhe aspak që t’i përgjigjen modeleve të sotme të teksteve të gjuhës dhe të letërsisë sipas modeleve dhe praktikave më të mira botërore.
Të gjitha pjesët e leximit, për nga mënyra sesi janë trajtuar, e rrëzojnë këtë tekst dhe na bëjnë të mendojmë se, si i tillë, nuk mund të jetë tekst për mësimin e Gjuhës shqipe.
Në fushën e të dëgjuarit dhe të të folurit si programi, por si rrjedhojë edhe teksti, shprehen shumë varfër, asnjë rubrikë për të folurit në grup, argumentues, përshkrues, analizues e më gjerë nuk ka situata rasti që nxisin të dëgjuarin dhe të folurit. Të dëgjuarit dhe të folurit nxisin përvetësimin e gjuhës standarde, gjë për të cilën nuk kemi asnjë qëndresë për veprimtari praktike brenda këtij teksti. Ky nuk duhet të jetë një tekst që vetëm jep njohuri teorike, për atë se çfarë është gjuha standarde, dialektet dhe gramatika e saj, por duhet të synojë që nxënësit të aftësohen jo vetëm që ta përdorin gjuhën standarde, por më tepër së kaq, gjuhën shqipe në përdorim në situata të larmishme të foluri për t’u bërë qytetarë që zotërojnë gjuhën aplikative, atë që u duhet për t’u aftësuar për jetën në të gjitha fushat dhe terminologjinë e tyre. Në këtë drejtim, teksti ka mangësi të mëdha. Janë fusha të shuara dhe të çuara drejt zeros.
Nuk ka sesi të shkatërrosh të mësuarin e gjuhës shqipe më tepër se kaq.
Gabime gjuhësore, shkencore, struktura të njësive mësimore pa rubrika, të varfra fare, me gabime gjuhësore dhe konceptuale, ku nxënësve nuk iu mësohet as gjuhë dhe as lexim.
Nëse në program kërkohet që nxënësit të lexojnë, të flasin, të shkruajnë si dhe të mësojnë shumë njohuri prej sistemit gramatikor të gjuhës në libër, këto janë dhënë përmes një kaosi të vërtetë.
Autorët e këtij libri nuk e njohin programin e klasave pararendëse për të krijuar një vijimësi në lidhje me parashtrimin e koncepteve gjuhësore. Shpesh, shumë tema dalin si për klasën e dytë ose të tretë të shkollës fillore.
Njohuritë mbi gjuhën janë të renditura në një mënyrë të çuditshme, ku shpeshherë trajtohet tema e kallëzuesi pa njohur foljen, trajtohen dy mënyra të foljes, pa thënë se çfarë janë mënyrat dhe cilat janë, nuk zbërthehen kohët e foljeve, veçse përmes tabelave të vendosura pa kuptim.
Në lidhje me zhvillimin e aftësive shkruese, teksti pothuajse nuk jep asgjë, përveçse dy-tre tituj, si eseja, përmbledhja, por që nuk jep teknika të punës për shkrimin e esesë, përmbledhjes dhe ndonjë temë tjetër tepër fragmentare. Jepen modele të vakëta, të varfra, që nxënësit e kësaj moshe as nuk i aplikojnë në jetën e tyre të përditshme në të shkruarit dhe të nxënit. Të shkruarit është proces të nxëni shumë i vështirë. Po nuk dhe modele dhe po nuk u ushtrove, kjo aftësi nuk fitohet në mosha të rritura. Në këtë plan, duhet të themi që edhe programi e ka anashkaluar këtë kompetencë kaq të rëndësishme të nxëni.
Duket sikur janë bërë përpjekje për të integruar njohuritë gramatikore me ato letrare. Në të gjitha njësitë mësimore, ku është shfaqur kjo tendencë, është bërë një amalgamë pa kuptim.
Këta libra nuk i formojnë gjuhësisht nxënësit e klasës së gjashtë dhe të shtatë. Në planin aplikativ, librat vuajnë nga mangësi të shumta: nuk nxitet të menduarit kritik, të lexuarit e kuptimshëm, analiza e tekstit, puna me fjalinë dhe fjalën, aspekti stilistik i gjuhës, si dhe shumë kërkesa të parashtruara në kornizën kurrikulare, të ofruar për këtë lëndë. Ushtrimet praktike janë të pamjaftueshme, edhe ato të fletoreve të punës, të cilat janë për nivel më të ulët, me kërkesa të nivelit riprodhues, shpesh pa funksion aplikativ, bëhen pyetje, por nuk dihet ku shkojnë përgjigjet. Nuk dihet kujt i drejtohen dhe nëse merren përgjigjet e duhura.
