Nga Fulvia Dollmeni Shtepani
Poema e Timo Fllokos “Takim me të dashurën Mari në vitin 9000, E =mc2“, është një përqafim i thellë poliedrik i gjithë universit të arsyes, dhe jo vetëm pushtim i tokës me krahët e tij, siç shprehet autori. Në gostinë e një matrice metafizike të ndërlikuar, merr pjesë, jo vetëm poeti, por edhe filozofi e shkencëtari, duke zgjedhur menunë ndërmjet « gjithshkasë dhe asgjësë », « i çliruar prej fobisë vanitoze të vdekjes », në kërkim të gravitetit eterial artistik. Timo Flloko nuk pranon dot të jetë « një hiç i përkohshëm », ai i bindet të vetmit postulat, çastit, si « sovran mbi jetën, vdekjen dhe fatin ».
Pasuria dhe plasticiteti i materies verbale në transformim të përhershëm, përbën dialektikën hegeliane të poemës, transkriptuar nëpërmjet përplasjes alegorike e metaforike të të kundërtave.
Kjo poemë është ftesë feste, për të jetuar poetikisht botë-jetën tonë humane. Autori bëhet mesazheri i interpretimit ekzistencial të të tre horizonteve jetësore: të shkuarës, së tashmes dhe të ardhmes,…
Nëpërmjet një kampi leksikor shumë të pasur e një figuracioni të ngjeshur, autori duket sikur galvanizon pjesën e mendimit subjektiv aksiomatik, jo-konform me refleksionin e thjeshtëzuar aforistik.
Çdo orientim drejt objektivizmit apo realizmit, përshfaqet si rrugëtim drejt subjektivizmit shirtëror, pasi autori vuan nga sindroma e ëndërrimit.
Jeta shihet si inkubacion viral përkohësie, hiperbolizuar nga kotësia e arsyes dritë-shkurtër. Kompleksiteti i informacionit i përthyer në faqet e një prizmi kohë-hapësinor, arrin deri në skajet e transhumanizmit në kërkim të modelimit të qenies, duke i lënë asaj si të vetmin mjet mbrojtje, ekspansionin drejt pafundësisë e përjetësisë.
Figura e Marisë nuk di pse më ngjan me Zarathustrën e Niçes (Nietzsche), mbase, pasi dialogu me të, ekzalton virtytet që (autori) dëshiron të mbivlerësojë, nga njeriu tokësor deri tek kalorësi i dritës.
Çdo çast obskur i së tanishmes së çmuar, duhet fekonduar nga ndritshmërija e mendimit dhe ndjenjave më fisnike.
Poema përshkohet nga një shkëndijë influence reflektimi filozofik, sa parasokratik aq edhe pindaristik, e cila distilohet në disa shprehje lapidareske, si: .:Vrit bishën kohë, heshtjen; rend me të dritës shpejtësi; ngrirje e jetës mijra vjet; efektet fatale, as vdekje as jetë, veç pafundësi ; gjumi pa zgjim“; s’mund të jem një hiç i përkohshëm; ç’ janë disa grimca vitesh për dashurinë; botë rrëshqitëse pa kufij; çasti është sovran mbi vdekjen dhe fatin; koha është infinit; lumturia paguhet shtrenjt në jetë ; u mbytën qiejt, ect..
Ndjehet fuqishëm ekzaltimi i “heroit -njeri”, megjithëse ky i fundit mbështillet me petkun transhendent të dobësisë së tij efemere. Vepra ngjan me një krijim agustinian, ku poezia nëpërmjet konfesionit, lartësohet në shtratin filozofik, e filozofija përmes simboleve të fuqishme lundron në universin e misterit. Dashuria, guximi, liria, nuk tkurren nga skllavërimi i kohës (ç’janë disa grimca vitesh për dashurinë), po nga ngurresa njerëzore, humborja ku njeriu zhytet duke psherëtirë, nuk zhduket nga mallkimet dhe frika, por nga dëshira për ta parë jetën në sy, e duke rendur siç thotë autori , « në zgrof të jetës me të dritës shpejtësi ».
Fenomenologjija e shpirtit human kulminon në figurën enigmatike të poetit -filozof.
Kjo poeme është një “filozofemë”.
ObserverKult
Lexo edhe:
“LINDUR SË PRAPTHI”, NJË ROMAN KU ARTIKULOHET GUXIMSHËM E VËRTETA E SË KALUARËS