Poema «Natë në Montparnasse – (Tout passe par le regard)»/ Timo Flloko dhe “the golden-ratio” i tij parizian
Nga Fulvia Dollmeni Shtepani
Kjo poemë transhendentale, përmes reflektimit filozofik dhe retorikës së rafinuar, mishëruar në një ligjërim poetiko-romantik e lirik, na shpalos figurën e Parisit femër, të personifikuar si e dashura universale (Marr frymë, s’di ku jam, në jetë a në 1001 net?), pasi për autorin, si për Angela Carter*, qytetet kanë gjini, Parisi është femër. Figura simbolike e Parisit, emeton një realitet të pasqyruar prej dhe brenda saj. Ky detaj artistik realizohet me anë të kombinimit të elementeve konkrete, me diçka të përgjithshme, abstrakte (Pigalle, zjarr trupash të gjallë..). Në tisin e ngarkuar figurativ, e veçanta dhe e përgjithshmja referojnë tek njëra te tjetra. E veçanta në kushte të caktuara merr dimensionet e të përgjithshmes (Ja tek shfaqen,si qenie të një planeti tjetër….këto spartane të dashurisë..).
Ernest Hemingway thoshte: ka dy vende ku mund të jetojmë të lumtur në shtëpi dhe në Paris, dhe Timo Flloko me këtë poeme, ku derdh gjithë shpirtin e tij, e konfirmon më së miri këtë. Na duket sikur ai provon një lindje të dytë në Paris, siç thotë Christian Bobin: për të jetuar pak, sado pak, duhet të lindim dy herë: një herë nga mishi e trupi dhe një herë nga shpirti, e para na hedh trupin në këmbët e botës, e dyta na ngre shpirtin në qiell (As rob, as sovran, pa nam e nishan, këtij qyteti pa anë?! Jam i lajthitur?! Mitoman?!).
Spikat në poemë një lloj bashkëudhëtimi-reflektiv, i cili na krijon një urë virtuale metafizike ndërmjet «qenies dhe providencës së madhështisë » (hajde, shpirt dual ; vështrimi i fundit në botë, asgjë më pas tij).
Nëpërmjet hireve e mrekullive të figurës Pariziane, autori ndërton alegorinë e kësaj të fundit, e cila shfaqet në trajta e forma të ndërlikuara të mendimit dhe të veprimit, të përshkuara nga filli poetiko-imagjinativ.
Qenia jeton, ndjen, prek dhe përpiqet të zbulojë e rizbulojë magjinë e madhështisë së providencës (Erdh’ koha e flijimit, vetë e zgjodha fatin tim, i vetëm ; për t’u shenjtëruar s’mjaftojnë vetëm krahë. …).
Pikëpyetje (aurora ime, mos është një lëvozhgë ëndrre), përkushtim, paskajësi, vargje që të shkulin zemrën (zemrën lashë peng..), si një pus i thellë, erosi filozofik i autorit na gllabëron.
Ky komunikim primordial i qenies me metafizikën transformohet nga procesualiteti i pasur i semantikës, duke rritur peshën e problematizmit të çështjeve ekzistenciale, të pyetje- përgjigjeve të përdorura nga autori me mjeshtri dhe gjëndjes emocionale të tij, e cila vënde-vënde shndërrohet në mendim për të pamendueshmen. Epopeja alegorike e Timo Fllokos nëpërmjet begatisë stilistike dhe një ndër-diskursi autentik, shpalos nocione themelore të megakosmosit dhe mikrokosmosit të tij, mbi kuptimin e jetës, dashurisë, artit ndërsa imagjinata i bëhet mjet, për të transformuar konceptet apo sendet abstrakte në konkrete apo të prekshme. Ideja e vetmisë (askush s’mund të më gjejë në botë, veç vetes..), e largimit (këto spartane të dashurisë, …tundojnë mijëra odise të penduar dhe mua), apo e tjetërsimit (tej realitetit, në hiç,ku breng’ e dhimbje s’ka;ç’vlen prekja që na bjerr; dashuri, mizore je, vetë vdekja), brëndashkruan në vetvete,një efekt magjepës që na trazon, i cili mëton të nxjerre në pah vlerën estetike e filozofike të kësaj poeme, ku mendimi shpërthen me një gradient depertues, përmes imazheve maramendëse pariziane.