Teksti është një bashkim fragmentar i pjesëve letrare dhe njohurive nga gjuha, që nuk përmbushin kërkesa, standarde dhe kompetenca mësimore për formimin gjuhësor të nxënësve të kësaj moshe.
Duke u nisur që nga programi, nuk bëhen të qarta shkathtësitë e të lexuarit që do të formohen përmes këtij teksti, shkathtësitë e dëgjuarit dhe të folurit në gjuhën shqipe dhe standardet e modelet e të shkruarit. Ky tekst ka qëllim, në vetvete, vetëm njohuritë për sistemin gjuhësor gramatikor.
Të gjitha fushat e të lexuarit, të folurit, të shkruarit janë në funksion të gramatikës. Por sot, në zhvillimet e fundit të didaktikës së mësimit të gjuhëve theksohet që nga teksti të shkohet drejt gramatikës dhe jo gramatika të drejtojë tekstin. Gjuhësia aplikative është e drejtuar nga gjuha në përdorim drejt gjuhës si sistem. Këto tekste shpalosin njohuri gramatikore pa fund, që nuk dihet nga fillojnë dhe ku mbarojnë.
Fletoret e punës që bashkëshoqërojnë këtë tekst nuk përmbushin aspektin aplikativ të realizimit të tyre. Janë vendosur në to vetëm tema gramatikore, pyetje të ndryshme, ushtrime që kërkojnë përgjigje me gojë, ndërkohë që në Fletoret e punës nuk shkruhet dhe në to nuk ka vend për këto lloj ushtrimesh. Niveli i ushtrimeve është i ulët. Mungojnë lidhjet morfosintaksore. Në këto fletore, nxënësit nuk orientohen drejt dhe duken si të veçuara nga “libri teorik” i gjuhës.
Në librat e Gjuhës shqipe të klasave 6-7 mungojnë dukshëm skemat strukturore të hartimit të një mësimi, aspekti përshkallëzues i njohurive, rimarrja, ushtrimet sipas shkallëve të të nxënit, nga më e ulëta në më të lartën, shpesh del një rubrikë “Bashkëbisedojmë”, e cila shfaqet pa kuptim përmes disa pyetjeve apo situatave të ndryshme, të cilat nuk nxisin për asgjë. Rubrika “Bashkëbisedojmë” është e vetmja zgjidhje didaktike mjaft e mangët, e përdorur vend e pavend.
III. Vërejtje rreth tekstit Gjuhë shqipe 6
Mësimi 1:“Shoqëria dikur dhe sot”, f. 8-9
Tema “Të folurit” është “temë e vakët, nuk mjafton për të nxitur të folurit, nuk nxiten argumenti, vlerësimi, përshkrimi. Detyrat janë minimale. Pse shoqëria vetëm dje dhe sot? Po nesër? Ne duhet t’i bëjmë nxënësit edhe të parashikojnë, edhe të fantazojnë. Pse vetëm në fotografi mund të mbështetet kjo temë? Nuk ka mundësi të tjera për të nxitur të folurit? Është shumë pak kjo temë për të nxitur të folurit. Një faqe e tëra bosh, duket sikur autorët nuk kanë më ide për këtë temë. Nga pikëpamja vizuale, dëmton. Të shuhet faqja e dytë e këtij mësimi, figurat e papërshtatshme nuk i përgjigjen temës. Çfarë rubrike është kjo, të folurit, të dëgjuarit apo të shkruarit (f. 8)? Faqja 9 është një faqe bosh e bardhë, nuk mund të lihet ashtu, nuk kuptohet.
Mësimi 2: “Shqipja standarde dhe dialektet”, f. 10-12
Mungojnë ushtrime praktike për të aftësuar nxënësit, për të fiksuar dallimet mes dialekteve.
Ky mësim i tejkalon aftësitë e moshës, jep informacion të tepërt, por i pashoqëruar me ushtrime dhe veprimtari praktike aplikative.
Mësimi 3: Lexojmë “Pipi çorapegjata” f. 13, 16
Mungon autori. Mungon aparati pedagogjik, pak pyetje riprodhuese dhe asgjë më tepër. Këtu, për herë të parë del fjala romani, por nuk ka asnjë shpjegim për këtë fjalë.
Mësimi 3: “Djemtë apo vajzat”, f. 14-15
Së bashku me Pipin, janë dy pjesë që nuk lidhen, tekste të natyrave të ndryshme, vendosur spontanisht pranë njëri-tjetrit. Aparati pedagogjik lidhet me fjalët, kuptimin e tyre dhe përdorimin e fjalorëve.
Mësimi 4: “Lajmet”, f. 17
Si tekst joletrar i shkurtër ka pak aparat didaktik, vijon me një vjershë që nuk lidhet fare me këtë njësi mësimore, f. 18, “Gjashtë shokët besnikë”, përveçse me gramatikën.
Eseja, pjesë e kësaj njësie mësimore, “Si ta shkruajmë një ese”, nuk ka zbërthim të strukturës dhe teknikave të shkrimit të esesë, modeli është i dobët, ka vetëm disa pyetje në fund, por që nuk të nxitin të shkruash një ese.
Mësimi 5 nis me temën “Përmbledhja”, f. 21 (në krye ka fotografinë e Borëbardhës) dhe me titullin “Borëbardha”. Përmbledhja e përrallës me tre rreshta, si për klasën e dytë, pak udhëzime, asnjë model; ndërkohë faqja 22 është e tëra bosh.
Mësimi 6: “Si të shkruajmë mesazhe”, mësim shumë i dobët, f. 24 bosh.
Mësimi 7: Lexojmë – “Don Kishoti lufton me gjigandët”, f. 25-26, fragment i dobët, aparat pedagogjik i dobët, pa kërkesa të aspektit letrar, pak të dhëna për Servantesin. Vijon me “Unë jam ariu i murrmë” dhe me autobiografinë, e cila jepet përmes ariut. Asnjë strukturë, asnjë model njerëzor.
Mësimi 8: “Nami i pamerituar i ujkut”, f. 29. A ka ardhur koha të japim këtë moral? Jepen pak udhëzime, por jo një model. Rubrika “Pyetje dhe bashkëbisedojmë”.
Mësimi 9: Përshkrimi dhe rrëfimi. Mungon ilustrimi, pjesa “Tre derrkucët” është për mosha të vogla. Morali i kësaj përrallë është i tejkaluar. Faqja 33 është bosh.
Mësimi 10: Fonetika, f. 34-36. Të ngarkuara me koncepte, të cilat jepen radhazi dhe në mënyrë teorike, pa ushtrime. Shumë hapësira boshe. Mësimet 10, 11,12, që i përkasin fonetikës, janë shumë të gjata.
Mësimi 13: Poezi, prozë, tekst dramatik, poezia asnjë.
Vetëm klasifikime, llojesh tekstesh dhe pa asnjë shpjegim apo krahasim; thjesht një listë me terma në faqen 47.
Mësimi 14: Tregimi “Peshkaqeni”, ka vetëm rubrikën Bashkëbisedojmë dhe asgjë tjetër.
Mësimi 15: “Patat e shëmtuara”, e papërshtatshme për moshën, nuk shpjegohet subjekti dhe shpjegimi i temës është i gabuar.
Mësimi 16: Struktura e tekstit, f. 54, Tema “Nusja ulkonjë”, autor shqiptar.
Mësimi 16: Fjala dhe kuptimet e saj, f. 56, ka formulime të gabuara: “Dy llojet kryesore të kuptimit të fjalëve…”, “njësia më e vogël dhe kuptimplote…”. Po fjalët pa kuptim? – shumë teori dhe pak ushtrime për të zbërthyer konceptet e shumta që jep kjo temë.
Mësimi 17: f. 58, Shprehjet e figurshme, mësim është i gjatë dhe duhet të përmblidhet. Ka shumë hapësira bosh.
Mësimi 18: f. 61, “Vremçi dhe ferra”, përrallë pa asnjë kërkesë. Mësim i rrëmujshëm. Nuk dalin kategoritë e emrit sipas radhës. Përkufizimi mbi konceptin është i gabuar, gabim shkencor. Shumë koncepte brenda një faqeje, jepen në mënyrë telegrafike.
Mësimi 19: Mbiemri – Nis me tekstin letrar “Pegazi”, f. 66. Nuk jepet emri i autorit. Konceptet dhe kategoritë vetëm sa përmenden, shumë teori. Nuk punohet fare me tekstin si tekst letrar dhe me shpjegimin e kuptimit të tij.
Mësimi 20: Ndjenjat – Barcoletat,f. 69.Nuk ka asnjë situatë të të folurit. Ka informacione të tepërta. “Kënga e qenushës” – Jesenjin, poezi, përmbledhje, përshkrim ndjenjash; “I pamposhturi”, Uiliam Ernest Helinej, është poezi e pavend.
