VIDEO-POEZI: Shkëlzen Veseli interpreton poezinë “Nâna” të Halil Matoshit

(Pamja kur thyhet dita e luledielli kthen kryet nga Perendimi e nana bahet gati me na braktisë)

Doket fort e mrrolun lulediellja dhe hijerandë një lulediell
dytë pulitin petalet dhe mbyllen si portat e një Ksh’tjelle mesjetare para hoveve t’anmikut
Farën me e ruejt nga e panjohuna kur nata bie
Siç i rrokë n’gryk’ nâna fëmijët e vet
me qinda gishtrij t’artë të njëmbëdhjetë duarve!

Kur dita nis me u thye…

Nâna duhet me pasë nga një dorë për secilin fëmijë!

Masanej nana seç rënkoi dhe u mbajt fort me dyja duert për beli
Lodhun hyjnishëm
Ktheu shikimin nga fëmijtë e saj dhe pa ata të plakun e t’thinjun
Ishte vegimi i saj i mbramë dhe po i kujtohej t’u ketë ndjellë pleqninë me ninulla
“Nina –nana n’djep p’ej druni – ti mu bâfsh plak katuni”
Qe dmth me u bâ i zoti dhe prijës në botën e vogël

Nisi me u vyshkë, u t’hollue aq sa lehtas thehej n’midis
Nâna
Dhe u këput një ditë nandori sic këputen gjethet e bien

U këput lidhja jeme me lojnat
serioz u bâna
U këput lidhja jeme me fisin dajët
e bijat dhe bijt e tyne
Nuk i shoh ma!?

Sarajet mbulue me fier janë rrxue dhe ândrrat jane zhbâ

S’i kam pâ mâ as ndie fqinjet e trishtueme që e thërrisnin nânen
për barishtat e saj çudibamëse
tana dhimtat me ua prâ…
tuj rrotullue lugë si në një cirk aziatik
për me u kthye ujë mësyshi tuj shymë thengjill e tuj u dhânë me pi
si në një teatër mistik…

mos kanë dekë tashmâ!?

U këput epoka p’ej epoke
Si fije bari që shkëputet prej toke…

Tash jam një zotni i thinjun dhe due me thanë
Se hala kqyri n’oborr nânën me e pâ
tek mbjell barishta, lule jasemini, luledielli, farna t’ndryshme

andrra me sy çelë shoh…
andrra me nânë!

E shoh herë me brina t’artë kaprolli e herë me krahë pëllumbi t’plaguem
Tuj vrapue nëpër jetë deri në flut’rimin e gjymtë krahëthyem
Deri në ramjen përfundimtare
Dhe shkëputjen nga unë, fëmija…

ObserverKult