Vesa Luma: Ndiqni ëndrrat edhe kur mendoni se s’do t’ja dilni!

Rrugën e muzikës, e nisi shumë herët, por pjesëmarrja në “Ethet e së Premtes” në vitin 2004, e nxori fuqishëm në pah këngëtaren Vesa Luma.

Vesa, përgjatë rrugëtimit mbi dy dekada, ka sjellë këngë të bukura ndërsa të njëjtat vazhdojnë të dëgjohen dhe këndohen edhe sot.
Për të gjithë adhuruesit e saj, ndajmë lajmin që Vesa  me 11 shkurt në Teatrin e Operës dhe Baletit vjen me një koncert recital të cilin e ka titulluar “Pik’ Vese”.

Ju ftojmë ta lexoni intervistën e saj në vazhdim dhënë për ObserverKult

Intervistoi: Lindita Canolli-Fejzullahi/ObserverKult 

E keni nisur shumë herët rrugën e muzikës, keni përfunduar shkollën e muzikës ‘Prenk Jakova’ për solo këndim, por keni kryer studimet dhe keni punuar në gazetari. Kush ju futi në rrugën e suksesshme të muzikës dhe si i keni balancuar këto dy profesione?

Vesa Luma: Është e vërtetë se prej se mbaj mend veten si fëmijë e dija që duhet të kisha një lidhje me televizionin, qoftë si këngëtare apo prezantuese, sidomos mbaj mend si fëmijë që imitoja prezantueset televizive. Por muzika është shpirtërore, ka ardhur edhe si trashëgimi nga nëna im. E dija që nga fillimi se do të kisha lidhje me muzikën në një të ardhme të afërt. Isha unë ajo që isha më ambicioze, doja diçka, doja të kisha një fillim të muzikës. Në atë kohë në vitet e ‘90 ishte shumë e vështirë…

Në vitin 2004 morët pjesë tek “Ethet e së Premtes”  së bashku edhe me Rona Nishliu dhe Teuta Kurtin. Çka ju dha juve ky Festival?

Vesa Luma: Në këtë vit që jemi, bëhen 20 vite prej se është mbajtur “Ethet e së Premtes”. Tash kur e mendoj është kohë shumë e gjatë por edhe e shkurtër në njëfarë forme… duket sikur nuk kanë ecur vitet.  Por ajo çka kemi marrë nga ky kompetecion ka qenë ajo që do doja që të gjithë këngëtarët e rinj, pra të gjithë ata që e aspirojnë muzikën ta merrnin, profesionalizmin në çdo gjë që ka të bëjë me  muzikën, anën teknike, emocionale, lidhjen me skenën e me çdo gjë tjetër.

Edhe pse po realizohen  kompeticione si “X factor”, ”Voice”, më duket se ajo ka qenë pak më e fokusuar tek muzika sesa tek performanca që po bëhet tash, kështu që “Ethet e së Premtes” na ka dhënë gjithcka.

Pas këtij kompeticioni si ju priti publiku nga Kosova dhe nga Shqipëria?

Vesa Luma: Para se të nisesha tek “Ethet”, një vit përpara unë vetëm fillova ‘part time’ një punë të vogël në RTK (Radio Televizionin e Kosovës), një emision për të rinjtë. Isha shumë e re, pak a shumë e kisha të njohur botën e televizionit, por pastaj spektakli “Ethet  e së Premtes” ka qenë jashtëzakonisht shumë i ndjekur kështu që kur u ktheva nga atje ishte një jetë komplet e re për mua. Shto  faktin që kam bërë atë që kam bërë në fëmijëri, muzikën. Kam kënduar këngët që i kam dëgjuar që nga fëmijëria. Kam marrë eksperiencën, kam pasur rrugën e shtruar por jo edhe aq. Kjo pasi që nga aty përfundoi gjithçka, dhe duhet të ishim ne që duhet të merreshim me pjesën tjetër të karrierës.

Keni marrë disa herë pjesë në Festivalin e këngës në RTSH, po ashtu edhe me bashkëpunimin me Rona Nishliun dhe Teuta Kurtin me këngën “Flakaresha” një këngë mjaftë e bukur. Dhe pas disa vitesh u rikthyet vitin që lamë pas fuqishëm në edicionin e 62-të të Festivalit së bashku me bashkëshortin tuaj, Big Bastën me këngën “Mbinatyrale”.  A shkoi kjo këngë siç keni pritur, dhe a u ndjetë të zhgënjyer që nuk u vlerësuat me ndonjë çmim, derisa duhet theksuar se kënga u pëlqye nga publiku dhe kritika?

Vesa Luma: Festivali i Këngës në RTSH është një festival që ka një traditë tashmë 62 vjeçare, ka histori, dhe deshëm apo s’deshëm ne është një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës moderne shqiptare. Qëllimisht kam zgjedhur që të jem vetëm si mysafire e bashkëshortit tim, i cili dihet që është në zhanrin hip-hop dhe ky zhanër nuk është që vlerësohet ngase janë zhanret e tjera që zakonisht janë pjesëmarrëse .

Por, këtë herë e morëm Festivalin si një vend që të tregonim që jemi rikthyer, jemi rikthyer në muzikë dhe do të vazhdojmë ta marrim seriozisht rikthimin tonë.

Prandaj them se nuk është që kemi pritur diçka, e as nuk kemi shkuar me ndonjë pritshmëri për Eurosong, sepse kemi qenë të fokusuar në rikthimin tonë. Kemi qenë të fokusuar që kënga të pritet mirë, të këndohet. Dhe në fakt ishte e vetmja këngë që u këndua dhe u mbajt në mend në Festival dhe kjo është besoj fitorja më e madhe që çdo artist e dëshiron. Pastaj  kompetencionet, gara, transparenca janë gjërat që tashmë ne shqiptarët jemi mësuar me to dhe se kemi marrë fort për zemër.

Zhurma, kritikat para se të nisë por edhe pas përfundimit të Festivalit të Këngës në RTSH,  janë bë të zakonshme tashmë. Po ashtu kritika për organizimin, këngëtarët, tekstet e këngëve. E ndjetë ju këtë ‘frymë‘ aty brenda përgjatë ditëve të mbajtjes së festivalit ?

Vesa Luma: Prej se mbaj mend është mbështeët kjo fryma e kritikave, njëherë me të drejtë, nganjëherë e egzagjeruar, por ajo që mund të them  është se për herë të parë jam kënaqur gjatë provave, ndoshta se në këtë këngë kam qenë mysafire dhe nuk e kam pasur gjithë peshën e përgjegjësisë. Por jam kënaqur në prova, është një ndjenjë e jashtëzakonshme, të këndosh me një orkestër të tillë. Të merren gati 200-300 njerëz vetëm me ty, me performancën tënde. Kështu që është një ndjenjë që nuk është në rrethanat tona, në vendin tonë që e përjeton shumë shpesh. Prandaj nuk i kam marrë për bazë këto kritika kësaj here sepse dëshira për të qenë afër publikut ka qenë më e madhe .

 A mendoni se e ka ‘peshën’  e njëjtë ky Festival siç e ka pasur dikur?

Vesa Luma: Çdo vit që kalon në Festival flitet për peshën, pra ai i bie apo i ngritet pesha këtij festivali. Një gjë është e sigurt se ai Festival duhet të ruhet, ajo traditë, dhe më pëlqen fakti që është ndarë pjesa ku vlerësohet nga juria dhe pjesa për Eurosong.

Kjo sepse së fundmi të gjitha këngët që merrnin pjesë për Festival e kishin qëllim Eurosongun, që i bie më shumë laramani, më shumë folk, dhe i humbej ndoshta kohë pas kohe vlera si këngë.

Për peshën e këtij Festivali ndoshta s’jam ajo që duhet të flas, por që është Festival i ndjekur është shumë i ndjekur, pastaj varet shija e jurisë, e publikut. Në këtë rast ne nuk kishin ndonjë transparencë kush është votuar e kush jo, dhe prandaj nuk e kemi pasur shumë të rëndësishme këtë herë, sepse siç thashë ishte një arsye tjetër pse morëm pjesë në Festival kësaj here.

Eurosongu nuk është që na tërheq, as mu e as Gerit. Në momentin kur nuk funksionojnë as të drejtat autoriale edhe pjesëmarrja në Eurosong do të ishte më e veçantë, do të ishte më përfituese, do të na kishte lidhur me më shumë njerëz në botën e muzikës në Evropë. Çdokush që ka marrë pjesë deri tash në Eurosong, ka shkuar e ka kënduar, e ka marrë pëgjegjësinë e përfaqësimit të shtetit, por që gjithmonë ka pasur telashe me organizimin, etj.

