Vila gjigande buzë bregdetit të Shqipërisë, ngjitur me njëra tjetrën pa asnjë privatësi apo parametër luksi, po u rrëmbejnë vendin strukturave të thjeshta, të hijshme, të paranueshme në çmime dhe estetikë për turizmin e të rinjve dhe të shtresave të mesme.
Nuk mund të konkurrojmë me luksin me kushtet që ofrojmë akoma përreth në Shqipëri.
Në Sarandën e bukur këtë vit kishte lindur papritur një tjetër “fshat” turistik me vilat nga 1 milion euro. Bosh.
Si një fantazmë mes bregut plot jetë dhe gjallëri të jugut. Lindi, pasi pak më tutje është një tjetër fshat turistik po me vila 1 milion, që lodhet duke u mbushur me influencera përvit, me gazetarë e politikanë që flenë falas apo të paguar nga dikush.
E pak më tutje akoma, ka lindur një tjetër fshat turistik me vila nga 300 a më shumë euro nata, ku nuk ofron asgjë për pushuesit veç bukurisë (të modifikuar) të së bukurës Shqipëri.
Mesa duket është “epidemi” e fshatrave 1 milion euro përderisa, duket se, po mbijnë nga jugu në veri. Një politikë që rrezikon të mos sjellë asgjë për Shqipërinë veç ndonjë nate qëndrimi të rastësishëm të ndonjë personazhi vip.
Nuk mund të vijnë në ato vila të pasurit e vërtetë të Europës dhe të botës, të cilët e kanë të vështirë të qëndrojnë në një vilë afër apo mbi 1 milion euro me telat e korrentit elektrik që iu digjen mbi kokë, apo rrugët pa trotuarë, pa viza të bardha. Mund të vijnë vetëm falas. Siç e kanë të vështirë të vijë dhe shtresa e mesme e botës së qytetëruar, e cila, edhe pse mund ta gjejë këtu luksin më të lirë, e sheh shpejt se është një luks i rremë.
Atëherë, për kë mbijnë vilat afër apo mbi 1 milion euro? Siç po e shohim dhe nga kronika, dhe siç e sheh kushdo që ka hyrë qoftë edhe një herë në këto struktura, politikanë, ish-politikanë, ministra, ish-ministra, gjyqtarë, ish-gjyqtarë, gazetarë, ish-gazetarë, familjarë të tyre i sheh të dyfishuar, të trefishuar, të katërfishuar nëpër këto objekte.
Të dalin në Gjirin e Lalëzit, siç dalin në Dhërmi, siç dalin në Sarandë e Ksamil. Pra, dukshëm, vilat 1 milion euro janë për ta dhe për kë pasurinë e ka përfituar nga kriminaliteti i rëndë.
Është interesant një paralelizëm që mund të bëjmë me Shqipërinë dhe Italinë. Për shembull Berluskoni, një figurë milioneri që u kopjua shumë në Shqipëri, nisi krejt ndryshe të bëjë milionat e tij të para:
Ndërtoi rreth Milanos dy vendbanime të jashtëzakonshme për shtresën e mesme, quhen Milano 2 dhe Milano 3. Me material të lirë parafabrikat (që uli koston e çmimit të ndërtimit dhe shitjes së tyre) bëri apartamente dhe vila perfekte, nga superarkitektë, në një mjedis që edhe sot e kësaj dite nuk ka të njëjtë, mes gjelbërimit të pamatë (30 përqind ndërtime dhe 70 përqind gjelbërim), rregulli urbanistik, shërbime si shkolla, zyra postale, polici dhe supermarket, që joshën jo vetëm ata që nuk ishin të pasur, por edhe të pasurit që ëndërronin të jetonin në qetësi dhe në mes të natyrës, edhe pse shtëpitë e tyre nuk do të kushtonin dhjetëra milionë euro si në zona të tjera të Italisë.
Apo si në Greqinë e 6000 ishujve, ku shtëpitë e peshkatarëve, sturkturat e vogla dhe të thjeshta që u ngritën qoftë në Santorini, në Mikonos apo në shumë ishuj të tjerë, nuk ishin vila 1 milionëshe.
Nisën si shtëpiza të vogla që më pas, është mjedisi, shërbimet, bukuria përreth që ua jep vlerën e tyre edhe më shumë se 1 milion.
Por Shqipëria e vogël nuk e ka luksin të harxhojë vend dhe kohë me realitete që nuk janë në proporcion me atë që ajo ofron:
Mikpritje, thjeshtësi, turizëm për të rinj dhe për shtresën e mesme në Europë dhe në botën mbarë, që sheh të paarritshëm papritur një turizëm të bukur në vendet elitare (për shkak të shtrenjtimit të shërbimeve dhe të çdo gjëje që lidhet me turizmin) dhe kërkon shpëtim në Shqipërinë deri tani me çmime të përballueshme.
Kështu, qoftë apartamentet në Tiranë, qoftë vilat në bregdet, nuk kanë asnjë logjikë pozitive tregu, mjedisi dhe kulture të kushtojnë afër apo mbi 1 milion euro. Shqipëria prej kësaj, asgjë nuk fiton.
Përkundrazi, e konkretizon në mënyrë tragjike çarjen e padrejtë, të palogjikshme dhe ta panatyrshme, sociale.
Herët a vonë këto vila mund të shndërrohen si një muze në natyrë, ku turistët shqiptarë dhe të huaj, do të mund të shikojnë se si bashkëjetojnë në vila gjigande të korruptuarit e pushteteve të tranzicionit, njerëz të showbizit, si në një teatër absurd jete./ Allba Malltezi/Shqiptarja.com
ObserverKult
Lexo edhe:
EDISON YPI: KURVISTAT MË TË NDYRË KANË BËRË VILAT MË TË MËDHA
Diçka për kurvistat
Nga Edison Ypi
Majtas e djathtas rrugët dhe rrugicat mbajnë emra vrasësish. Po të vazhdosh të ecësh mbi këto rrugë, pas pak do çmendesh. Ik. Ik e mos u duk.
Mozaiku kriminal ta mpin trurin.
Nuk jetohet në këtë vend me këtë shesh e këtë simbol. Ik nga kurvizmi propagandistik.Ik nga sytë këmbët.
Në bulevard ta err shikimin varri i kurvit. “Është vepër arkitektonike”. “Dëshmi historike,” “brezat e ardhshëm duhet të dinë çfarë ka ndodhur”.
Janë gënjeshtra trashanike për të mos i lënë shqiptarët të ikin nga kurvizmi. Ik o ik.
Ik si zhapik duke u zvarritur. Si kunadhe duke u fshehur. Si gjarpër duke u përdredhur. Vetëm ik.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult