Në kujtim të Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut, Arben Brocit dhe Besnik Cekës, katër martirëve të 2 prillit 1991, ndaj të cilëve, sa kohë vrasja ka mbetur mister shoqëria shqiptare ende është në faj dhe sa kohë ata u vranë për idealin e një Shqipërie të lirë, gjithmonë do të jetë në borxh…
Mëngjesi i 2 prillit 1991 në Shkodër është një nga më të dhimbshmit. U vranë katër djem dhe u plagosën rreth 58 të tjerë në atë shesh që sot mban emrin “2 Prilli”.
Pas një shtypjeje 46-vjeçare, ndoshta më të egër sesa në çdo qytet tjetër, Shkodra ishte kundërpërgjigjur në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991 duke i dhënë fitoren Partisë Demokratike, por rezultati i përgjithshëm i zgjedhjeve, la në pushtet Partinë e Punës Të revoltuar për mungesën e një ndryshimi që pengohej me të gjitha format të vinte, edhe pse as dy muaj më parë në qendër të Tiranës ishte rrëzuar statuja e Enver Hoxhës, shkodranët, pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, dolën për të protestuar si rrallë ndonjëherë. U grumbulluan të numërt para godinës së Komitetit të Partisë të rrethit. Disa prej tyre hynë në ndërtesën që kish sunduar qytetin për vite me radhë, duke grisur, hedhur djegur dhe shkelur shkresat që gjenin. Me dy gishtat lart, thërrisnin kundër pushtetit. Donin të merrnin në dorë situatën që mbahej prej dhjetëvjeçarësh e shtrënguar nga Partia e Punës, por partia ishte ende e fuqishme.
Vetëm 15 minuta pas nisjes së protestës, në orën 8.15 u raportua vdekja e protestuesit të parë, Bujar Bishanaku. Ndërkohë në orën 08:45, u vranë Nazmi Kryeziu dhe Arben Broci, një figurë e njohur e lëvizjes studentore. Ndërkohë rreth orës 10:00, u qëllua për vdekje edhe Besnik Ceka.
Janë katër vrasje, që edhe pse sollën burgosjen e disa krerëve të Partisë së Punës, Degës dhe Policisë së Shkodrës, nuk u zbardhën kurrë. Të pesë të burgosurit, Xhemal Dymylja, ish-sekretari i Parë i Partisë së Punës në Shkodër, Çapajev Taçi, ish-kryetari i Degës së Brendshme në Shkodër, Hajredin Shyti, ish-zv/ministër i Brendshëm, Dilaver Papare, ish-shefi i policisë në Shkodër dhe Gjek Çelaj, ish zv/shefi i policisë së Shkodrës u liruan me amnistinë e vitit 1997, duke ua rënduar brengën familjarëve të viktimave.
Në atë kohë, ministër i Brendshëm ishte Gramoz Ruçi, i cili gjithashtu u hetua për këtë çështje, por doli i pafajshëm, edhe pse në një urdhër të firmosur prej tij, siç shkruan gazeta Tema, ai urdhëron vendosjen e snajperave në terracën e Komitetit të Partisë së Shkodrës dhe ishin këta snajperistë që u bënë përgjegjës për katër vrasjet. “Për të vepruar me forcën e shkopit, nuk ka askush arsye të pyesë përgjegjësinë. Goditni ashpër qysh në fillimet e grumbullimeve. Për të paralizuar ata që nga turmat mund të godasin me armë forcat tona, zini lartësitë dominuese me qitës të përgatitur, forcat tona që përleshen me protestues të mos shkojnë të armatosura”- shkruhet në urdhrin e brendshëm të 2 prillit 1991 të firmosur nga Ruçi, sipas gazetës Tema.
Por vetë Gramoz Ruçi ka pasur versionin e tij për këtë ngjarje duke deklaruar që gjatë atyre orëve ai ishte në një mbledhje me autoritetet e larta të shtetit. “Para se të futesha në mbledhje, pyeta në telefon zëvendësministrin, i cili më tha se sapo më njoftuan që në Shkodër ka një të vrarë, por nuk kam informacion për rrethanat e vrasjes. Duke raportuar në mbledhjen e presidencës, më informojnë nga ministria se në Shkodër janë vrarë edhe dy qytetarë të tjerë, është djegur Komiteti i Partisë së Punës, si dhe janë plagosur disa të tjerë, numri i të cilëve nuk dihet”. Ruçi, në raportimin e tij, ka tentuar madje ta largojë përgjegjësinë nga forcat shqiptare të punëve të brendshme, duke i konsideruar vrasjet një vepër e shërbimeve të huaja sekrete. “Ndërsa hetuesia jonë nuk futet dot as pas 2 ditësh në Shkodër për të kryer detyrën, telekronisti i Malit të Zi, siç del nga kronika e filmuar që dha televizioni i tij, u ndodh në vend dhe i përgatitur për të filmuar ngjarjen. Ose një moment tjetër:kush përfitonte nga transmetimi nëpërmjet Radio-Shkodrës i lajmit që Tirana ra etj, etj.? Atëherë lind pyetja: kush janë këto forca brenda apo jashtë kufijve të Shqipërisë të interesuara për këtë tragjedi?” – shprehej Ruçi.
E ka përfunduar deklaratën e tij me pyetje dhe çështja e katër vrasjeve mbetet ende pa një përgjigje të qartë. Ka dyshime për armët e përdorura ndaj viktimave, ka dyshime për interesat e fshehta që përvidheshin në atë grup të madh njerëzish që protestonin me sinqeritet dhe haptas kundër regjimit.
Atë ditë shkodranët donin të merrnin në dorë mbi të gjitha jetët e tyre, por katër djem i humbën ato duke u bërë ndër martirët e fundit të një pushteti që e plagosi Shqipërinë me mijëra syresh./kujto.al