Vetëmohimi iu bë emblemë në jetë

xhabir ahmeti - për luraninn
Luran Ahmeti

(Përkujtim për Luran Ahmetin)

Nga: Refet Abazi

Për Luranin duhet të shkruhet dhe do të shkruhen shumë gjëra, në varësi të raporteve që kanë pasur me te, ata që do shkruajnë, qoftë shoqërore apo profesionale. Mua më janë ndërlidhur raportet me te në disa dimensione, pasi unë e kisha student, raport që e zhvilluam si shok e vëlla dhe profesional si koleg që ndanim të njëjtën etikë pune. 

E kisha takuar shumë herë në teatër pasi ai si djali i Xhabir Ahmetit domosdo vendin ku e gjente përherë babain e tij e kishte në teatër. Atë kohë studionte gjuhë dhe letërsi, ishte diku viti i dytë dhe bashkë më një mikun e përbashkët Gazmendin më ftuan në shfaqjen që kishin përgatitur.

  • Ai ia vlen shfaqja? E pyeta sa për ta provokuar.
  • Shfaqja nuk është kushedi se çka, u përgjigj, por mua më ka shijuar shumë procesi i krijimit të shfaqjes. Provat ishin ato që më kanë sjellë shumë kënaqësi.

Ngela i hutuar, unë kisha mbaruar shkollën e aktrimit dhe si në çdo shkollë kishim konsultuar literaturë profesionale, dhe për mua një nga shtyllat e asaj literature ishte libri i Anatolij Efros që në maqedonisht ishte përkthyer si “Prova, dashuria ime”, ndërsa në anglisht ishte “The Joy of Rehearsal”. Po ku e dinte Lurani këtë? Pyeta veten, dhe u përgjigja, me siguri Xhabiri e ka librin në bibliotekën e tij dhe ky e ka lexuar.

  • E paske lexuar librin e Anatolij Efros-it?

 E pyeta për të qartësuar atë mjegullnajë në kokën time. Ai flet kështu ngjashëm si ti për procesin e krijimit të shfaqjes.

  • Jo!

U përgjigj preras Lurani, as që e kam dëgjuar këtë shkrimtar.

  • Është regjisor, i thash, jo shkrimtar!
  • As emrin nuk ia kam dëgjuar.

U përgjigj dhe vazhdoi. Është vërtetë shumë interesante ndjenja që në çdo provë zbulon diçka brenda vetes dhe të hapet një dritare shtesë se si e sheh personazhin, nejse unë flas si amator, se ti i di më mirë këto gjëra. Por vërtetë kishte prova që nuk ecte fare procesi, sikur ndodhesh para një dere në të cilën troket e troket pa pushim, por ajo nuk hapet. E në disa prova vetvetiu hapen shumë dyer sikur të kesh ndonjë çelës të padukshëm brenda vetes.. Nuk e di si ta shpjegoj, por më ka shijuar shumë.

E pash shfaqjen, ishte ashtu siç tha Lurani, por unë ngela duke menduar me çfarë intuite ky djalë i ri kishte arritur të depërtoj në procesin e krijimit skenik!

            Po atë vit u hap klasa për aktor pran FAD në Shkup, dhe Lurani, aplikoi duke i tërhequr dokumentet nga fakulteti ku ishte duke studiuar. E kishte ndarë mendjen, skena ishte mrekullia që kishte zbuluar dhe dëshironte ta shijoj në maksimum. Gjatë studimeve së bashku erdhëm në një konstatim se teatri është një oqean i madh përplot me mrekullira, dhe se në akademi duhet të mësohen teknikat se si të notohet në atë oqean.

  • Kuptohet, shkolla nuk të bën artist, thoshte shpesh Lurani, ne këtu duhet të mësojmë notin që të mund të qëndrojmë mbi ujin e këtij oqeani, pra që të mos mbytemi në të. Ndërsa gjithë jeta e artistit është tentim i përsosjes së teknikës së notimit në këtë oqean. 

Dhe ashtu ndodhi. Lurani e mishëroi më së miri definicionin e aktorit që e kishte thënë aktori ynë i famshëm Bekim Fehmiu. “Aktori është një minator që gjithë jetën gërmon brenda vetes, për të nxjerr ato pak gjëra të vlefshme që i kërkon personazhi”! Ta duash procesin e punës e jo rezultatin final është thelbësorë në çdo punë, e në veçanti në krijimtari. Kjo qasje aktorin e bën autor dhe krijues, duke e vendosur në qendër si shtyllë kryesore të artit skenik. Por a është kjo rrugë më e lehtë? Jo! Sepse kërkon përkushtim maksimal deri në vetëmohim. Pra duhet të jesh vetëmohues në raport me diçka që është mbi interesin personal. Lurani e zgjodhi këtë rrugë, pra rrugën më të vështirë. Ndoshta kjo rrugë e kishte zgjedhur Luranin, pasi ai këtë ndjeshmëri e kishte para se të filloj këtë profesion. Nuk kishte si të ndodh ndryshe, sepse ai që në moshë të re kishte parë vetëmohimin e babait të tij, për diçka më të madhe se interesi personal dhe familjar. Babai i tij ishte vetëmohues kur nuk pranoi oferta komprometuese nga sistemi i kaluar ( që në rastin e Xhabir Ahmetit përndjekja zgjati deri në vitin 1997), ofertat ishin me shumë të mira e me begati materiale, por duhej shitur shpirtin sistemit (shërbimit), të cilit duhej t’i shërbej! Xhabiri nuk e pranoi ofertën! Me këtë filloi kalvari i persekutimit në mënyra më çnjerëzorë, ku Lurani , Linda dhe Nëna e tyre ishin dëmi kolateral.

            Në raste të ngjashme fëmijët që nuk e kuptojnë dimensionin e veprimeve të prindërve, kthehen në oponencë të vet prindërve.Por kjo nuk ndodhi me Luranin.Përkundrazi, ai krenohej me veprimet e babait të tij, sepse ai kalvar i vuajtjeve në moshë shumë të re, vetëm se e kaliti dhe ia hapi dimensionin e perceptimit të gjërave përtej interesit personal. Ishte hera e parë që përjetonte vetëmohimin, që më pas ndoshta pa e kuptuar do i bëhej emblemë në jetën e tij! Fundja at fat kishin edhe: Teki Dervishi, Jusuf Gërvalla, Dush Kusari, Beqir Musliu dhe familjet e tyre. Ai e ndjeu thellë brenda vetes, se vetëmohues ia vlen të jesh kur atë që e bën e bën për diçka që ti e donë shumë më shumë se veten. Pra, ishte një vokacion, thirrje që ai e ndjeu brenda vetes për ta bërë atë që e bëri.

Ekziston diçka shumë më e madhe se ne, që na thërret, thoshte shpesh, dhe ne duhet t’i përgjigjemi asaj thirrjeje, sepse është shumë më shumë se ne dhe ajo se  çka jemi ne. Kështu arriti edhe te profesioni i tij, aktrimi.

Aktrimi, jo vetëm profesion! E përdorte shumë këtë shprehje, ndoshta e ka lexuar diku, apo është thënie e ndonjë aktori që ai e pëlqente, thosha me vete. Deri sa ma tha me fjalët e veta në shumë debate që kishim për aktrimin.

