Nga Teuta Dhima
Autorja Armenida Qyqja, vjen me vëllimin e saj të dytë me tregime të titulluar: “Pirgje të hirta” të cilin e sjell në duart e lexuesit shtëpia botuese Jozef. Temat dhe titujt që një autor përzgjedh, lidhen dhe kanë varësi nga një sërë faktorësh si: përvojat personale, ndikimet kulturore dhe tradita letrare, si edhe konteksti shoqëror dhe historik, që autorja Armenida Qyqja, e ka shumë për zemër. Ajo edhe pse jeton larg atdheut, nuk mbetet vetëm te temat e mallit, mungesës, përmalljes dhe përballjes me shoqëri të ndryshme. Ajo, sy e veshë i ka në atdhe dhe frymëzohet e ndikohet nga rrethanat sociale dhe historike nëpër të cilat kalon shoqëria. Jo pak herë preket deri në rebelim duke luftuar me penën e saj që ka plumba metaforash dhe simbolikash. Kam pasur rastin ta lexoj këtë autore në disa vëllime me poezi dhe një vëllim me tregime dhe më ka lënë përshtypjen e një krijueseje jo vetëm kreative, por edhe tepër intuitive në përzgjedhje, duke iu servirur lexuesve tituj dhe tema që janë tërheqës dhe intrigues.
Titulli Pirgje të hirta përçon një imazh të fortë dhe metaforik, duke i dhënë këtij vëllimi me tregime një dimension të thellë simbolik. Fjala “pirgje” nënkupton grumbuj, diçka të mbledhur, hedhur njëri përmbi tjetrin, por që duke lexuar një nga një katërmëdhjetë tregimet e Armenida Qyqes, interpretohet si një metaforë për të gjitha dhimbjet, zhgënjimet, përvojat që mbartin personazhet. Të gjithë personazhet e sjella në tregime mbartin me vete kujtime jo të këndshme, momente dhe situata nga të cilat nuk dalin dot, e aq më tepër të kthehen mbrapsht.
I vendosur si titull i vëllimit me tregime, ai interpretohet si një përmbledhje e fateve të personazheve, të cilët përballen me ditët e tyre ku variojnë: humbjet dhe dëshirat e mbetura pezull. Titulli përçon, pra, një ndjenjë melankolie, duke vënë lexuesin në pozita reflektimi mbi peshën e së kaluarës dhe mbi atë se si ndikon, në jetën e përditshme.
Autorja duket se ka dashur të inkuadrojë në këtë vëllim të gjithë ato tregime, problematikat e të cilëve kanë një kuadër kohor të caktuar: atë pas viteve ’90⁃të. Rrëfimet e saj sjellin një panoramë të ndërlikuar të të gjitha ndyshimeve sociale, politike dhe ekonomike që ndodhën gjatë kësaj periudhe. Personazhet mbajnë mbi supe histori të mbrujtura me dhimbje, zhgënjim dhe pasqyrojnë qartë, përpjekjet e njerëzve për të mbijetuar dhe për t’i bërë ballë një realiteti të pamëshirshëm.
Kur lexon tregimin “823 metra nën ujë“, nuk mund t’i bësh ballë rrëqethjes, kur një kryefamiljar kërkon gruan e humbur dhe fëmijët në një goditje të vetme. Të tre të mbyllur nën ujë, në kabinën e mbyllur për t’u mbrojtur nga i ftohti. Për ironinë e fatit, ai nuk mundet dot t’i shpëtojë edhe pse thërret dëshpërimisht emrat e tyre, por shpëton një tjetër jetë që e ndihmon të dalë në breg. Përshkruhet lodhja dhe kalvari i Leos, një lodhje e akumuluar, si fizike ashtu edhe emocionale, që e ka shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit të tij dhe përpjekja për të rifilluar një jetë të re. Por, me mesazhin e fundit për Helenën: “E lëmë me kaq. Paç fat!”, Leo duket se e mbyll këtë kapitull të jetës, duke lënë pas atë çfarë nuk po funksiononte dhe duke i uruar asaj fat për të ardhmen. Mbyllja e këtij tregimi me të vërtetë që sjell me vete një përfundim të ashpër për personazhin, por duket se është një fund domosdoshëm për një marrëdhënie që nuk gjen kuptim dhe mundësi vazhdimësie. Me rrëfimin e saj autorja ka prekur një plagë të thëllë siç është ajo e ikjes ilegale nëpërmjet kufirit detar, si një zgjidhje për gjendjen e dobët ekonomike, papunësinë, mungesën e mundësive për të ecur përpara dhe paqendrueshmërinë politike. Të trajtosh një temë të tillë në letërsi, në një farë mënyre dokumenton këtë përvojë të hidhur, dhe është një mënyrë për të mos harruar ngjarjen, eksploruar dhimbjen dhe humbjen e shpresave të të gjithë atyre që u nisën në atë udhëtim fatal për jëtën e tyre.