Mësimi 21: “Ditari i Gregut”, i papërshtatshëm për moshën.
Mësimi 22: Numrat, f. 75. Në gjuhësi emërtohen numërorët dhe jo numrat – kjo është çështje terminologjie. Asnjë ushtrim.
Dy herë “Bashkëbisedojmë”.
Mësimi 23: Folja,f. 75. “Duart më të bukura”,autor shqiptar. Përse nxënësi të mos i gjejë vetë foljet në tekst, duke e lexuar dhe jo vetëm ato me shkronja të zeza?
Te ky mësim ka shumë hapësira bosh.Ështëi mbingarkuar me koncepte, por jo me ushtrime rreth tyre rubrika pyetje, shpjegim, bashkëbisedim; konceptet jepen të copëzuara dhe jo të lidhura, pyetjet janë vetëm teorike.
Mësimi 24: – Ndajfolja, f. 83. Përkufizimi nuk është i saktë.
Mësimi 25: “Lindja e Skënderbeut”, ka shumë hapësira bosh. “Parafjala” del pa titull, pa ushtrime, nuk dallohet që është temë e re, nuk thuhet që është pjesë e pandryshueshme e ligjëratës.
Mësimi 26: Luli i vocërr – Pyetje riprodhuese; drejtshkrimi i parafjalëve është i gjatë si
Lidhëza, f. 92 – Formulimi i gabuar, shumë i gjatë dhe nuk ka ushtrime.
Mësimi 27: Përbërësit e fjalës. Mësimi është shumë i gjatë, vetëm teori; ka formulime të gabuara.
Mësimi 28: Kryefjala, f. 97. Nuk dihet se çfarë është thënë në klasat e mëparshme për këtë temë.
Mësimi 29: – Kuriozitete për ilirët; kallëzuesi, f. 100-101. Ka shumë teori, pak ushtrime, formulime të vështira.
Mësimi 30: Kundrinori, f. 103. Përkufizimi është shumë i gjatë dhe pa ushtrime; mund të ishte ndare në njësi mësimore.
Mësimi 31: Rrethanori, f.107-109. Ka shumë njohuri.
Mësimi 32: Përcaktori, f. 110. Mund të ishte para rrethanorit; përkufizimi i paqartë dhe i gjatë.
Mësimi 32: Fjalia, f. 112. “Merkuri dhe druvari”, pa autor; “Fjalia e thjeshtë dhe e përbërë”, e gjatë dhe pa ushtrime.
V. Vërejtje rreth tekstit Gjuhë shqipe 7
Mangësitë kryesore që vihen re në tekst mund të klasifikohen sipas shkallës së rëndësisë, në tri linja kryesore, të cilat lidhen ngushtë mes tyre:
– Aparati teorik-konceptual
– Aparati pedagogjiko-aplikativ
– Strukturimi i jashtëm (ana formale)
Aparati teorik-konceptual
Teksti Gjuha shqipe 7 mangësi të theksuara për sa i përket aparatit teoriko-konceptual. Kjo shfaqet veçanërisht në dhënien e njohurive të reja si në pjesët letrare, ashtu edhe në ato gjuhësore.
Sa i përket tekstit letrar dhe atij joletrar, pothuajse një e dyta e tekstit, pjesa e parë, merret me njohuri nga gazetaria, a thua se po formohen gazetarë, duke dhënë njohuri vend e pavend rreth kësaj fushe dhe llojeve të shkrimeve në këtë zhanër.
Nxënësve nuk u jepet koncepti i saktë i tekstit letrar dhe joletrar, as llojet e tyre. Nuk punohet për zbërthimin e tyre sipas llojeve.
Tekstet janë shumë të kufizuara edhe në pikëpamje të volumit të materialit që kanë, duke u nisur nga 185 orët mësimore që duhen zhvilluar gjatë vitit. I bie që nxënësi të lexojë më pak se një faqe libri në ditë. Vlen për të theksuar këtu edhe konstatimi se rreth 15 % të faqeve të librit janë pothuajse bosh, thua se autorëve u ka mbaruar mendimi mbi temën që kanë dashur të zbërthejnë.
Trajtimi teorik i koncepteve të reja është i cunguar, i fragmentarizuar dhe shpesh me gabime shkencore. Si të tillë, mund të përmendim mungesën e dhënies së saktë të përkufizimeve për konceptet e reja që trajtohen, si: pjesët e ligjëratës, fjalia, gjymtyra e fjalisë etj., apo edhe mënyra e trajtimit dhe e analizimit të tyre. Mangësi të tilla krijojnë pështjellim te nxënësit dhe mund t’i nxitin ata drejt të mësuarit mekanik.