  • O Prof, aktrimi nuk mund të jetë vetëm profesion, se aktori nuk është postier që i shpërndan letrat dhe pas orarit të punës shkon në shtëpi. Postieri nuk mendon fare për letrat që i ka shpërnda, sepse ai nuk ka asnjë interakcion me brendinë letrave që ua ka dorëzuar pranuesve të letrave, pasi ai nuk i njeh as pranuesit e as dërguesit e letrave. Në ato letra mund të ketë vullkane emocionale, poezi, gëzime, hidhërime, pikëllime, lajme të kobshme, kumte hyjnore, por të gjitha këto nuk komunikojnë me postierin. Ai thjesht i bart ato nga dërguesi tek pranuesi. Kuptohet, nëse pranuesi është në radarin e shërbimit të shtetit atëherë letrat lexohen, por kjo prapë nuk ka të bëj asgjë me postierin. Ndërsa me aktorin është krejt ndryshe. Vullkanet emocionale, poezinë, gëzimet, hidhërimet, pikëllimet, kumtet hyjnore duhet t’i (për)jetoj në skenë. Aty, mu përpara syve të publikut (pranuesve) në sallën e teatrit. Për ta bërë këtë nuk mund të kesh orar pune e as rregulla pune, sepse secili rol kërkon gjëra të ndryshme nga aktori. Dhe kur është në proces krijimi, aktori jeton çdo sekondë të ditës duke kërkuar atë që personazhi kërkon nga ai, pasi ai, personazhi kërkon të ketë jetë të plotë në skenë, e këtë jetë duhet t’ia mundësoj aktori.

Kështu punoi, me përkushtim të plotë duke vetëmohuar veten në dobi të personazheve që luajti. Prandaj edhe sukseset iu radhitën, pasi që nuk mund të ndodhte ndryshe. Kur i jepesh aq shumë personazhit është e domosdoshme që personazhi të komunikoj fuqishëm me ata që e shohin apo përjetojnë, dhe komunikimi i tillë i personazhit është meritë e aktorit që i jep jetë personazhit. Por, nuk ishte kështu vetëm në punë. Vetëmohimi iu bë edhe emblemë në jetë. Asnjëherë nuk e vinte veten përpara atyre që i donte, në veçanti familjen.

-Unë jam shumë konservator kur është fjala për familjen, thoshte shpesh.

Prandaj edhe ata që e kishin miq e donin skajshmërisht, pasi kontaktonin me vetëmohimin e tij, dhe kjo ishte dhe është gjë e rrallë në shoqërinë tonë. E kishte si mision të vetin që të jetë i fortë. Sikur ia kishte ngarkuar vetes si mision që të kujdesej për më të dobëtit, në veçanti për familjen. Por, kjo edhe ia kishte krijuar të gjitha parakushtet që të bëhej ashtu si edhe u bë: i dashur dhe bashkëpunëtor i mrekullueshëm me të gjithë ata që e donin punën dhe përkushtimin. Besoj se nuk ka aktor apo anëtar i ekipit të filmit ose shfaqjes që të mos e kujtoj Luranin, sepse ai e respektonte punën e tjetrit.

“E si të pres të ma çmojnë punën, nëse nuk e çmoj punën  e tjetrit”, thoshte përherë! Këtë e vërejtën edhe kolegët në serialin “Sulejmani i madhërishëm”, ku u ballafaqua me shumë fjalë e shprehje në skenar, të cilat ishin nga turqishtja vjetër. Këto fjalë edhe kolegët që jetonin në Turqi kishin probleme t’i shqiptonin. Por, jo edhe Lurani! Lurani me skenarin në dorë, me ditë të tëra, kishte bredhur rrugëve të Stambollit duke takuar njerëz në moshë që t’i pyeste për ato fjalë dhe shprehje. Kështu e kishte perfeksionuar drejtshqiptimin e tekstit para kamerave, për çka fitoi shumë respekt nga kolegët në Turqi.

Kur filloi ajo murtajë me atë virus të poshtër, që as emrin nuk mund t’ia përmend, ndjehej i frikësuar. Në takimet e shpeshta “për kafe”, siç thoshte, mbante distancë në tavoline dhe gjithnjë me maskë. Unë në shumë raste mundohesha temën e virusit ta relativizoj me humor, gjë që ai nuk e pranonte. Aspak! Ishte i prerë! Duhet shumë kujdes, është virus shumë i rrezikshëm, thoshte. Sikur kishte ndjerë që ai virus do të kërkonte prej tij sakrificë, dhe ndjenja e vetëmohimit ishte aty te ai. Dhe ai ishte gati që të sakrifikohej.

  • Më duhet të mbroj Babain dhe Nënën sepse janë në moshë, pastaj Linda është shumë e rrezikuar, kam frikë që mos ua çoj virusin në shtëpi. I kam izoluar të gjithë në shtëpi me regjim të plotë karantine dhe më duhet edhe mua të jem shumë i kujdesshëm. Më duket vetja si Kerber që po mbroj derën e shtëpisë, në këtë rast. Duhet patjetër deri sa të dalin vaksinat.

-Të kuptoj, i thosha. Sepse ndjeja se ai kishte një diçka që mund ta quaj parandjenjë. Sikur kishte ndonjë komunikim me atë virusin e poshtër dhe ia dinte mirë qëllimet. Sikur ishte në pararojë të familjes së tij. Sikur dëshironte që nëse virusi ka në listë dikë nga familja e tij, ai do bënte marrëveshje të zinte vendin e secilit të familjes. Ishte gati të sakrifikohej, vetëm më të dashurit e tij të jetonin. Në një rast më tha “kam punuar mjaftë”, trupin ma përshkoi një rrëqethje dhe fillova të tallem duke dashur të largoj atë ndjenjë të poshtër që më kaploi. Arrita shumë pak nga ajo që doja, sepse në shikimin e  syve të tij ndjeja sikur kishte komunikime të përtejme.

Derisa i kam parë sytë e Arbës, nuk besoja se engjëjt ekzistojnë, më thoshte kur bisedonim për temën e tij të jetës. Kishte aq shumë plane për Arbën sa që një nga planet më kishte përfshirë edhe mua.

  • Dëgjo prof. kur Arba të vij në moshë… e din ti… se do e gjuajnë shumë djem… më kupton…?
  • Po. Përgjigjesha.
  • Kur ajo… mendoj Arba të … e ke parasysh… të vendos për ndonjë që i pëlqen… duhet të ma prezantoj…
  • Dhe?
  • Dhe… mendoj se duhet ta takojmë ne të dy, si punë testi… e ke parasysh… t’ia bëjmë atij tipi një test hesapi.
  • Çfarë testi?
  • Nuk e di… ti p.sh. do e pyesësh për tema serioze, intelektuale, për jetën… për libra. Se Arba i do shumë librat.
  • E ti, çka do bësh ti?
  • Unë vetëm do e shikoj si do sillet dhe do e pyes për mangupllëqe… kupton, se i dashuri i Arbës përveç këtyre temave të tua, duhet të jetë edhe pak mangup… kupton.
  • Lul, po nëse Arba vjen me të në tavolinë dhe na thotë “babi unë e dua”, çka do bëjmë ne të dy, do qëndrojmë   aty si dy gomarë?
  • Eeee… nëse vjen ashtu Arba dhe thotë ashtu… asgjë nuk bëjmë… nuk e di si do ndjehem. Por do e porosisim nga një birrë dhe do i them GËZUAR ZEMËR, qofsh e lumtur përjetë!
  • Po pse duhet të jem unë aty? E pyeta.
  • Sepse ti më ke thënë diçka për Edlirën, të kujtohet?

U ndala dhe e kujtova ngjarjen. Kishte premierën e shfaqjes “Paraja”, sapo ishte kthyer nga Turqia dhe e kishte si rikthim në skenë pas një kohe. E kishte me shumë siklet.

  • E kam siklet kondicionin, thoshte. Nuk e di a do ia dal, pasi e shoh që kolegët kanë kondicion në skenë, unë ngeci pak. E shoh se Xhevda nuk e ka problem fare, kurse unë  lodhem. Sepse filmi dhe seriali të bëjnë pak dembel duke punuar skena të veçanta. Teatri kërkon kontinuitet të plotë, çka do bëj kur të vijnë kalimet e komplet shfaqjes.

Ishin fjalitë që i dëgjoja në çdo takim që kishim pas mesazhit “Fiiiiiyyyyyyyy… prof….. kafe…?”. ishte kënaqësi ta dëgjoje atë përkushtim dhe përgjegjshmëri në punë. Kuptohet, filloi vrapin në mëngjes dhe rregulloi kondicionin. Pas suksesit të premierës në kulmin e festës para tavolinës time u afrua me një vajzë, na prezantoi si Profi dhe gruaja e profit, “Nusja e profit” ndërhyra unë. “Po patjetër, nusja”, u korrigjua dhe duke prezantuar vajzën tha “Edlira, e dashura ime”. Asnjëherë këtë fjali nuk e kisha ndjerë aq të plotë, që të përfaqësoj aq saktë çdo germë që përbën ajo fjali. Pas më pak se 10 minuta duke parë e dëgjuar Edlirën, më shumë e shikoja se si ajo e shihte Luranin, i bëra me shenjë të dalim jashtë. “Me siguri Profi do më qortoj diçka, dhe nuk do ta bëj këtë para teje”, i tha Edlirës dhe dolëm nga lokali. Kur dolëm aty në tarracën e qendrës “Mavrovasja” na shijoi qetësia pasi zhurma mbeti pas derës së lokalit.

  • Fol Prof, më tha duke ndezur cigaren, e ndeza edhe unë një.
  • Lul, kjo vajzë do të bëhet gruaja jote, kjo do të të bëj ty Baba, e ajo do bëhet Nëna e fëmijëve të tu.
  • Uou Prof, avash he burrë se më mplake para kohe, më martove e më bëre Baba! Çka të shkrepi kështu?
  • Nuk e di, i shihja sytë e saj si të shikojnë ty.
  • Si më shikojnë mua?
  • Ai shikim është i plotësuar, kur të shikon ty shikimi i saj është i plotësuar, nuk ka nevojë për asgjë tjetër, apo asgjë shtesë. I mjafton ajo që sheh pasi e plotëson, kjo më gëzoi shumë prandaj desha të ta them. Gëzohem për ty, i thash.
  • Ngadalë Prof, ti e di se unë dua t’i mbaj opsionet e hapura, por jetës nuk i dihet.
  • Mendoj se shikimi i sajë do t’i mbyll opsionet.

Nuk foli, më shikoi siç e kishte zakon duke anuar kokën anësh në profil dhe qeshi. Si duket kishte kohë që e kishte ndjerë atë që po ia thoja unë. Pastaj në qetësi i mbaruam cigaret dhe u kthyem në lokal mes zhurmës e festës. Disa muaj më vonë më erdhi ftesa për në dasmën e tyre.

Dasma ishte dhe është ende brenda meje tregim më vete.     

Në planet për më të dashurit e tij, ai përherë ishte në rol sporadik. Asnjëherë nuk e imponoi veten para tyre. Te ai mishërohej ajo shprehje e nënave tona vetëmohuese “t’u bëftë Nëna kurban”, dhe ai ishte gati të bëhej kurban për më të dashurit e tij. Dhe… për fatin e keq tonin… ashtu ndodhi.

Mendoj se goditja që ai virus i poshtër i bëri familjes së Luranit ishte me përmasa të tragjedive më të rënda antike. Sikur vdekja e zgjodhi atë familje aq të përvuajtur nëpër kohë për të përfunduar qepjen mantelit të vet me ngjyrën më të zezë të mundshme. Ajo ngjyrë sterrë e atij manteli vetëm në shkëlqimin e syve të Arbës zhbëhet, sepse aty në ato sy jeton Lurani. Në sytë e Arbës që tani është shtylla e familjes është triumfi i tij ndaj vdekjes. Nuk fitoi ajo me atë mantel të zi, sado që tentoi të rrënoj një familje! Shkaktoi vetëm dhembje me përmasa kozmike, por kjo dhembje do e bëj Arbën më të fortë, do e bëj ashtu siç ai kishte dëshirë ta sheh bijën e vet. Jeta e Luranit kishte vetëmohimin si emblemë, ndërsa Arba ka emblemë Babain e saj.      

ObserverKult


Lexo edhe:

SA E RËNDË ËSHTË JETA PA TY LURAN, BIRI IM!