Them se s’jemi ende gati të paraqitemi në Eurosong ashtu qysh do të kisha dashur unë të paraqitesha, prandaj tjerat gjëra janë relative.

Po për këngën e Besa Kokëdhimës që do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision këtë vit dhe po ashtu për këngën fituese, cili është komenti juaj?

Vesa Luma: Besa është një këngëtare shumë e mirë. Njihemi personalisht, kemi pasur miqësi shumë më herët. I uroj shumë suksese Besës dhe e di që e ka dashur shumë Eurosongun. Kam shumë dëshirë që të gjithë shqiptarët kudo ku janë ta përkrahin dhe të shkojnë sa më larg. Çdo këngëtar shqiptar meriton të shkojë sa më larg dhe meriton të dëgjohet muzika shqiptare jo vetëm në Evropë por gjithandej. I uroj shumë suksese dhe do ta mbështes edhe në maj kur do të performoj .

Të kthehemi pak te vitet e mëhershme kur bëhej muzikë e mirëfilltë në përgjithësi si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Dikur këngëtarët publikonin  këngë më rrallë por kënga kalonte në shumë duar për tu vlerësuar dhe pastaj ato këngë kishin jetëgjatësi. Sot publikojnë këngë ‘pothuajse’ çdo ditë ndërsa harrohen shumë shpejt.  Është vlera, cilësia e njëjtë si dikur e këngëve në përgjithësi…?

Vesa Luma: Nëse kënga e mirëfilltë do të thotë një këngë me gjitha elementet që i takojnë që të jetë një këngë e bukur, tekst i mirë, energji e mirë atëherë po  është e vërtetë që  i ka humbur pak a shumë vlera asaj pjese, dhe më vjen keq për këtë fakt.

Por fati jem më i mirë është se unë e kam përjetuar kohën kur kënga kishte frymë, jetëgjatësi dhe jam shumë e lumtur që këngët e mia dëgjohen, pëlqehen, këndohen dhe kjo është punë fati.

Por sot edhe i mirëkuptoj me njëfarë forme këngëtarët … po ndodhë ndryshe. Duhet të lansosh disa këngë në muaj që të jesh në hap me kohën. Mua nuk më pëlqen personalisht kjo zgjidhje, por këngëtarët që burim të vetëm e kanë këndimin nëpë klube të ndryshme, nëse kjo është zgjidhja e duhur, edhe publiku i pranon kështu siç është nuk dua t’i gjykoj sepse gjithsecili do ta menaxhoj karrierën e vet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Por unë mendoj se do të vjen koha shumë shpejt se edhe kjo gjë do të rregullohet, sepse edhe këngëtarët e tjerë jashtë vendit, me emër nuk është se nuk kanë mundësi t’i bëjnë 15 këngë në muaj, dhe dëshira e çdo këngëtari është që ajo këngë që realizohet të bëhet me zemër dhe të ngelet për shumë gjatë në mendje.

Gjithsecili e menaxhon karrierën e vet qysh di, do dhe qysh mundet. Por unë nuk jam adhuruese e asaj lloj fryme. Por nëse do të vjen një moment kur unë do të kem nevojë dhe do të mbështetem vetëm te këto lloj koncerte nëpër klube mbase edhe unë do të veproja njëjtë. 

Por pak a shumë dyshoj duke e pasur parasysh karrierën time dhe gjithçka çka kam bë deri tash në muzikë.

Përmes rrjeteve sociale ju u patët ankuar se kolegët e juaj po i këndojnë këngët e juaja nëpër koncerte, pa marrë leje nga ju. Sa është prezente kjo si dukuri dhe cilat janë masat që i keni marrë?

Vesa Luma: Shumë mirë që ma bëre këtë pyetje, të falenderoj shumë. Unë kam përshtypjen që në një moment mund edhe të jem keqkuptuar, sepse jam absolutisht e lumtur kur këngëtarët e rinj edhe njerëzit e tjerë i këndojnë këngët e mia, i luajnë nëpër klube dhe normalisht nuk ka ndjenjë më të bukur se kjo për një këngëtar, siç tham edhe më herët jetëgjatësia e këngës, kjo është gjithçka për një këngëtar që e do muzikën, është diçka që është gjëja më e lumtur për të. 