Sikur këtë poemë ta mbyllnim në një muze, ajo do të të kthehej në një skulpturë shumëkokëshe, të ngjashme me atë të një dragoi mijëvjeçar që me profilet e tij shpërfaq portretet e Parisit gjatë shekujve.
Ndërtimi tipologjik i figurave simbolike ngjan me një kollanë me «gur të çmuar fjalësh», që i varet në qafë harkores së jetës.
Poema shëmbëllen me një tabllo të pariziane proteiforme, ku konfiguracioni i gjetur, ka krijuar natyrshëm, një strukturim të balancës konceptuale, duke na dhuruar kështu, vizione figurative jo vetëm reale, po edhe imagjinative, me një golden ratio, historiko- estetiko-ndjesor, që i bën të nguliten në mbamendjen e lexuesit, për tu fertilizuar në vijim prej imagjinatës së tij.
Poema «Natë në Montparnas- (tout passe par le regard)» e shpall autorin njëkohësisht profet dhe magjistar (do të kalojë një jetë, njëqind, një mijë. Hyj; vështrimi i fundit në botë, asgjë më pas tij; fund për ata që lakmojnë të pamundurën; koka kush pret, kokat i priten; mos u inatos, Paris, më kot ngërdheshesh, s’ke arsye të më urresh. I dobët ndihem para teje, rob, nga shpirti i ndjeshëm, jo nga komplekset).
Në një perspektivë psikologjike, poezia përfaqëson proceset e ndryshimit të identitetit dhe adaptimit ndaj këtyre ndryshimeve. Dialektika jetësore i udhëheq njerëzit drejt një domosdoshmërie natyrore për të ndryshuar dhe kuptuar veten (Erdh’ koha e flijimit, vetë e zgjodha fatin tim; në s’të lumturon askurrë, asgjë, shkak është vetmia ; Udhën e nëndheshme marr fillikat drejt portave të mëkatit).
Kjo poemë dëshmon për një pjekuri dhe një thellësi mendimi në retorikën e krijimit të vargut, gjithnjë në kërkim të përsosmërisë. Memorja historike çkyçet me delikatesë aty aty ku emocionet luajnë vals (Po ç’vlen kujtesa? Në Pantheon mbolla zemrën), aty ku flatrat e ëndrrave mbartin materien rënqethëse të shpirtit.
Parisi është një enigmë që zgjon në vetëdijen e autorit shëmbëlltyra origjinale, larmishmëri intelektuale-emocionale, ligjërim të drejtpërdrejt e abstragues të pangjashëm me asnjë tjetër dhe një sintezë liriko-filozofike me elemente avangardiste. Për Timo Fllokon, Parisi është qyteti më i bukur e më romantik në botë, një gjithësi më vete, i kompletuar, i adhuruar si një hyjni, që sipas mënyrës që shkruan, në heshtje duhet ta quajë Pariso-Hyjni.
Ai është qyteti i të gjithave fantazive, nga ato më makabër (gijotina), deri tek ato më oniriket (nimfat), kozmogonia, jeta, vdekja, dashuria, qyteti ku «çdo gjë që ndodh është pak, çfarë s’ndodh është më tepër». Parisi eshtë qyteti ku bashkëbisedojnë perëndi, shenjtorë, filozofë, prostituta, engjëj dhe vizitorët e dashuruar me të në përjetësi, pasi vizioni i tij pluhërëzon çdo algoritëm pretendimesh vanitoze.
Poema duhet lexuar me vëmëndje e përqëndrim për të zbuluar të gjitha nuancat e reflekseve të ngjyrta, të një shpirti ylberian, qe shpërthejnë si sythet e degëzave në pranverë.
ObserverKult
Lexo edhe: