Vija e ujit- origjina e padukshme

Atlasi Ujor Metafizik (AUM)

Nga Ismail Syla

Prologu i heshtjes: kur fillimi nuk ka formë. Para se uji të bëhet trup, ai është intencë. Në fillim nuk ka ujë. Ka kurth në dhe të padukshëm. Një dridhje e brendshme e tokës, një peshë e lehtë që kërkon rrugë, një padukshmëri që shtyhet përpara pa dije, pa plan, pa emër. Dhe nga ky kurth lind vija. Vija e ujit është mrekullia e çastit të parë ku bota njofton se do të fillojë një histori, por historia vetë nuk është shfaqur ende. Pra, ashtu si njeriu, edhe uji ka një moment të parë që nuk ka zë, por ka dëshirë, nuk ka formë, por ka drejtim, nuk ka trup, por ka impuls brenda errësirës së tokës. Kjo është arsyeja pse vija e ujit është më afër metafizikës sesa gjeografisë: ajo është si fjala që shqiptohet brenda mendjes para se të bëhet tingull.

Vija si shenjë e padukshme e krijimit. Gjeografët thonë se vija e ujit është çarja më e hollë nga ku uji nis. Filozofia shkon më thellë: ajo thotë se vija është përfytyrimi i parë i rrjedhës, një ide e gjallë që kërkon të bëhet materie. A është vija gjurmë e ujit, apo paralajmërim i tij? A lind uji nga vija, apo vija nga uji? Ky është paradoksi i fillimit: Gjithçka nis para se të nisë. Vija e ujit është shtrati i mungesës që do të mbushet. Është bosht i zbrazur ku pritet të derdhet jeta. Pa këtë zbrazje, rrjedha nuk do të mund të kërkonte terren. Edhe njeriu e ka të njëjtën natyrë: ai krijohet nga një vijë brenda shpirtit që ende nuk ka nevojë për trup, vetëm për drejtim.

Ontologjia e gjurmës së parë. Në sipërfaqen e tokës, vija e ujit është e hollë, por jo e dobët. Ajo është pika e parë ku qenia fiton trajtë. Ashtu si embrioni që nuk ka ende organe, por mban në vetvete premtimin e të gjithave. Vija e ujit është embrioni i rrjedhës. Një organ pa trup, një mendim pa fjalë, një shikim pa sy. Në këtë fazë, uji nuk rrjedh. Ai përfytyron rrjedhjen. Kjo është faza më e brishtë dhe njëkohësisht më e fuqishme e ekzistencës: çdo gjë që do të vijë më vonë, (rrëkeza, rrëkeja, përroi, lumi, delta, deti) e ka rrënjën në këtë vijë të padukshme. Pa këtë vijë, deti vetë nuk do të kishte kuptim. Sepse çdo gjë e madhe e kërkon një fillim të vogël që nuk duket.

Vija si akt i parë i lirisë së ujit. Liria e ujit nuk qëndron në madhësinë e tij, por në faktin se ai rrjedh. Por për të rrjedhur, së pari duhet të ketë një fije vendi ku të nisë. Vija është çasti kur uji zgjedh drejtimin e tij të parë. Është zgjedhja më e pastër që uji bën gjatë gjithë ekzistencës së tij. Lumi do të udhëhiqet nga relievi, përroi nga graviteti, deti nga planeti. Por vija e ujit udhëhiqet vetëm nga dëshira për të nisur. Ajo është mrekullia e lirisë që nuk përmendet kurrë: pika që vendos të largohet nga vetja. Si vetë njeriu, e njeh të njëjtën liri kur merr vendimin e parë pa arsye të dukshme: kur nis, thjesht sepse duhet nisur.

Psikopoetika e vijës: njeriu para formës. Në psikologjinë metafizike, vija është faza e botës së brendshme që kërkon të hapet. Ashtu si uji, njeriu përpara se të ketë rrjedhë, ka vijë, një ndjenjë të panjohur, një ethe që të shtyn përpara, një shenjë që thotë “këtu do të nisësh”, një thirrje që nuk ka gjuhë. Vija e ujit është barasvlerësi i intuitës së parë njerëzore. Aty ku njeriu e di drejtimin, por nuk e di arsyen. Aty ku trupi ende është i heshtur, por mendja është zgjuar. Në shumë tradita mistike, kjo fazë quhet Lëvizja para lëvizjes” një puls i brendshëm që paraprin frymën e parë.

Kosmogonia e vijës: si lind rrjedha në univers. Në shkencë, gjithçka fillon nga një singularitet. Në ujë, gjithçka nis nga një vijë; te njeriu, gjithçka nis nga një pyetje. Vija e ujit është modeli më tokësor i procesit të krijimit, nuk lëviz, nuk rrjedh, nuk plotësohet, derisa një impuls e shtyn të bëhet diçka tjetër. Ajo është përftimi i parë i qenies, një vijë e hollë që në heshtje shpall lindjen e botës së lëngshme. Në kosmogoni, kjo fazë është ekuivalente me momentin kur drita ndahet nga errësira- kufiri i parë i kuptimit.

Epilogu i fillimit: pse vija është më thelbësore se lumi. Në dukje vija është gjëja më e vogël e atlasit ujor, e në ontologji, ajo është parësorja. Lumi, por edhe deti, janë histori të shtrira, janë rrëfime të gjata. Vija është ngjarja që i paraprin rrëfimit. Nëse lumi është jeta e formuar, vija është arsyeja pse ka jetë. Nëse deti është përmbushja, vija është thirrja e parë. Prandaj kapitulli i parë nuk është prolog: është themeli metafizik mbi të cilin ndërtohet gjithë AUM-i.

RRËKEZA: IMPULSI I PARË I SHPIRTIT

Çarja e heshtjes: kur uji  mëson të lëvizë. Në fillim ishte vija, një premtim, një shenjë e padukshme. Por lind një çast kur premtimi kërkon mish, kur shenja kërkon zë, kur heshtja kërkon thyerje. Ky çast quhet rrëkeza. Rrëkeza është momenti kur uji nuk e mban dot më veten. Ai thyhet, jo si rrëfim, por si thirrje. Është shpërthimi i parë i jetës lëngore, i pastër, i vogël, i paduruar. Rrëkeza nuk ka qëllim. Ajo ka vetëm domosdoshmëri. Uji nuk fillon të lëvizë për të mbërritur diku, po ngase nuk mund të qëndrojë më aty ku është. Kjo është gjenetika e çdo nisjeje njerëzore.

Fëmijëria metafizike e ujit. Rrëkeza është foshnja e botës ujore. Ajo nuk di për forcën, për dritën, për vijat, për nënshtresat që do ta formësojnë. Por di të qeshë me rrëketë e saj të vogla. Di të gjejë terren. Di të kërkojë ulje, kënd, shteg. Rrëkeza është fëmijëria e lëvizjes. Ajo nuk e pyet arsyen pse, as nuk e njeh pengesën. Thjesht rrjedh. Në këtë dritë, rrëkeza është e vetmja formë e ujit që nuk njeh dështim, sepse nuk ka synim për të dështuar. Ajo është e lirë nga detyrimet e formës, nga gjeografia, nga roli i lumit, nga pritja e detit. Rrëkeza është shpirti para se të mësojë të jetë trup.

Impulsi si arketip i ekzistencës njerëzore. Çfarë është rrëkeza te njeriu? Është impulsi i parë shpirtëror, ai çast kur brenda njeriut ndodh një lëvizje që nuk vjen nga arsyeja. As nga përvoja. As nga dëshira e ndërgjegjshme. Rrëkeza njerëzore është ai çast kur syri hapet nga një dritë që nuk e kërkoi, kur mendja dridhet nga një ide që nuk e kupton, kur zemra shtyhet drejt një drejtimi pa kompas, kur shpirti nis të kërkojë pa e ditur çfarë kërkon. Ky është momenti më i pastër i njeriut. Sepse çdo nisje e pastër është e pakurdisur.

Mënyra si rrëkeza shpërthen botën e brendshme. Ndryshe nga përroi apo lumi, rrëkeza nuk ka madhësi që të rëndojë, prandaj është e aftë të krijojë rrugë aty ku nuk ka rrugë. Rrëkeza nuk ka masa, por ka ndikim. E vogël në trup, e pafund në domethënie. Shpërthimi i saj i vogël është ipa censuruar. E lejon veten të marrë trajta të çuditshme, të kota, të shpejta, të shtrembra. Ajo është krijim i lirë i natyrës, të cilën askush s’e drejton. Te njeriu, kjo shfaqet si ide të papritur, emocione që dalin pa arsye, si shtytje të papërcaktuara drejt bukurisë, dritës, rebelimit, njohjes, dashurisë. Pra, rrëkeza është poema e parë e shpirtit, shkruar pa kujdes, por me të vërtetën e vetme që njeh: lëvizjen.

Rrëkeza si energjia që nuk pret leje. Në rendin e gjërave, rrëkeza nuk pyet askënd. As tokën. As gurin. As hijen e drurit. As dëshirën e lumit të ardhshëm. Ajo shfaqet kudo ku gjen një mikro-çarje, një mikro-hapësirë, një mikro-rrugë. Është energjia e shpërndarë që kërkon kanalizim. Kjo e bën rrëkezën metaforën perfekte të rinisë njerëzore, që është spontane, e pambrojtur, e pakontrolluar, e pa jetuar, e papërkulshme në dëshirën e saj për të ekzistuar. Në këtë sens, rrëkeza është liria e parë e njeriut.

Ontologjia e thyerjes së parë. Rrëkeza nuk do të ekzistonte pa një çarje. Çarja mund të jetë: një gur i çliruar, një çarje toke, një shtypje e rëndesës, një rrudhë e peizazhit. Edhe njeriu nuk lëviz pa një çarje në vetvete, që mundtë jetë: zhgënjim, mungesë, ëndërr, etje, dhimbje e imët. Çdo rrëkezë fillon nga një mungesë që kërkon të mbushet. Çdo lëvizje e njeriut fillon nga një boshësi që mundohet të marrë formë. Rrëkeza është ontologjia e çarjes: ne nuk fillojmë nga forca, por nga thyerja.

Rrëkeza si parathënie e rrjedhës së gjithë jetës. Rrëkeza është kapitulli i dytë i AUM-it, por në të vërtetë ajo është kodi i fshehtë i çdo rrjedhe që vjen më pas. Sepse në natyrë: lumi e mban brenda kujtimin e rrëkezës, deti e mban brenda zërin e saj të parë, përroi e vazhdon stilin e saj, delta e zvogëlon deri në zero, por askush nuk e harron se rrëkeza ishte fillimi i tyre i vërtetë. Për njeriun, rrëkeza mbetet gjithmonë ajo pjesë që nuk rritet: ajo pjesë që kërkon, rebelon, shpërthen, qesh, digjet, nis. Është përhershmëria e rinisë brenda ekzistencës së pjekur.

Epilogu i impulsit: bukuria e fillimit pa arsye. Rrëkeza është e vetmja formë e ujit që nuk ka justifikim. Nuk shpjegon veten. Nuk mban moral. Nuk është as e mirë, as e keqe. Vetëm është. Kjo e bën atë formën më të sinqertë të të gjitha formave të ujit. Dhe po ashtu, është forma më e sinqertë e njeriut. Njeriu është më i vërtetë në çastet kur nuk është i “arsyeshëm”, kur është vetëm   impulse, vetëm dridhje, vetëm dritë e parë e shpirtit.Rrëkeza është vendi ku nis jeta e brendshme.

(vijon)

ObserverKult


Lexo edhe:

Ismail Syla: Fregatat e gjenive