Veçojmë këtu disa të meta të natyrës së mëposhtme:
– Përkufizimi rreth gjuhës, natyrës së gjuhës dhe rolit të saj është i mangët, ashtu siç ka mangësi edhe në mënyrën se si janë trajtuar çështje lidhur me dialektet dhe variantet e ndryshme gjuhësore.
– Kur trajtohen pjesët e ligjëratës, nuk jepet një material i mjaftueshëm teorik dhe as praktik që nxënësi/ja të bëjë dallimin mes tyre dhe të përcaktojë rastet kur kemi të bëjmë me emra, përemra, folje e kështu me radhë.
– Njohuritë rreth kategorive gramatikore të fjalëve, jo vetëm që janë të paplota, por jepen edhe të kufizuara e të izoluara, çka nuk e ndihmon nxënësin/en të kuptojë lidhjen dhe kushtëzimin e tyre nga marrëdhënia që vendoset mes fjalëve.
– Ka pasaktësi në trajtimin e fjalisë dhe të pjesëve përbërëse të saj. Nuk merren në analizë dhe as nuk përmenden grupet e fjalëve si pjesë ndërtuese të fjalisë, por në mënyrë shumë të fragmentarizuar dhe pa një aparat të saktë shkencor, jepen disa të dhëna rreth gjymtyrëve të fjalisë. Këtu vihen re një sërë të metash dhe gabimesh shkencore, si në përkufizimin e tyre, ashtu edhe në trajtimin dhe analizën përkatëse.
Teksti i dhënë nuk i plotëson kushtet që nxënësit të marrin sa dhe si duhet njohuritë rreth temave që parashikon kurrikula përkatëse, dhe as nuk ndikon në nxitjen dhe formësimin e të menduarit kritik të tyre.
Aparati pedagogjiko-aplikativ
Në këtë tekst vihet re një mungesë e ndjeshme e aparatit pedagogjik. Çdo temë e re ka nevojë për një material mbështetës, që nxit dhe ndihmon nxënësit të reflektojnë dhe të analizojnë njohuritë e dhëna. Materiali mbështetës mund të përmbajë pyetje teste të ndërlidhura me materiale që pasqyrojnë njohuritë e dhëna, kërkesa të hartuara në mënyrë të tillë që ta shtyjnë nxënësin të formësojë mendimin e vet kritik. E gjitha kjo mungon në tekstin në fjalë.
Struktura dhe forma e tekstit
Strukturimi formal i temave, që në njëfarë mënyre është shprehje e strukturimit të brendshëm, lë për të dëshiruar. Mungon imazhi si libër, duket si revistë, mungojnë thyerjet dhe përthyerjet për ta bërë librin interaktiv (ndërveprues).
Tekstet janë shkruar me shkronja shumë të vogla dhe vështirë të kuptohen nga nxënësit e kësaj moshe. Ilustrimet janë tepër të dobëta, janë marrë aty-këtu dhe nuk iu përshtaten, në përgjithësi, temave mësimore.
Kopertina, që në hyrje, ka fjalë që keqinterpretohen, pasi ka tekste të prera dhe pa kuptim, që në një libër gjuhe nuk mendoj se duhet luajtur në këtë mënyrë, për hir të tërheqjes vizuale.
Hyrja dhe udhëzimet në faqet e para të tekstit u drejtohen mësuesve dhe prindërve, por nuk iu drejtohen nxënësve, në këtë mënyrë, ajo duhet shmangur nga teksti, dhe të përfshihet tek teksti i mësuesit. Nuk ka strukturë të ndarë sipas rubrikave të programit dhe nuk del e qartë se për çfarë fushe bëhet fjalë për të lexuarin, të folurin apo të shkruarin, për gramatikën dhe me gjerë. Duket si përpjekje për integrim, por është një pështjellim i vërtetë, pasi njësitë mësimore nuk kanë një strukturë dhe nuk dalin në pah kompetencat që kanë për synim të formojnë nxënësit. Kjo vlen për të gjitha njësitë mësimore.
Si përfundim:
U propozojmë, instancave shtetërore, t’i marrin në shqyrtim këto tekste dhe të organizojnë një ballafaqim me grupin tonë për të qartësuar dhe saktësuar aspektin shkencor, didaktik dhe strukturor të teksteve në fjalë. Gjuha shqipe nuk mund të mësohet me këto lloje tekstesh.
Tiranë, më 23. 10. 2019
/ObserverKult