Një ngjarje po aq prekëse sillet edhe në tregimin Nga zero…, ku një mbyllje e gjetur mendoj se do të lërë gjurmë te lexuesi. Mbyllja e tregimeve është një moment shumë i rëndësishëm, pasi lidhet drejtëpërsëdrejti me mesazhin e përgjithshëm që autori kërkon që të përcjellë te lexuesi. Mbyllja te tregimi “Nga zero…”, është tepër e goditur dhe ngarkuar me emocione, pasi përmbledh thelbin e fatit dhe ironinë e jetës që shoqëron personazhin. Autorja përdor frazën “S’i mbetej gjë tjetër veç t’ia niste sërish, nga zero”, për të ilustruar pafuqinë e njeriut përballë fatit dhe nevojën për të rifilluar nga e para, pavarësisht përpjekjeve dhe sakrificave të mëparshme. Kjo shprehje, që përmbyll tregimin, krijon një ndjenjë universaliteti, pasi shumë njerëz mund ta ndiejnë këtë ndjesi të fillimit të përhershëm, për shkak të rrethanave të vështira apo të disfatave që mund të provojnë në jetë. Përfundimi i tregimit nënkupton që nuk ka asnjë zgjidhje të lehtë; ndonjëherë, jeta kërkon rifillim të vazhdueshëm, pavarësisht sa herë të përpiqesh Kjo është një mbyllje na bën të reflektojmë mbi fatin dhe përpjekjet njerëzore, në një mënyrë shumë prekëse dhe të paharrueshme.
Duke lexuar tregimet e Armenida Qyqes, nuk mund të mos ndalesh në tregimin “Vajzat”, tematika e të cilit trajton një problem të thellë social, siç është ai i prostitucionit, një fenomen që vjen si rezultat i varfërisë dhe mundësive të kufizuara në shoqëri. Por kur personazhet e rrëfimit janë dy vajza në lulen e moshës, studente, të cilat në vend që të frekuentojnë bibliotekat dhe sallat e leksioneve, kënaqin dëshirat seksuale të klientëve të pasur, qofshin ata shqiptarë apo të huaj. Njëra kujton nënën që e ka lënë fëmijë vetëm nëntë vjeç, aq sa nuk mbante dot çantën e shkollës dhe tjetra, prindërit e moshuar tashmë dhe nevojtarë për kura mjekësore.
Trajtimi i një teme kaq të ndjeshme nga ana e autores bëhet përmes një portretizimi të personazheve që kalon përshkrimin e thjeshtë të situatës dhe thekson konfliktet e brendshme, pasiguritë. Lotët e njërës prej vajzave, asaj që shoqja e quante edhe kalama për nga brishtësia, dëshmojnë gjendjen e saj të tronditur pas natës së kaluar me Xhaxhon e pasur që nuk dukej të ishte thjesht i pasur, por ishte dikush në politikë.
Fundi tragjik i njërës prej vajzave si rezultat i shpërthimit të makinës, dëshmon për përballjen e protagonisteve me realitetin e rrethanave që i kanë çuar në këtë situatë. Zgjedhja e këtyre dy filizave që nuk e kishin filluar ende jetën e tyre, formësohet si rezultat i kushteve sociale, ekonomike dhe psikologjike.
Përpos tematikave intriguese rrëfimi i Armenida Qyqes spikat për një përkujdesje nga ana e autores për të qenë përzgjedhëse në detaje, duke përfshirë vetëm elementët thelbësorë në përshkrime e fjalë që kanë një efekt maksimal tek lexon tregimet e saj. Fokusimi në një moment kyç në rrëfim, ose në një ngjarje vendimtare nga jeta e personazheve i bën tregimet e saj të arrira dhe që ju japin hapësirë lexuesve për të interpretuar mesazhin. Informacionet që jepen për personazhet janë të pakta, por të mjaftueshme për t’i portretizuar siç duhet ata.
Në hyrje të këtij shkrimi u ndala në emrin pirgje si pjesë e titullit, ndërsa për ta mbyllur do të ndalem te mbiemri të hirta që lidhet me këtë ngjyrë të zbehtë, të ftohtë, që jo pak herë përfaqson trishtimin dhe një boshllëk të thellë. Pirgjet e hirta të Armenida Qyqes, janë të vërteta të hidhura që duhen dëgjuar si thirrje të fuqishme për t’u ringritur, edhe pse jeta shpesh herë mund të jetë e vështirë, e padrejtë dhe e mbushur me dëshira të paplotësuara dhe zhgënjime.
ObserverKult
Lexo edhe: