Ju ftojmë të ndiqni në interpretim të Simon Shkrelit “Nuk jam i huaj” nga Rafael Amor:
Mos më quej të huej pse kam lindë larg a pse ka nji emën të ndryshëm Toka prej kah vij.
Mos më quej të huej pse nji tjetër gji e gjuhë u përkujdes për temen fmini.
Mos më quej të huej n’se n’dashuninë e nji nane kemi eksperimentue t’njajtën dritë në kangë e puthje me t’cilat andrrojnë në t’njajtën mënyrë nanat përkundër krahn’orit të tyne.
Mos më quej të huej e mos mendo prej kah vij, ma mirë me ditë kah shkojmë, ku koha na çon.
Mos më quej të huej pse buka dhe zjermi jot qetojnë urinë dhe të ftohtin tem e çatia jote m’bjen iman.
Mos më quej të huej, gruni jot â si gruni jem, dora jote si e jemja, zjermi jot â si zjermi jem dhe uria nuk paralajmnon kurrë, jeton tuj ndërrue padron.
E më quen të huej pse më ka prue këtu nji udhëtim, pse kam lindë në nji tjetër Vend, pse njoh të tjera dete e nji ditë zdrypa nga nji port tjetër, por gjithnji janë njilloj në momentin e lamtumirës facoletat dhe pupilat e hutueme t’atyne që lajm´ larg, miqtë që na thërrasin n’emën e janë të njajtat lutje dhe dashnia e asaj që andrron ditën e kthimit.
Mos më quej të huej, kena t’njajtën vrrimë, t’njajtën lodhje t’mplakun që vjen tuj e tërhjekë njeriun prej fillesës së kohëve, kur nuk ekzistonin kufij, para se t’vijshin ata, ata që rrejnë, që shesin andrrat tona, ata që nji ditë shpikën këtë fjalë: I Huej.
Mos më quej të huej pse asht nji fjalë e trishtë, a nji fjalë e ngrieme, që ka erën e harresës e t’mërgimit.
Mos më quej të huej, shikjo birin tand e temin si vrapojnë dorë për dore në fund të shtegut!
Mos më quej të huej, nuk njoh gjuhën, limitet, flamujt; shikjoji, shkojnë për kah qielli me nji buzëqeshje, pëllumb që i bashkon në flutrim.
Mos më quej të huej, mendo për vllaun tand e tem, trupin plot me plumba që puth për vdekje tokën.
Nuk ishin të huej, njiheshin prej nji jete, për lirinë e përjetshme, njilloj t’lirë kanë dekë.
Mos më quej të huej, më shikjo mirë në sy ma përtej urrejtjes, egoizmit dhe frikës.
E do të shikjosh që jam nji njiri. Nuk mundem me kenë i huej!
Përkthimi: Elona Çuliq