Por kur kjo abuzohet, apo më mirë të themi kur kjo bëhet pjesë e repertuarit të këngëtarëve të cilët kanë repertuar të vetin dhe nuk marrin leje dhe i bëjnë pjesë të tyre pa leje …kjo më pengon shumë. Por pastaj kthehemi te baza që është puna e të drejtave autoriale, e cila mendoj se është baza e e gjithë kësaj tollovie akustike, ndotje akustike (qesh)  të showbizit të muzikës shqiptare. Nëse do të ishte e rregulluar atëherë çdo gjë do të kishte kuptim tjetër edhe muzika do të ishte më cilësore, dhe publiku do të dëgjonte këngë cilësore, edhe mbase do të bënte mirë të ndante të mirën prej asaj që konsumohet shumë shpejt.

Por kjo ka qenë një reagim i imi i momentit kur i kam parë disa nga videot që mi kishin nisur disa nga ndjekësit e mij. Nuk jam kundër por kam dëshirë të egzistoj njëfarë rregulli dhe ndoshta jam pak naive që e kërkoj në këto kohë. Por e mira s’ka fund apo jo,

Cila është ndjenja, apo përgjigjja juaj, kur ju këndoni në skenë ndërsa publiku këndon njëzëri me ju?

Vesa Luma: Thjesht përmbushje, ndjenja është thjesht përmbushje, emocion. Është arritje, edhe është diçka që do të kisha dashur ta ndaloj kohën dhe ta përjetoj për aq kohë sa marr frymë.

Edhe te këngët ritmike edhe te baladat sikurse edhe te këngët e dashurisë. Aty ku këndon Vesa, publiku janë sy e veshë. Po i përmend vetëm disa nga këngët  që janë lansuar shumë vite më parë, ndërsa  dëgjohen edhe sot : Jemi dhe s’jemi , Edhe një fundvit, Amanet,  Të kan fol keq për mua. Cili është sekreti i jetëgjatësisë së këngëve tuaja?

Vesa Luma: Nuk është se kam ndonjë mënyrë të menaxhimit, po thjesht jam munduar në çdo mëyrë t’ia bëj hizmetin nëse flasim në mënyrë popullore. Kur them e jap shpirtin është tërë ajo energjia kur e realizoj një këngë. Thjesht për mua çdo këngë që realizoj është një projekt i cili duhet të zgjasë. Dhe duhet t’ja bëj hizmetin deri në fund. Këtë e ndjen edhe publiku edhe vazhdojn të jetë me mua kudo ku jam.

Përmes këngëve të juaja , shumë persona gjejnë një ‘copëz’ jete, dashurinë, njohjen me dikë të rëndësishëm në jetë, humbjen e më të dashurit, por gjithsesi edhe festën. A është e vështirë për ju që të përcaktoheni për këto tema të këngëve, dhe jo vetëm një temë çdoherë .

Vesa Luma: Pavarësisht se shumicën e teksteve i kam bërë vet, nuk është se kam përdor diçka përveç dy- tre rasteve nga copëzat e jetës sime personale. Nëse kam bërë, e kam bërë në një mënyrë që nuk është kuptuar. Nuk e di…, edhe pse njerëzit shohin shumë nga unë, pra postime për familjen, muzikën, televizionin, për të gjitha ato, gjëra që kanë shumë rëndësi për mua dhe që janë jetike nuk i kam ndarë me publikun. Dukem sikur ndaj çdo gjë por unë ndaj një përqindje të vogël prej asaj që ndodh në jetën time, nuk e ndaj por e ruaj me shumë fanatizëm. Në raste të rralla i kam përdor në tekste të mia, por kjo nuk do të thotë se nuk do t’i përdor në këngët në  vazhdim sepse do të jetë një kujtim, një lloj ditari apo trashëgimie për fëmijët e mi.

Sot investohet apo shpenzojnë shumë në dukje, veshje të shtrenjta për një paraqitje në klipe ndërsa dikur me pak gjëra por me një këngë të mirë, rezultati ka dalë super i mirë. Çka po ndodhë me muzikën sot?  

Vesa Luma: Ka pasur raste mbase kam investuar edhe unë në këto gjëra. Unë nuk kam asgjë kundër. Sa më përket mua, unë kam pasur raste mbase kam investuar, por në shumicën e rasteve, jam fokusuar të gjej bashkëpunëtorë të duhur, t’ia lë punën profesionistit në dorë.

Edhe pse jam pak kontrolluese, kam qejf  të jem në dijeni për gjithçka që ndodh, nuk është se kam shpenzuar shuma marramendëse për klipe, aktivitete koncerte.

Nuk ka qenë ajo pjesë e imja , diçka që unë e kam pasur për bazë. Po prapë si gjykoj ata që e bëjnë. Kjo sepse  njerëzit kanë pasione të ndryshme. Janë të lirë të bëjnë  çka të duan vetë. Përderisa publiku i pëlqen, i konsumon, unë nuk jam askushi të flas për to.

Cilat janë disa nga mësimet më të vlefshme që keni nxjerrë nga sukseset dhe sfidat në karrierën tuaj artistike?

Vesa Luma: Gjëja që kam mësuar gjatë gjithë karrierës sime dhe më e rëndësishmja  është që ka vend për të gjithë, ndryshe nga koha kur isha e re që mendoja të bëja gjëra më ndryshe, gjëra që si kanë bërë të tjerët, ngarkohesha me gjithçka që nuk ishte e rëndësishme. Por me vite e kupton që ka vend për të gjithë dhe lufta është me vetveten të jesh më e mirë se ke qenë dje dhe jo të jesh më i mirë se tjetri. Dhe kjo besoj se është mësimi më i mirë që kam marrë gjatë gjithë kohës.

Çka morët të mirë nga qëndrimi disa vite në Zelandë?

Vesa Luma: Nga Zelanda kam marrë shumë, kam marrë shumë sa i përket jetës sime private. Jam  bërë më e fortë por edhe më e brishtë, i kam vënë vetes ca kufij të cilat nuk i dija që më duheshin t’i veja.

Kam kuptuar shumë miq, kam kuptuar kush janë njerëzit që më rrinë afër në të mirë e në të keq, kam kuptuar se sa të rëndësishme  janë disa gjëra thelbësore për jetën.

Kam kuptuar po ashtu se e kam shumë të vështirë  të jetoj larg familjes, larg vendit tim, por edhe shumë mësime të cilat kur mendoj mbase sot ndoshta nuk do ta kisha marrë atë rrugë dhe më vjen mirë që e kam marrë në momentin kur nuk kam menduar shumë. Por besoj shumë se ja kemi bërë Lianit një dhuratë që do ta ketë për tërë jetën.

Edhe pse është herët ndoshta, por a keni vërejtur atë dashurinë, pasionin për muzikën tek Liani, sidomos kur ka prindërit këngëtarë?

Vesa Luma: Lianin në këtë aspekt e kam pak më të vështirë ta deshifroj. Të them është herët nuk mund të them sepse unë në moshën e Lianit veçse kam qenë duke trokitur bashkë me prindërit e mi në të gjitha dyert e mundshme që të filloj të merrem me muzikë. Ambicia ime ka qenë qysh në moshën 5 vjeçare, e Liani tash edhe pak i  mbush 8 vjet.

Liani ka vesh për muzikë, sa ka qenë  në Zelandë i ka marrë disa leksione për bateri, e do shumë muzikën ka qejf të realizoj këngë, por nuk ka dëshirë të këndoj, të paktën tash për tash jo.

Është pak më i turpshëm në këtë aspekt. Po ja lë kohës, nuk do të jem nga ata prindër pavarësisht asaj që ne të dy merremi me muzikë që i shtyjnë me zor fëmijët të bëjnë të njëjtin profesion siç kemi bërë vet.

Po e lëmë të eksploroj vet, pastaj po pash diçka që është gjynah që ai talent të mos lulëzojë, atëherë pa dyshim që do të mundohem që t’ja bëj sa më të lehtë rrugën. Por deri tash nuk është se kam vërejtur ndonjë ambicie të ngjajshme  si unë apo Geri. Mbase për instrument po, por për të realizuar këngë  tash për tash jo. Mbase është  herët, ndërsa dëshira ime është shumë e madhe. Por,  unë do ta lë të lirë në çdo zgjedhje që ai do të bëjë.

Për çfarë po punoni aktualisht? Cilat janë projektet e reja që presim nga ju?

Vesa Luma: Për momentin jam duke  u marrë me koncertin tim recital në një vend ku unë veçse fillova rrugëtimin tim, pra në Teatrin e Operës dhe Baletit aty ku në vitin 2004 shkela për herë të parë në teatër dhe dhashë performancën time të parë. Dhe pas 20 vitesh po kthehem pikërisht aty me të gjitha këngët e mia dhe do të relizoj një koncert recital shumë energjik, një recital i cili do të quhet  ‘Pik’ Vese’, i cili do të mbahet me 11 shkurt.  

Një diçka që është shumë më shpirtërore se vetëm koncert. Është diçka që kam pasur dëshirë ta realizoj shumë kohë më parë por ishte pandemia dhe është shtyrë disa herë . Dhe jam shumë e lumtur që po përkon pikërisht në 20 vjetorin dhe pikërisht në ditën kur është shpall Tirana kryeqytet. Dhe me këtë rast falenderoj shumë bashkinë e Tiranës e cila më dha një shtysë të pakursyer për ta realizuar këtë koncert. Ju ftoj të gjithëve të vini, ta shijoni. Unë do të bëj maksimumin, kam marrë një ekip të jashtëzakonshëm, do të jetë bendi Live, orkestër, do të kemi balerinë. Do bëjmë gëra shumë të bukura. Jam e fokusuar në koncert komplet, që pastaj pas koncertit gjithashtu të lansoj edhe Ep-time tjetër.

Një mesazh i juaji për artistët e rinjë, që e duan, e kanë pasion muzikën?

Vesa Luma: Mesazhi im për artistët e rinj është klishe, por që sot kur gjithçka mbase duket pak më e vështirë dhe më e rëndë ndoshta edhe mund t’ju vlejë. Edhe në momentin kur mendoni se gjërat nuk po ecin, thjesht keni besim edhe mundoheni t’i ndjekni ëndrrat e juaja edhe nëse dikush ju thotë s’keni mundësi, jeni në një vend që s’bëhet, apo në një kohë që s’bëhet. Insistoni që të realizoni çdo gjë që ëndërroni edhe nuk thonë kot, ajo që ëndërrohet gjithmonë është e realizueshme. I uroj shumë suksese të gjithëve, dhe kam qenë gjithmonë ajo që kam përkrahur çdo talent që ka pasur talent për muzikë. Uroj të shoh sa më shumë këngëtarë të mirë në tregun tonë muzikorë. Ju falënderoj shumë. /ObserverKult


gabimi nusja nga kosova dritëro agolli poezi observerkult
Dritëro Agolli

Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: NUSJA NGA KOSOVA

Nusja nga Kosova, poezi nga Dritëro Agolli

Kam dashur t’i gjeja dhe nipit tim të vogël një nuse
Andej nga Kosova në fshatrat e thella,
Po kjo ka qenë një ëndërr pas zjarrit me flakë të kuqe
Si valë e flamurit tek shpella.

Ka qenë vërtet një ëndërr në viset e mia me gurra,
Ku Rrjedhin ujrat, por unë etjen e verës zor se e shuaj.
Kam dashur nusen e nipit të mos e marr me vetura,
po veç si qëmoti me kuaj.

Një muaj të tërë le të zgjaste udhëtimi me kalë,
Me pluhur mbi velo të vinte nusja e nipit tek unë,
me dorën time t’ia shkundja duvakun palë mbi palë
Atje tek oxhaku, ku kafja në xhezve bën shkumbë.

Dhe s’kishte gjë, le të binte pluhur i udhës së largët
Në vatrën time të vjetër sa përralla,
Po kjo nuk ndodhi mes botës së ligë e të varfër,
Ku rron ky fisi i ynë i ndarë në dysh plot andrralla,

Ku s’merr dot një nuse për nip a për djalë,
Se fisin e ndanë kufiri me dy pasaporta;
Këto pasaporta s’te lënë të marrësh nuse me kalë,
As me vetura, as me trena dhe as me aviona ndofta…

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult